Fundamenti

Fytyra e Kosovës në Bruksel

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Prishtinë – Kur në fillim të viteve ’90 kosovarët do të nisnin shkollimin paralel nëpër shtëpi private, fotografi Hazir Reka do të bënte debutimin e parë ndërkombëtar. Fotografia nga një dhomë, me karriget që shërbenin si tavolina për nxënësit e ulur në tokë do të ishte “fytyra” e parë që Reka do t’ia prezantonte botës, kur kjo fotografi do të botohej në prestigjiozen “The New York Times”.

Për gjatë më shumë se dy dekadave, Reka do të dërgonte shumë “fytyra” të Kosovës që do të publikoheshin në shumë agjenci lajmesh ndërkombëtare. E Reka nuk e ka përfunduar tregimin e tij për fytyrat e Kosovës. Ka zgjedhur kryeqendrën e Evropës për të dhënë tregimin e tij nëpërmjet artit të fotografisë për çka ka goxha nam.

Mobi Casa

Më 23 të këtij muaji Reka do të hapë ekspozitë në Ambasadën e Kosovës në Bruksel. Aty do të qëndrojë e hapur për një muaj. “Ekspozita do të jetë e hapur edhe gjatë ditëve kur do të festohet 5-vjetori i pavarësisë”, ka thënë Reka.

Ekspozita e titulluar “Tregimi me fytyra” është e ndarë në dy koncepte. I pari është me portrete të kosovarëve që shpërfaqen në fotografi të realizuara gjatë kohës së luftës, ndërsa i dyti është me peizazhe të Kosovës. Fotografitë janë shkrepur gjatë dy dekadave të fundit.(koha)