Fundamenti

Fushata nuk ndryshon asgjë, klientelizmi dhe bisedimet me Serbinë janë përcaktuese

/ 18 minuta lexim

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA – Përmbyllja e fushatës: Subjektet dhe koalicionet garuese për zgjedhjet e 6 tetorit 2019 kanë hyrë në fazën e arritjes së efekteve mediale shkaku se të gjitha që kanë pasur t’i thonë i kanë thënë gjatë fushatës ilegale e që ka filluar disa muaj më parë. Partitë kryesore muaj më parë i kanë filluar përgatitjet për zgjedhje dhe vetëm ka pasur paqartësi se kush me kë do të bëjë koalicion. Në një masë edhe koalicionet e mundshme dhe të pamundshme ishin projektuar më parë disa për të mbijetuar politikisht dhe jo vetëm politikisht, disa sepse vlerësuan se do të forcoheshin e që nuk është ashtu, së paku ashtu mendoj, por se kjo nuk nënkupton se kam të drejtë! Pasi u shpërnda tymi, që në ditën e parë të përmbylljes së fushatës, më 25 shtator, e kemi një situatë që më shumë është mashtrim optik sesa që paraqet gjendjen reale, fuqinë politike apo disponimin e votuesve.

Realisht, para këtyre zgjedhjeve të parakohshme u bënë disa lëvizje apo llogari që nuk dolën dhe as që do të dalin ashtu si kanë menduar dhe planifikuar subjektet politike. E mira e kësaj situate është se tash kemi katër (4) parti politike apo koalicione që shpresojnë dhe besojnë se do t’i fitojnë zgjedhjet dhe se, sipas parashikimeve, ta themi të kësaj dite, dallimi midis tyre në vota është i vogël, midis fituesit, të dytit dhe të tjerëve. E keqja e kësaj situate është se, kushdo që të jetë fitues i zgjedhjeve dhe çfarëdo përbërje të qeverisë së re, nuk do ta ketë prioritet e as mundësi të përmbushjes së premtimeve elektorale për faktin se, sipas atyre që vranë e kthjellin në Kosovë, prioritet mbi prioritetet është vazhdimi i bisedimeve me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje, siç po e quajnë detyruese.

Kjo nënkupton se edhe koalicioni pas zgjedhjeve do të jetë në funksion të këtij qëllimi ndërkombëtar dhe se politikanët kosovarë që do të jenë pjesë e bisedimeve dhe marrëveshjes duhet ta kenë besimin dhe duhet të jenë jashtëzakonisht fleksibilë apo të dëgjueshëm, sipas Fjalorit të gjuhës shqipe. Andaj, nuk kanë fare kuptim këto denoncime, premtime dhe mashtrime që po u bëhen votuesve dhe opinionit kur, në fund të fundit, koalicionet nuk i cakton Kanuni i Lekës, por ndonjë administrator i ligës së tretë i Trampit apo ndonjë mbetje mortore politike e BE-së siç ishte puna e Mogerinit. Po gabohemi rëndë kur po mendojmë se bota po sillet rreth nesh dhe se puna e parë që e bëjnë Uashingtoni dhe Brukseli kur të zgjohen në mëngjes është të pyesin se si e kemi Kosovën?!

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë politikën në vendin tonë nuk e kanë udhëhequr kosovarët, por se e kanë udhëhequr Serbia dhe ndërkombëtarët! Është një nonsens që, përkundër fakteve që i kemi, nga një viktimë absolute, jemi shndërruar në një dhunues absolut në kohën kur një kriminel absolut lufte si puna e Aleksandar Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit, nga përkrahës dhe pjesëmarrës aktivë në krime lufte dhe krime kundër civilëve shqiptarë, janë shndërruar në viktima dhe përcaktues vendimmarrës për punë që janë ekskluzivisht përgjegjësi e Kosovës. Sot Aleksandar Vuçiqi është bërë partneri numër një i evropianëve sikur që po i hapen dyert edhe në Uashington, ndërkohë që me ne takohet Johanes Han kur është në gjendje të një dehjeje pak më të menaxhueshme dhe Frederika Mogerini kur është në një gjendje të një frustrimi mesatar.

Nuk e di nëse ka fatkeqësi më të madhe për Kosovën dhe shqiptarët nëse ndërkombëtarisht përfaqësohen nga një joprofesionist dhe diletant i politikave kombëtare dhe ndërkombëtare, por shumë i shkathët në mbrojtje të interesave personale siç është miku im, Gjeti! Prandaj, për mua nuk ka asnjë kuptim kur në kohën kur na duhet një mobilizim i përgjithshëm për ta bërë sa më të vogël dhe më të durueshëm dëmin që i është bërë Kosovës, kemi aq shumë përçarje midis subjekteve politike dhe ftesa përjashtuese. Ta shohim gjendjen e partive politike aktualisht:

Lidhja Demokratike e Kosovës: Është një parti tradicionaliste dhe pjesëmarrëse në të gjitha proceset politike në të cilat ka kaluar Kosova. Do të jetë pjesë edhe e proceseve të ardhshme dhe nuk do të përjashtohet nga dialogu sepse nuk e lënë jashtë dialogut. Isa Mustafa e shpëtoi partinë nga ndarja e thellë, por se nuk i dha kapacitet të qëndrueshëm dhe vendimmarrës. Deri më tani thuaja nuk ka pasur, as ofertë politike dhe as ofertë ekonomike apo zhvillimore. Vjosa Osmanin e kanë viktimizuar për t’i ruajtur të mëdhenjtë që do të dalin pastaj në skenë. Vjosa Osmani së paku deri tani nuk ka ofruar asgjë përveç refuzimit të bashkëpunimit me PDK-në sikur edhe porosisë kanunore se, “kur ajo thotë kurrë me PDK-në atëherë mbetet kurrë”.

Nuk ka asgjë më qesharake se kur një subjekt politik përkatësisht organi kryesor (Këshilli i Përgjithshëm) merr vendim se “nuk ka koalicion me PDK-në…”. Është normale nëse do të merrte vendim se do ta mbrojnë integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës e që nuk e kanë bërë. Shumë herë patën dhënë deklarata të tilla dhe gjithmonë kanë përfunduar në koalicion me PDK-në. Vjosa Osmani po e konsideron veten sikur të ishte Evita Peroni e Argjentinës, Angela Merkeli e Gjermanisë apo Margaret Theçëri e Mbretërisë së Bashkuar. Është e magjepsur nga reflektorët dhe posti i kryeministrit. Vjosa Osmani është në pozitën e të dënuarit të cilin e kanë në dorë ata që e dënuan sepse më parë ishte përjashtuar nga këta që sot, për interesa të veta, po e promovojnë politikisht. Vjosa Osmani bëri emër duke e kundërshtuar Isa Mustafën, kurse sot po përpiqet të bëjë emër duke kundërshtuar Kadri Veselin, Albin Kurtin, Zog Ahmetin, Ramushin dhe Fatmirin. Kadri Veselin po e përqesh kur ky thotë se e lufton korrupsionin dhe nuk i beson por, në të njëjtën kohë, u beson bijve dhe bijave që qençe i kanë shërbyer Titos, Rankoviqit, Sllobodan Millosheviqit dhe Rrahman Morinës. Këtu diçka nuk është në rregull. E sulmon Zog Ahmetin se nuk ka guxim sepse ka pasur frikë nga Albini të dërgojë lule te varri i Him Govës. E pse do të duhej të dërgoheshin lule tek ai varr dhe pse ky do të ishte kusht për koalicion?! Askush nuk mund dhe nuk duhet ta gjykojë, as Vjosën e as të tjerët pse shkojnë te varri, por askush nuk mund të kërkojë dhe kushtëzojë askënd për bashkëpunim me shkuarje tek ai varr. Nëse një subjekt politik kërkon vota nga varri, nga Gjykata raciste Speciale, nga vrasjet e pasqaruara pas luftës për të cilat nuk bëri asgjë, edhe pse i kishte të gjitha mundësitë dhe në bazë të vendosjes së vijave të kuqe atëherë e bënë këtë sepse nuk ka asnjë ofertë serioze për votuesit.

Për publikun dhe për votuesit është shumë me rëndësi oferta për hapje të vendeve të reja të punës, përmirësimin e gjendjes në arsim, shërbime më të mira shëndetësore dhe sigurime shëndetësore, drejtësi profesionale dhe të pavarur, të ardhura të mira dhe të garantuara, kushte më të mira të të bërit biznes, pensione të dinjitetshme dhe këtë nuk po e bën Vjosa Osmani. Menyja ofertuese, së paku deri më tani e LDK-së, është e dobët dhe pa përmbajtje. LDK-ja po jeton me të kaluarën sepse partia është e uzurpuar nga një kastë klienteliste, e kriminalizuar dhe e pasuruar, prandaj nuk duhet t’u besohet kur flasin për partnerët me të cilët do të bëjnë apo nuk do të bëjnë koalicion. Ta presim 6 tetorin dhe pastaj flasim.

Por, definitivisht, Vjosa Osmani nuk është personi vendimmarrës në LDK për koalicione paszgjedhore dhe ajo mundet, në shenjë mospajtimi, vetëm të ofrojë dorëheqje. Po më habit shumë miku im Ismet Beqiri të cilin në LDK e kanë cullakosur nga të gjitha postet dhe perspektiva politike, kurse ai ende e përdorë një turbo fjalor kundër të gjithëve. Shiheni listën e LDK-së sa lart janë renditur bijtë dhe bijat e atyre që i kanë shërbyer ish-Jugosllavisë kundër Kosovës dhe interesave kombëtare kurse Ismeti, që unë e njoh si një aktivist dhe patriot që nga vitet 1990, po bie në listë poshtë e më poshtë, derisa ta prekë fundin! Nuk besoj se Vjosa Osmani do të bëhet kryeministre por, nëse bëhet, do t’ia uroj publikisht dhe do ta përkrah deri kur mendoj se e meriton përkrahjen time. Por, LDK-ja nuk e ka asnjë të drejtë t’i akuzojë të tjerët, PDK-në në radhë të parë për kapje të shtetit sepse bashkë e kanë kapur, nëse qenka shteti i kapur! Nëse e bëni një skanim të posteve të larta në borde, në agjenci të varura dhe në diplomaci, do të shihni sa shumë janë të LDK-së e që janë në lidhje të ngushta familjare pikërisht me këta që po vizatojnë vija të kuqe, pa u skuqur aspak për dyfytyrësinë e tyre!

UBT

Partia Demokratike e Kosovës: Aktualisht është e vetmja parti që po bën fushatë 100 për qind në frymën rugoviane. Të gjithë e sulmojnë dhe të gjithëve ua kthen faqen tjetër për ta goditur, por nuk përgjigjet me dhunë. Është palosur 100 për qind si taksa e Ramushit. Po bën politikë të mençur, mbi lëkurën e ujkut e ka vendosur lëkurën e qengjit! Dikush po e mëson mirë, madje shumë mirë. Po thonë se e ka angazhuar një kompani që ka planifikuar dhe udhëhequr fushatat e Aleksandar Vuçiqit dhe Edvin Ramës e të cilët fituan bindshëm në zgjedhjet në Serbi dhe Shqipëri. A nënkupton kjo se edhe PDK-ja do të fitojë në Kosovë?! Lehtësisht mund të ndodhë kjo. PDK-ja e ka rritur mobilizimin në shkallën 100 për qind duke i kthyer në grigjë veteranët e larguar më parë dhe duke e pasuruar listën me personalitete të reja. Sipas vlerësimit tim, lista e LDK-së është 100 për qind në rregull sa i përket kriminalitetit (të pazbuluar), kurse lista e PDK-së është 95 për qind e pastër. Është shumë e vërtetë se PDK-ja ka bërë më së shumti ndërhyrje të thella kirurgjike në trupin e partisë e që ka qenë, sa e domosdoshme, aq edhe e rrezikshme. Nuk është njëjtë si ta kapësh për koç… Sami Lushtakun e PDK-së apo Driton Selamanajn e LDK-së?! Dallimi në reagim është shumë i madh edhe për nga intensiteti, vëllimi, vrazhdësia apo edhe rreziku. E di se kur patën filluar kundërshtimet e hapura kundër ish- atdheut të disa politikanëve të sotëm kosovarë, Jugosllavisë dhe Serbisë, na konsideronin të çmendur sepse kishim hyrë në luftë me një shtet që eksportonte armë dhe dhunë në Amerikën e Jugut, Azi, Afrikë dhe Lindje të Mesme, Jugosllavi.

PDK-ja, gjatë fushatës rugoviane, as nuk po shkon te varret e Adem Demaçit dhe Adem Jasharit, personalitete kombëtare dhe politike të 1000 vjetëve të historisë nga të cilët u frymëzuan dhe me të cilët edhe luftuan bashkë kundër Jugosllavisë dhe Serbisë, por po ofron bashkëpunim me të gjithë, pa përjashtime dhe nuk shfaq asnjë hakmarrje. Kadri Veseli është dashur t’i heqë nga lista nja pesë persona për të na bindur se është kundër nepotizmit dhe korrupsionit, por besoj se nuk ka pasur hapësirë për këtë por se, pa asnjë dyshim, do t’i margjinalizojë dhe do t’i zhveshë nga çdo vendimmarrje. Kadri Veseli është dashur të jetë shumë më energjik në Besianë dhe t’i largojë ata që ia minuan degën e partisë dhe ia bënë bërryl. Aktualisht Besiana është pa potencë politike dhe elektorale për PDK-në pikërisht për shkak të këtyre lojërave. Habitem kur lexoj se PDK-ja e ka opozitën e garantuar dhe se do ta zë vendin e tretë. Sipas analizave që i bëj dhe rrethanave aktuale, në asnjë variant nuk e shoh PDK-në nën vend të dytë dhe jashtë qeverisë së ardhshme. Realisht, në këto rrethana, po të isha kryetar i PDK-së, vullnetarisht do të shkoja në opozitë dhe në asnjë rrethanë nuk do ta pranoja postin e kryeministrit apo t’i udhëheqja bisedimet me Serbinë. Të qenit në opozitë në këto rrethana është gjëja më e mirë, më e shëndetshme dhe investim strategjik fitimprurës për të ardhmen e partisë. Po a e bën këtë PDK-ja vullnetarisht?! As në ëndërr nuk e besoj se kjo mund të ndodhë! Pikërisht këtë e konsideroj si mungesë të vizionit politik të PDK-së. Por, kam filluar të besoj se PDK-ja e ka seriozisht procesin e reformave brenda partisë sikur që edhe mund ta luftojë korrupsionin, me disa ndryshime të mëvonshme! Sa i përket nepotizmit të shprehur në listat për deputetë, LDK-ja është kampione absolute, pas së cilës vjen PDK-ja, kurse partitë e tjera janë të pastra.

Lëvizja Vetëvendosje! Është në pozitën më të vështirë. Sa nuk bënte ndryshime akuzohej pse nuk po i bënë, tash kur ka bërë shumë ndryshime po e fajësojnë për dyfytyrësi! Hyp se t’vrava, zhdryp se t’vrava. Po e akuzojnë se nuk po e përdorë flamurin e Kosovës, por atë kombëtar e që është edhe flamur i Shqipërisë. Është kohë shumë e shkurtër që LV-ja ta bëjë këtë kthesë; nëse do ta bënte do t’i humbiste votat kuqezi dhe nuk do të fitonte asnjë votë të flamurit të Tinës (Kajdanov).

Albini ka deklaruar se nëse bëhet kryeministër, do t’i respektojë simbolet e Kosovës e që për mua është gabim i madh dhe i kushtueshëm. Me vetë faktin se jeni pjesë e institucioneve të shtetit (qoftë edhe i lodhtë) të Kosovës, domosdoshmërisht nënkupton se duhet t’i respektoni ato simbole e jo edhe t’i duani! Nuk ka respektim të kushtëzuar, por ka respektim të obliguar. Këtë duhet ta ketë të qartë edhe Albini. Nëse Albini do të bëhet kryeministër, e që nuk e besoj se do të bëhet, atëherë domosdoshmërisht do të bëhet pjesë e skemës së fleksibilitetit gjatë bisedimeve me Serbinë ose për të do të jetë si “game over” (përfundim i lojës). Sot LV-ja, përjashtuar 3-4 persona që kanë përfaqësim të denjë dhe mesatar, ka mungesë të madhe të kapacitetit debatues prandaj, Albini, si Jezu Krishti, tërë barrën po e bartë në supet e veta rrugës drejt Golgotës apo përfundimit të procesit zgjedhor. Në momentin e fundit LV-ja, në planin e përfaqësimit në debate ku kërkohet profil i lartë intelektual, u forcua dukshëm me Agim Bahtirin. Kurse disa që po flasin në emër të LV-së më mirë do të bënin të mos flasin fare dhe në këtë mënyrë do t’i bënin shërbimin më të madh LV-së dhe do ta amnistonin veten nga të kuptuarit publik se janë injorantë të papërmirësueshëm! Nuk besoj se LV-ja shkon përtej vendit të tretë dhe nëse ndodhë e kundërta, atëherë qartazi vërtetohet se jam ndër lule!

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia socialdemokrate e Katjushës: Po garon në këto zgjedhje me taksën kundër mallrave të Serbisë dhe Bosnjës të përkthyer në 100 për qind shtet. Nuk kam dyshim se do të ndahet mirë në këto zgjedhje. Mund edhe të mos pajtoheni me mua, por jam shumë i sigurt se procesin që e filluan i biri i Fahriut dhe i biri i Haxhiut për këmbim të territoreve e ka penguar dhe ndaluar pikërisht Ramush Haradinaj apo Rambo Gllogjani. Nëse asgjë tjetër nuk ka bërë gjatë këtyre katër semestrave të qeverisjes, kjo i mjafton dhe kjo e arsyeton sepse, në të kundërtën, Agim Bahtiri nuk do t’i binte çiftelisë në Mitrovicë. Ka një listë të mirë dhe të respektueshme dhe që e dallon prej partive të tjera dhe ka një përfaqësim të mirë gjinor si për nga cilësia e përfaqësimit politik, po ashtu edhe në aspektin vizual, duke ofruar ide dhe sharmë në këtë listë.

Lista Serbe: Është parti socialshoviniste e Serbisë në Kosovë e cila, përveçse përfaqëson Serbinë fashiste në Kosovë 100 për qind, gjithashtu 100 për qind i terrorizon edhe serbët e Kosovës që nuk duan të vallëzojnë sipas muzikës së Vuçiqit dhe Daçiqit. Vetëm Kosova, si shtet shumë i lodhët, do të duronte një çetnik si puna e kryetarit të Zubin Potokut, që pamëshirshëm e shkërdhen buxhetin e Kosovës e që deklaron se: “me tabelë apo pa tabelë, Zubin Potoku është territor i Serbisë…” Në vend që të arrestohet për rrezikim dhe mohim të shtetit të Kosovës, ky farë idioti shpërblehet nga Kosova me një rrogë të majme dhe përfitime të tjera që nuk i ka as ati Amfillohije. Serbët e Kosovës që e pranojnë Kosovën janë integruar në institucionet e Kosovës dhe nuk vallëzojnë sipas Beogradit e as nuk ka kush t’i mbrojë; as shteti i Kosovës nuk e bën këtë, as BE-ja e as nuk kemi votues aq të vetëdijshëm që të votojnë për ta në mënyrë që ta shkërdhejnë Listën Serbe.

Përfundim: Në mungesë të ofertës politike, Vjosa Osmani ishte në Prekaz ku Himë Gova asnjëherë nuk pranoi të shkonte sepse ishte i vogël dhe i papërfillshëm para veprës dhe sakrificës së pamatë të Komandantit Legjendar, Adem Jashari. Nuk ka gjë më të pamoralshme se kur bëni përpjekje t’i vendosni në një rrafsh Komandantin Legjendar, Adem Jasharin, komandantin e sakrificës sublime dhe komandantin e nënshtrimit, Ibrahim Rugovën.

Nuk e them se Rugova nuk e ka dashur lirinë dhe pavarësinë e Kosovës apo se ka qenë njeri i keq, por e them se, sa për Rugovën dhe Vjosën me kompani përcjellëse, në Kosovë edhe në 500 vjetët e ardhshëm nuk do të kishte luftë dhe se do të bëhej që nënshtrimi të zyrtarizohej si filozofi politike dhe shtetërore. Këtë skemë të nënshtrimit e prishën përgjithmonë ushtarët e lavdishëm të së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës, ata që kaluan nën torturë shekuj dhe shekuj burgim në llogoret e ish-Jugosllavisë, ata që mbi çdo interes partiak apo personal e kishin idealin e lirisë dhe, mbi të gjitha, arkitektët dhe zbatuesit e kësaj lirie: Hasan Prishtina, kryegjeniu i politikës kombëtare dhe Adem Demaçi, zbatues i bindur i kësaj politike sikur edhe Adem Jashari, me bashkëluftëtarë që sakrificën për liri dhe çlirim e bëri mënyrë të të jetuarit dhe të vepruarit! Nuk kam dyshime se, në rast nevoje, edhe sot do të luftonin për Kosovën Ramush Haradinaj, Kadri Veseli dhe Albin Kurti. Nga LDK-ja nuk besoj se, përveç Dritonit, Lumirit dhe Avdullahut, ndokush tjetër do të bënte luftë çlirimtare. Nga Nisma për Kosovën do të ishin vetëm dy komandantë që do të luftonin, Zafa dhe Gjet Pacolli!