Fundamenti

Fundjava “e zezë” në Shqipëri, mbyten tre fëmijë

/ 2 minuta lexim

Bulqizë/Berat – Dy të mitur u mbytën pasditen e së shtunës në një rezervuar në Martanesh, në rrethin e Bulqizës.

Ngjarja ndodhi pothuajse në të njëjtën kohë kur një tjetër i mitur humbi jetën i rrëmbyer nga ujërat e lumit Osum, pasditen e së shtunës, raporton Top Channel.

Siç lajmëruan burime policore, dy kushërinjve 11 dhe 10-vjeçar, Gj. Dhe R. Rrushi ishin duke u freskuar në rezervuarin e ndodhur pranë banesave të tyre, kur njëri prej të dyve u ndodh në vështirësi dhe edhe i dyti, në tentativë për të shpëtuar kushëririn, u fundos bashkë me të.

Pas lajmërimit të policisë, trupat e viktimave u rikuperuan prej forcave të rendit dhe vetë familjarëve.

Një i mitur është shpallur i humbur dhe dyshohet të jetë mbytur në ujrat e lumit Osum, lajmëruan burime policore gjatë së dielës.

Uji Dea

Ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës, kur 12-vjeçari Klodian Tafa, nga komuna Poshnje e Beratit u rrëmbye nga rryma ndërsa po luante me shokët e tij dhe nuk doli më në sipërfaqe.

Prindërit nisën kërkimet personalisht gjatë të gjithë të shtunës, përpara se të lajmëronin policinë të nesërmen.

Aktualisht, polumbarë janë angazhuar me kërkimet për trupin e të miturit.

Sipas të dhënave paraprake, besohet se ai është mbytur pasi ka rënë befas në thellësi, në një prej gropave artificiale të krijuara nga nxjerrja abuzive e zhavorrit.