Fundi i ndeshjes e shpëtoi Dritën
Gjilan – Shënues: Blendin Gashi 90’ – Shkëmbin Salihu 50’. Drita – Prishtina 1:1 (0:0).Një pikë të vlefshme Drita e ka nxjerrë në minutën shtesë, pas një presioni në portën mysafire, e cila nuk qëndroi në fund.
Në një pjesëlojë të parë pa raste e shumë indolente, ndeshja e ngjall në pjesën e dytë. Fillimisht kanë qenë mysafirët që kanë shënuar në minutën 50, pas një kundërzbritje të shpejtë kur Ahmeti e ka shërbyer Salihun, i cili me një veprim mashtrues ia ka dalë të shënojë, duke e dërguar topin mbi trupin e portierit Latifi. Pas këtij goli kanë pësuar rastet e shumta të Dritës.
Në minutën 74 vendasit ia dolën të shënojnë, por goli atyre iu anulua, ngase sipas gjyqtarit anësor, Ramushi ishte në pozitë jashtë loje. Në minutën 85, B. Shabani pati rast të mirë, por për pak gjuajti jashtë, derisa në minutën 88, Zhdrella qëlloi me kokë, por topi u përplas për shtylle. Një minutë më pas, B. Shabani u rrëzua në brendi e gjyqtari Hajriz Hajdari nuk dha penalti për vendas, kurse në kohën shtesë kur mysafirët ishin kthyer tërësisht në mbrojtje, pas një topi të dhënë në lartësi, më së larti u shkëput B. Shabani, që me kokë e dërgoi topin deri te Gashi, që nga afërsia me urti e futi topin në rrjetë.
Thanë pas ndeshjes:
Bekim Isufi (Drita): “E arritëm golin me vonesë, pas një presioni të madh në portën mysafire. Ne ishim më kërkues. Ishim përgatitur për fitore e në fund u desh të kënaqemi me një pikë. Gjyqtari na dëmtoi”.
Suad Keqi (Prishtina). “Ndeshja ishte e mirë. Në fund u dënuam, ngase nuk qëndruam dhe gabuam në mbrojtje, ku në fund u tërhoqëm shumë. I përgëzoj djelmoshat për këtë pikë të arritur”.
Drita – Prishtina 1:1 (0:0)
Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 1500. Arbitra: Hjadari, Berisha, Qehaja, Fejzullahu. Shënues: Gashi 90’ – Salihu 50’. Kartoni i verdhë: Hasani, B. Shabani, Berbatovci, Ramushi – Rexha.
Drita: Latifi, Rexhepi (Kelmendi), Syla, Hasani (Prekopuca), Limani, Hajdari, B. Shabani, Gashi, Zhdrella, Xh. Shabani, Berbatovci (Ramushi). Trajner: Bekim Isufi.
Prishtina: Mushica, Thaçi, Berisha, Haxhaj, Kukaj, Krasniqi, Leci, Ahmeti, Begolli (Kelemendi), Rexha (Makolli), Salihu (Kukaj). Trajner: Suad Keqi. /rajonipress/


