Eko Higjiena

Fundi i institucioneve të pavarura!

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Nga Adrian Çollaku – Nëse ndokush mendon se Qeveria e Kosovës, në krye me Hashim Thaçin, nuk ka me çka të krenohet gjatë këtyre pesë vjetëve qeverisjeje, e ka shumë gabim! Nëse jo për diçka tjetër, kjo qeveri gjatë këtyre viteve ka arritur madje të instalojë një sistem të atillë, që ndoshta do t’ia kishin lakmi shumë shtete. Normalisht, shtete si ne, shtete jodemokratike dhe të korruptuara, ta zëmë në Afrikë apo në ndonjë kontinent të pazhvilluar.

Kjo qeverisje ka arritur të instalojë sistemin e politizimit të çdo gjëje, duke filluar nga zgjedhja e mësuesve, atje në fshatrat e thella të Kosovës, përgjatë brezit kufitar me Shqipërinë e deri tek gjyqtarët e instancës më të lartë gjyqësore në vend- Gjykatës Kushtetuese.

Me zgjedhjen e anëtarit të Partisë Demokratike të Kosovës, gjegjësisht ish- ministrit të Financave, Bedri Hamzës në krye të Bankës Qendrore të Kosovës, dhe me zgjedhjen e po ashtu anëtarit tjetër të partisë, Blerim Rexhës në krye të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, është arritur kulminacioni i politizimit të gjithçkaje në këtë vend. Me një fjalë, u është dhënë fund institucioneve të pavarura.

Pavarësisht që Kushtetuta dhe ligjet në fuqi, si paku në letra, i mbrojnë institucionet e pavarura dhe agjencitë shtetërore nga ndikimi direkt i partive politike, në fakt në Kosovë ka ndodhur e kundërta. Jo vetëm në BQK e AKP, por thuajse në të gjitha institucionet autonome, si në universitete publike, nëpër inspektorate të ndryshme, nëpër borde të ndërmarrjeve publike…, partia në pushtet i ka “betonuar” militantët partiakë, duke bërë kështu që njerëzit profesionistë dhe të kualifikuar të mbesin “out”.

UBT

Tani, kur mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës është përmbyllur, dhe kur nuk e kemi më Zyrën Civile Ndërkombëtare, e cila “mentoronte” veprimet e institucioneve tona, s’ka kush t’ia ndalë më turrin fudullëkut partiak dhe veprimeve kundërligjore të sejmenëve të qeverisë në pushtet, të cilët me veprime të tilla çdo ditë e më shumë po e degradojnë vendin. E aq më pak, kjo opozitë (përjashto Lëvizjen Vetëvendosje), e cila sikur nuk po ekziston fare.

Gjithë ky turr i PDK-së për të futur në dorë çdo gjë, edhe institucionet e pavarura, jo vetëm që çdo ditë e më shumë po e vështirëson funksionimin normal të shtetit të Kosovës duke e degraduar në çdo aspekt dhe duke e larguar nga synimet për një shtet demokratik e ligjor dhe të integruar në Bashkimin Evropian, por duke lënë një shtet të rrënuar, të kapur nga politika, në të njëjtën kohë do t’ua vështirësojë shumë punën edhe atyre që do ta marrin udhëheqjen e shtetit pas qeverisjes Thaçi, atëherë kur të ndodhë, nëse ndodh ndonjëherë!

Kushdo që do ta fitojë pushtetin pas kësaj qeverisjeje, do të ketë shumë punë dhe do t’i duhen të paktën disa vjet që t’i çmontojë strukturat e instaluara dhe ta sanojë gjendjen. E tek pastaj, të mendojë si ta ndërtojë shtetin demokratik, ligjor e të zhvilluar ekonomikisht.

Por, jo pa e shkatërruar sistemin e instaluar të partiakizimit të institucioneve dhe agjencive të pavarura shtetërore.