Uji Dea

Fund për “mbretërit”

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Adrian Çollaku-Ideja e nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj, që zgjedhjet në partinë e tij, të mbahen sipas formulës 1 anëtar – 1 votë, duket shumë e qëlluar dhe e cila duhet të merret me shumë seriozitet nga të gjithë anëtarët e kryesisë së kësaj partie.

Jo vetëm partia në pushtet duhet ta “adaptojë” një ide të tillë, e cila ka për qëllim organizimin e një gare fer zgjedhore brendapartiake, dhe nga e cila domosdoshmërisht do të dalin struktura legjitime të partisë, e të cilat pastaj do të reflektonin edhe në qeverisjen e vendit, por edhe partitë tjera politike në vend duhet t’i mbajnë zgjedhjet në bazë të kësaj logjike.

E dimë shumë mirë që nga paslufta, në partitë politike në Kosovë asnjëherë nuk ka pasur një garë fer zgjedhore brendapartiake. Në të gjitha partitë, lideri ka qenë Zot. Duke filluar nga LDK-ja në kohën kur udhëhiqej nga Ibrahim Rugova, i cili bënte rokada të llojllojshme dhe e vendoste secilin ku ai dëshironte dhe për asnjë moment nuk “pengohej” nga askush, për të vazhduar të njëjtën logjikë udhëheqëse edhe në shumicën e partive tjera në vend.

Situatë e njëjtë është thuajse edhe me PDK-në, AKR-në, AAK-në… Madje, edhe më e keqe.

Pra, në të gjitha partitë thuajse gara e brendshme zgjedhore ka qenë vetëm formale.

Kryetari i partisë është rizgjedhur disa herë, dhe në shumë raste pa kundërkandidat, por edhe në ato raste kur ka pasur kundërkandidat, ai ka qenë vetëm formal dhe kinse për të treguar se sa demokratike është një parti politike. E, më pastaj kryetari i zgjedhur i partisë, vendos për gjithçka në parti.

Vendos kush duhet të jetë zëvendës i tij, kush duhet të jetë në kryesi, kush në këshill të përgjithshëm… Në këtë formë ai është fuqizuar teje mase, duke krijuar një minimbretëri në vete.

Dhe kjo logjikë e funksionimit, duke bërë që të gjithë të tjerët përreth liderit të partisë të ndjehen të pafuqishëm, dhe të ndjehen borxhli ndaj liderit, i cili i ka sjellë deri në atë nivel, ka bërë që demokracia të mos ekzistojë as si shprehje, dhe në vend të saj në parti të instalohet fenomeni i “dëgjueshmërisë”, i cili tashmë është “importuar” edhe në qeverisje.

Mobi Casa

Nëse e marrim si shembull qeverisjen e sotme në Kosovë, shohim se lideri i partisë më të madhe në vend, Hashim Thaçi ka kontroll të plotë jo vetëm ndaj anëtarëve të Qeverisë së Kosovës, si kryeministër, por edhe ndaj deputetëve dhe ndaj të gjitha institucioneve tjera.

As ministrat, as deputetët, por as anëtarët e partisë…, nuk mund të ndërmarrin asnjë veprim pa e pyetur liderin, sepse nëse nuk janë të “dëgjueshëm”, atëherë ata mund të largohen nga partia dhe automatikisht mund të mbeten edhe pa punë.

Jo vetëm në politikë, por në asnjë institucion nuk mund të futesh pastaj, ngase kjo qeveri ka kontroll të plotë në të gjithë sektorët, si në arsim, universitet, shëndetësi…

Dhe e tërë kjo gjendje, e cila i ngjason shumë komunizmit, por që dallimi i vetëm është se tani nuk të kërkohet formalisht libreza e partisë komuniste, vjen si rezultat i mungesës së demokracisë nëpër partitë politike.

Prandaj, është momenti i fundit që partitë politike ose duhet të reformohen nga brenda, duke e zhvilluar një garë fer, nga poshtë-lart, si në të gjitha partitë e vendeve perëndimore, ose në të kundërtën vendi do të zhytet edhe më shumë në këtë kaos qeverisjeje.

Nëse partitë vërtet duan të kenë demokraci të brendshme dhe duan ta integrojnë vendin drejt BE-së, duhet të fillojnë t’i bëjnë reformat, të matet forca e secilit individ në parti, përmes garës së brendshme zgjedhore fer e jo të fshihen prapa liderit dhe të përfitojnë në emër të tij.

Për këtë arsye ideja si ajo e Limajt duhet të merret seriozisht, në mënyrë që secili individ që dëshiron të hyjë në politikë, së pari duhet ta dijë peshën e tij, e jo të shtyhet me bërryla se si të jetë sa më servil para shefit…