UBT

FSK përballë sukseseve, sfidave e angazhimeve gjatë vitit 2024

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdoi të fuqizohej edhe gjatë 2024-s. Ushtria u furnizua me armatime, makineri ushtarake e municion. Teksa, prapa këtyre armatimeve, kokë-lartë qëndruan djem e vajza që u bënë shembull para shteteve më të fuqishme. Sukseset e tyre nuk patën të ndalur.

Stemat e shtetësisë së Republikës, në uniforma i mbajtën e i përfaqësuan denjësisht. E shtetësia e Kosovës e cila u ndërtua mbi themele të forta, u ruajt me krenari nga gardianët e sigurisë. Ushtria u forcua. Buxheti për mbrojte e siguri u rrit në rreth 370 milionë euro gjatë 2024-tës. Forcave ushtarake iu shtuan makineri të dizajnuara për operacione logjistike dhe taktike. Depot e armatimit u furnizuan me armë moderne e municione të këmbësorisë. Ndërsa, kongresi amerikan ia aprovoi vendit blerjen e 246 raketave “Javelin”, pjesë e sistemeve raketore që godasin caqe me drejtim automatik deri në katër kilometra.

Zhvillime të rëndësishme në fuqizimin e ushtrisë përcollën pothuajse gjithë vitin 2024-të. Në fillimvit Forcat e Sigurisë së Kosovës u nisën për në Mbretërinë e Bashkuar. Kontingjenti i ushtarëve mori pjesë në Operacionin INTERFLEX, që realizohej në koordinim me Mbretërinë e Bashkuar, në mbështetje dhe përgatitje të personelit ushtarak të Ukrainës. Ndërsa, në Kampin Dutch të shtetit IAOwA-së trupat e FSK garuan për ushtarin më të mirë për herë të parë në 7 vjet.

Nga atje, djemtë e vajzat e Kosovës dhanë shembujt më të mirë se si duhet të mbrohet sovraniteti i vendit. Qasja profesionale, demonstrimi i aftësive të larta ushtarake, e disiplina e ushtarakëve u ra në sy shteteve më të fuqishme në botë. Kontingjente të FSK-së ishin pjesëmarrëse në trajnime të ndryshme që u realizuan brenda dhe jashtë vendit. Kjo edhe përforcoi imazhin e vendit, si dhe përçoi mesazhin se Kosova po angazhohet për paqe e stabilitet ndërkombëtarë.

Hapat e këtyre ushtarëve u bënë frymëzim për shumë të rinj e të reja, të cilët ëndërr kishin të vishnin uniformat ushtarake të republikës. E ëndrra e shumë prej tyre nisi të jetësohej gjatë 2024-tës. 2024-ta vijoi edhe me zhvillime tjera të rëndësishme për ushtrinë e Kosovës. Sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit mobilizoi ekzekutivin kosovar që patrullat ushtarake t’i shtrijë përgjatë kanalit të ujit në regjionet e Obiliqit dhe Vushtrrisë.

Forcat e Sigurisë u vënë në mbrojtje të pikave kyçe të infrastrukturës kritike të Kosovës. Gardianët e sigurisë u mobilizuan për të mbrojtur sovranitetin nga çdo rrezik dhe çdo forcë armiqësore.Në përgjigje të përmbushjes së misionit të saj, Forca e Sigurisë gjatë gjithë vitit mori pjesë në aksione të ndryshme, përfshirë këtu edhe në shuarjen e zjarrit në Parkun Nacional të Prevallës. Kapacitetet operacionale të njësive të FSK-së u ngritën edhe me validimin me sukses të regjimentit të dytë të këmbësorisë në ushtrimin fushor “Ujku i Çeliktë”.

Mobi Casa

Ndërsa, disiplina e përkushtimi i ushtarakëve u vlerësua lartë. Përkundër që ushtria u fuqizua, ëndrra e ushtarakëve për anëtarësim në NATO, nuk arriti të jetësohej. Pengesë për vendin vazhdojnë të jenë shtetet mosnjohëse të pavarësisë, ndonëse presioni është shtuar.

Në fokus këtë vit ishte edhe çështja e ushqimit për ushtarët e FSK-së. Komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari i kishte dërguar një letër Ministrisë së Mbrojtjes, ku kishte ngritur shqetësime se aktivitetet e kësaj force mund të ndërpriten për shkak të mosfurnizimit me ushqim. Madje për këtë, presidentja Vjosa Osmani kishte kërkuar një raport të detajuar nga Komandanti i FSK-së, dhe kishte ftuar në takim atë dhe Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Megjithëse, nga Ministria e Mbrojtjes thanë se kanë ndërmarrë veprime dhe se shujtat ushqimore janë duke u shërbyer.

E viti 2024 u përmbyll me një lajm të mirë për ushtrinë. Kosova për herë të parë nisi procedurat për hapjen e fabrikës së municionit si dhe një laboratori për projektimin e mjeteve ajrore pa pilot. Kontrata iu besua një kompanie turke, e cila do të punojë në vënien në funksion të fabrikës e cila do të shërbejë për prodhimin e kalibrave të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s.

E njëjta do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore. Ndërsa, fuqizimi i mbrojtjes do të vazhdojë edhe në vitin 2025. Buxheti i paraparë për këtë fushë do të kap vlerën e mbi 207 milionë eurove.

Forca e Kosovës tashmë gjendet në vitin e 6 të tranzicionit gjithëpërfshirës të saj në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe kërkesat për anëtarësim në NATO./rtk

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.