UBT

FSK-ja e gatshme të bëhet ushtri

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

2014-a pritet të jetë viti kur FSK-ja duhet të shndërrohet në Ushtri të Kosovës. Ky është konstatimi i përbashkët i Qeverisë së Kosovës, opozitës dhe ekspertëve të sigurisë.

Udhëheqësit e FSK-së dhe anëtarët e komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e kësaj force e kanë vlerësuar të jashtëzakonshme performancën e FSK-së në vitin 2013.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) në vitin 2013 ka renditur sukseset e saj në përputhje me misionin që ka pasur. E arritura më e madhe për këtë forcë ka qenë plotësimi i kapaciteteve operacionale, të cilat u deklaruan nga Këshilli Veri-Atlantik i NATO-s në muajin korrik, shkruan “Epoka e Re”.

Edhe në vitin 2013 FSK-ja vazhdon të jetë institucioni më i besueshëm nga qytetarët e Republikës së Kosovës. Madje kjo forcë përbën institucionin e vetëm që i bashkon pozitën e opozitën. Të gjithë, përfshirë opozitën dhe njohësit e çështjeve të sigurisë, janë të mendimit se tani ka ardhur koha që kësaj force t’i ndryshohen emri, struktura, misioni dhe të ngarkohet me detyra që kanë të gjitha ushtritë e shteteve demokratike.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Agim Çeku, duke e vlerësuar arritje të jashtëzakonshme plotësimin e kapaciteteve, ka thënë për “Epokën e re” se tanimë kjo forcë nuk është në mbikëqyrje të KFOR-it, por në raporte partneriteti.

FIDANISHTJA

“Padyshim se edhe viti 2013 ka qenë vit i suksesshëm për FSK-në, e cila ka arritur një fazë të sukseseve edhe këtë vit. Mendoj se ngjarja e vitit sa i përket FSK-së është deklarimi i kapaciteteve të plota operacionale nga ana e NATO-s. Pra, vendimi i NATO-s, që ta vazhdojë mbështetjen e FSK-së, duke e themeluar një trup të ri të quajtur Ekipi Këshillues Ndërlidhës i NATO-s, krahas ekipit këshillues të NATO-s që është në ministri”, ka thënë Çeku.

Të arritur tjetër ai ka përmendur rolin aktiv dhe konstruktiv që kjo forcë po luan në rajon, duke u respektuar gjithnjë e më shumë nga forcat ushtarake të rajonit si partnere e denjë nëpër konferenca dhe ushtrime të ndryshme stërvitore. Sipas Çekut, në të gjitha këto aktivitete FSK-ja është dalluar për të mirë nga forcat e tjera të rajonit.

Çeku ka shtuar se FSK-ja po e përfundon rishikimin e vet në kuadër të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë dhe është në fund të përmbylljes së procesit për të definuar të ardhmen e vet si forcë ushtarake në Kosovë.

“FSK-ja është në përmbyllje të rishikimit, në përmbyllje të definimit të disa të gjeturave nga ky studim dhe në fillim të vitit 2014 do t’ia rekomandojë Qeverisë dhe Këshillit Nacional të Sigurisë se çfarë misioni duhet të ketë, çfarë emri, çfarë strukture dhe çfarë detyra. Krejt kjo do të jetë në përputhje me ato detyra që forcat ushtarake i kanë në çdo vend të pavarur dhe demokratik”, ka thënë ministri Çeku. Ai ka treguar se edhe këtë vit FSK-ja është dëshmuar se është forcë në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës, duke i ndihmuar ata në realizimin e shumë projekteve. /Telegrafi/