Uji Dea

Fshati indian ndalon dashurinë

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nju Delhi – Një botë të tërë larg rrokaqiejve dhe romancës në Bollywoodit në Mumbai (ish-Bombai), një fshat i vogël në qendër të Indisë rurale e ka ndaluar dashurinë.

Policia ka hapur hetimet për këtë vendim të çuditshëm të fshatit Asara, në veriperëndim të shtetit Uttar Pradesh, sipas të cilit “martesat nga dashuria” ndalohen me ligj për t’i mbështetur ato që aranzhohen nga prindërit. Përveç kësaj, fshati ka vendosur që femrat e moshave nën 40-vjeçare të mos dalin nëpër rrugë të pashoqëruara nga ndonjë burrë.

Duke i thelluar masat drastike, këshilli i fshatit ka ndaluar po ashtu që femrat të përdorin telefona celularë dhe kanë insistuar që ato të mbulojnë flokët në publik, gjëra këto që janë përshkruar nëpër mediet lokale si “talebanizim” i Indisë rurale.

Një anëtar i Këshillit, Sattar Ahmed tha se “martesat e dashurisë” po e dëmtojnë dhe turpërojnë shoqërinë”.

Mirëpo fjalët e tij dhe urdhrat kanë shkaktuar zemërim në një shtet që bën gjithçka që është e mundur për t’u moderuar, por ngufatet nga traditat konservatore e shoqërisë në shumë rajone të saj, në të cilat të drejtat e femrave faktikisht nuk ekzistojnë.

Ministri i Brendshëm, P. Chidambaram i dënoi urdhrat, duke thënë se ato “nuk kanë vend” në një shoqëri demokratike.

“Policia duhet të veprojë kundër çdokujt që lëshon diktate të tilla. Nëse dikush ndërmerr veprime kundër ndonjë burri apo gruaje të re bazuar në ligjet ilegale fshatare, atëherë duhet të arrestohen”, theksoi Chidambaram.

Masat menjëherë u dënuan edhe nga grupet e të drejtave njerëzore.

Sudha Sunder Raman, sekretare e përgjithshme e Asociacionit Demokratik Mbarindian të grave, tha se nocioni se gratë nën 40 vjeç kanë nevojë për mbrojtje dhe kontroll është “skajshmërisht shovinist dhe rrezikon të gjitha normat bazike”.

Eco Higjiena

Shefja e Komisionit Kombëtar të Grave, Mamta Sharma tha se vendimet e Këshillit ishin “qesharake” dhe të paaplikueshme.

Këshilli i fshatit (panchatya) nuk gëzon ndonjë kompetencë kushtetuese. Dhe nëse kompetenca nuk ka, atëherë nuk ka as nevojë që këto urdhra të respektohen”, tha ajo.

Panchatya është një grup i pazgjedhur të moshuarish, të cilët konsiderohen si arbitra shoqërorë dhe moralë në jetën e një fshati.

Edhe pse urdhrat e tyre nuk përmbajnë ndonjë peshë ligjore, mund të jenë tejet me ndikim, ndërsa janë fajësuar për një numër abuzimesh, si urdhërimin e “vrasjeve të nderit” për gratë, veprimet e të cilave janë cilësuar si tupëruese për familjet.

Muajin e kaluar, një burrë në Indinë perëndimore parakaloi nëpër gjithë fshatin me kokën e prerë të së bijës së tij, pasi e kishte vrarë atë për shkak të shqetësimeve rreth mënyrës së saj të jetesës dhe “sjelljeve të pahijshme”.

Ogad Singh ia ka prerë kokën së bijës së tij, Manju Kunwar, para se t’iu dorëzohej autoriteteve. 20-vjeçarja jetonte me prindërit e saj në fshatin Raxhastani në Dungarxhi, pasi e kishte braktisur bashkëshortin e saj dy vjet më parë. Pas ndarjes, ajo akuzohej se po shoqërohej me një burrë tjetër.

India renditet në krye të listës së agjencisë Reuters si shteti më i keq në botë për jetesën e grave.

Vendimet e fshatit vijnë në një kohë kur policia në Mumbai ka nisur masat energjike për moralin nëpër fshatra.

Gjatë javëve të fundit, policia në qytet ka bastisur një mori klubesh nate dhe kafene, duke i mbyllur ato apo gjobitur për shkak se ishin të mbipopulluara. Me dhjetëra femra janë arrestuar gjatë këtyre bastisjeve, të akuzuara për prostitucion, duke nxitur kështu protesta masive nëpër qytet.