Hidromorava

Freedom House: Kosova shënon përparim në lirinë e shtypit

/ 2 minuta lexim
ARKATANA

Organizata “Freedom House” ka publikuar të enjten, raportin e përvitshëm për lirinë e mediave në botë. Kosova, në krahasim me vitin e kaluar, ka shënuar përparim. Sivjet, ajo zë vendin e 98-të, për dallim nga viti 2013, kur ka mbajtur pozitën numër 102.

Organizata me seli në Shtetet e Bashkuara ka vlerësuar situatën e mediave në 197 vende dhe territore të botës.

Nga vendet e rajonit, Serbia mban pozitën numër 74, Mali i Zi 78, Kroacia 83, Bosnja dhe Herzegovina 103 dhe Maqedonia 122.

Sipas raportit, Evropa krenohet me nivelin më të lartë të lirisë së shprehjes në gjithë botën.

Në top-treshen e parë, si vende tërësisht të lira, radhiten Holanda, Norvegjia dhe Suedia.

Ndërkaq, vendet euro-aziatike vazhdojnë të kenë vlerësimet më të dobëta në botë – asnjëri prej tyre nuk radhitet si i lirë.

Raporti thekson se Rusia i ka mbajtur nën kontroll të fortë mediat lokale, duke bërë përpjekje të kontrollojë edhe mendimet e pavarura.

ARKATANA

Ukraina ka degraduar në kategorinë “jo të lirë”, kryesisht për shkak të sulmeve ndaj gazetarëve që kanë mbuluar protestat e Euromaidanit.

Karin Karlekar, nga Freedom House, thotë se ka pasur rritje të mprehtë të dhunës fizike ndaj gazetarëve në këtë vend.

Bjellorusia, Turkmenistani, Uzbekistani dhe Irani mbeten në mesin e vendeve me lirinë më të dobët të mediave në botë.

Karlekar thotë se mediat në këto vende mbeten shumë të kufizuara dhe se atje ka represion shtetëror kundër çdo zëri të pavarur.

Po sipas Karlekar, mjedisi mediatik në pjesën tjetër të Azisë Qendrore mbetet po ashtu i zymtë.

Në vende të konfliktit si Afganistani dhe Iraku, sfidat kryesore vazhdojnë të mbesin mungesa e sigurisë dhe kërcënimet fizike ndaj gazetarëve.

Raporti i “Freedom House” përmend raste të shumta të vrasjes së gazetarëve në të dyja vendet gjatë vitit 2013. /Telegrafi/