Frederik Reinfeldt: Ndarja e Kosovës nuk është opsion
Stockholm – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Suedi, ku po qëndron me ftesë të kryeministrit të Suedisë, u prit sot nga kryeministri i Suedisë, Frederik Reinfeldt.
Kryeministri Thaçi gjatë takimit me kryeministrin suedez, Reinfeldt e falënderoi atë për përkrahjen e Qeverisë së Suedisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti i Suedisë, njohje kjo ndër të parat, për mbështetjen e madhe në shtetndërtimin e Kosovës, si dhe për procesin e integrimit të Kosovës në BE.
“Prioriteti kryesor i Qeverisë së Republikës së Kosovës është përshpejtimi i agjendës evropiane të integrimit. Në kuadër të këtij procesi, një nga sfidat është mosnjohja e shtetit të Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së” – theksoi kryeministri Thaçi dhe shtoi se “përkrahja e Suedisë për ndryshimin e qëndrimit të këtyre shteteve ndaj realitetit të shtetit të Kosovës dhe integrimit të Kosovës në BE është jetike”- theksoi kryeministri.
“Republika e Kosovës ka bërë hapa të rëndësishëm dhe substancialë në avancimin e të drejtave të komuniteteve pakicë dhe në përfaqësimin dhe integrimin e suksesshëm të komuniteteve në të gjitha nivelet e qeverisjes”, shtoi kryeministri Thaçi.
“Një nga përkushtimet e institucioneve demokratike të Kosovës është forcimi i bashkëpunimit rajonal, si një nga kushtet kryesore për integrimin në Bashkimin Evropian. Në kuadër të këtij procesi, Kosova ka ndërtuar raporte të shkëlqyeshme me të gjitha vendet fqinje, përveç me Serbinë”,– tha Thaçi.
“Kosova është e përkushtuar që t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë përmes dialogut si dy shtete të pavarura dhe sovrane” – shtoi kryeministri Thaçi në takim.
Në takimin mes dy kryeministrave u bisedua edhe për bashkëpunimin biletaral, dhe intensifikimin e këtij bashkëpunimi në sferën ekonomike:
“Kosova ka potencial të lartë për investime direkte të jashtme, duke pasur parasysh kornizën ligjore dhe taksat e ulëta, është pjesë e tregut të gjerë CEFTA, resurset natyrore, me theks të veçantë në sektorin e minierave, energjisë, turizmit, energjisë së ripërtërishme. Prandaj, ftoj bizneset dhe investitorët potencial suedezë që të vijnë dhe investojnë në Republikën e Kosovës” – pohoi kryeministri Hashim Thaçi.
Kryeministri i Suedisë, Frederik Reinfeldt, theksoi se Suedia qëndron e përkushtuar në përkrahjen e rrugës së integrimit evropian të Kosovës dhe fqinjësisë së mirë.
Z.Reinfeldt theksoi se Kosova është shtet i pavarur, sovran, dhe ndarja nuk është opsion.
Po sot, kryeministri Thaçi takoi në Stokholm ministrin për Evropë të Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington. Kryeministri Thaçi e njoftoi ministrin britanik për Evropë me zhvillimet e fundit në Kosovë, procesin e njohjeve dhe atë të integrimit evropian.
Kryeministri e falënderoi ministrin Lidington për mbështetjen e pa kursyer dhe përkushtimin e Britanisë së Madhe karshi Kosovës dhe rajonit. Ministri Lidington konfirmoi se ky angazhim dhe ky përkushtim do të mbetet i palëkundur.
“Kosova është e gatshme për të hapur kapitullin e ri, atë të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në mekanizmat e tjerë relevant multilateral. Ne do të përmbushim çdo kriter dhe çdo detyrim “, tha kryeministri Thaçi.
“Ne duhet të punojmë bashkërisht që paqja dhe stabiliteti përfundimisht të mbizotërojnë në rajon dhe në relacionet mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Tani e tutje, ne duhet të përqendrohemi në zhvillim dhe integrim. Pavarësia nuk është e vetëmjaftueshme, ne duhet të integrohemi dhe të trajtohemi barabar me shtetet tjera“, theksoi Thaçi.
Kryeministri Thaçi gjatë takimit shprehu gatishmërinë edhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Por ky normalizim asnjëherë dhe me asnjë kusht nuk do të kalojë në kurriz të pavarësisë, integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Serbia duhet të çlirohet nga mentaliteti mesjetar dhe të kuptojë që Kosova dhe pavarësia e saj është fakt i pakthyeshëm “ tha kryeministri Thaçi në takim.