Fotomodel dhe politikan
Mërgim Gutaj është kandidat në zgjedhjet për Parlamentin e Kantonit Argau. Ai është vetëm 20 vjeç, por si politikën, ashtu edhe modelimin e ka në zemër.
20-vjeçarit nga Gjakova zgjedhjet e vitit të kaluar si kandidat për deputet nacional me Secondo@s i kishin sjellë një numër të papritur të votave, që ka qenë edhe një arsye për t’u kandiduar sërish për një vend në kantonin Argau.
Mërgimi Gutaj garon në zgjedhjet e tetorit në rrethinën e Bremgartenit të Argaus, në listën me numër 7 të Social demokratëve, në mesin e 16 kandidatëve.
“Aq më tepër kur unë i qasem si kosovar edhe një publiku tjetër dhe në këtë mënyrë mund të fitoj vota edhe në qarkun konservativ të Bremgartenit”, ka deklaruar për albinfo.ch, politikani i ri me prejardhje nga Gjakova.
Mërgimi është angazhuar politikisht prej vitit 2011 në kuadrin e SP-PS, me socialistët e rinj JUSO, ndërsa ka një vit që është aktiv në partinë e social-demokratëve, PS.
“Zemra ime rrah çdoherë në politikë”, thotë Mërgimi, duke treguar për përvojën dhe angazhimin e tij politik në Zvicër.
“Unë jam bashkëthemelues dhe kryetar i Këshillit të rinisë (Jugendsrats) në Wohlen. Po ashtu isha një kohë të shkurtë edhe zëvendëskryetar dhe arkëtar i Parlamentit të të Rinjve të Kantonit Aargau. Gjithashtu përfaqësoj Shkollën e vjetër të Kantonit Aargau në Parlamentin Evropian të të Rinjve”, tregon Mërgimi.
Por, përveç politikës, Mërgimi njihet edhe si modelist në Zvicër.
Ai është angazhuar në një agjenci në Cyrih dhe tashmë ka realizuar disa fotografi promovuese për disa kompani të njohura zvicerane, si Swisscom, Mobiliar, Geberit dhe për Postën.
“Marrja me modë më bën kënaqësi të madhe dhe është hobi im”, thotë modelisti shqiptar.
Ditët e fundit në adresë të Mërgimit kishte mbërritur një ofertë nga “Fashionweek” nga Berlini, ku shpreson të bëhet model i shumë disenjatorëve të rinj.
Por, modelimi dhe politika nuk kanë asgjë të përbashkët për Mërgimin.
“Të dyja këto janë hobi që i kam praktikuar me shumë pasion. Por, unë mendoj se asnjëra nuk përjashton tjetrën. Një politikan i cili angazhohet edhe si modelist tingëllon edhe më interesant”, mendon Gutaj.
Ndër preokupimet që ka si politikan i ri, ai dallon të drejtat e të huajve në Zvicër.
“Si njeri i lindur në Kosovë, e di se si është të rritesh në mes të dy kulturave. Unë kurrë nuk i kanë harruar rrënjët e mia, por edhe Zvicrën e kam pranuar si pjesë time. Frika ndaj kulturave të huaja më ka tronditur përsëri. Mbi të gjitha, qëndrimi ndaj Islamit, grupeve të tjera etnike dhe azilkërkuesve. Në këtë kontekst, unë mund të them vetëm se ne kemi nevojë të njihemi dhe të respektojnë njëri-tjetrin”, deklaron Mërgimi.
Politikani i ri shqiptar nga Kosova thotë se do të angazhohet për të rinjtë, ngase i di brengat e bashkëmoshatarëve e tij.
“Unë jam në dijeni se në disa vende ofertat kulturore janë të pakta dhe shumë të shtrenjta. Unë e zotëroj “Know-how”, që nuk e ka një politikan i vjetër. Dhe pikërisht për këtë arsye unë angazhohem që secili i ri ndonjëherë të kthehet vonë në shtëpi, për faktin se ata do të kenë një ofertë adekuate kulturore në regjionin ku jetojnë”, nënvizon Gutaj.
Ai mendon se shumë gjenerata që kanë jetuar një kohë të gjatë në Zvicër janë më pak të integruar, ndërsa për gjeneratat e reja thotë të jenë në rrugë të mirë.
“Por është shumë me rëndësi që gjeneratat e reja, që tani janë në radhë, pjesa më e madhe tyre janë shumë mirë të integruar. Sigurisht ka edhe njerëz që janë të lindur këtu, por që nuk janë të integruar mirë. Ai është optimist dhe thotë se brezi i ri është në rrugë të mirë”, thekson Mërgimi.
Mërgimi porosit bashkëmoshatarët e tij që të mos harrojnë nga kanë ardhur, por edhe ta pranojnë Zvicrën si atdheun e tyre të dytë.
“Unë iu them gjithmonë moshatarëve dhe kolegëve të mi shqiptarë: nuk bën t`i harroni kurrë rrënjët tuaja. Por, megjithatë ju duhet që këtu në Zvicër të gjeni atdheun tuaj dhe që Zvicrën ta akceptoni krahas Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë”, thotë Gutaj.
Motoja e Mërgimit për këto zgjedhje është: “Nuk është me rëndësi nga kam ardhur, por ku dua unë?”
Mergim Gutaj është lindur në Gerqinë, një fshat i vogël i Gjakovës në Kosovë. Babai i tij, Ismeti, kishte migruar në Zvicër në vitin 1990, ndërsa Mërgimi me nënën e tij i ishin bashkuar familjes në vitin 1994.
Aktualisht Mërgimi është në përfundim të klasës së dytë të Shkollës së mesme komerciale në Argau.
Pas kësaj planifikon të bëjë një praktikë në “PricewaterhouseCoopers”.
Pas praktikës dëshiron të studiojë në Shkollën e Lartë Profesionale në Winterthur, drejtimin “Managment and Law”, ose që rrugëve anësore të kalojë në Univesritetin e St. Gallenit.
Mërgimi nuk i përjashton as studimet jashtë vendit, suksese!