Formimi i institucioneve ende i pasigurt, analistët: Zgjidhja e ngërçit politik është interes kombëtar

Në prag të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, analistët politikë po paralajmërojnë se vendi gjendet në një situatë delikate institucionale dhe theksojnë se zgjidhja e krizës politike është interes kombëtar.
Analisti Artan Nimani ka deklaruar se pas zgjedhjeve, është e qartë se fitues është Lëvizja Vetëvendosje, e cila, siç tha ai, e ka të drejtën demokratike dhe ligjore për të formuar qeverinë e re.
Sipas Nimanit, partitë opozitare si PDK, LDK, AAK dhe Nisma nuk janë të gatshme të përfshihen në procesin e formimit të institucioneve.
“Ato po kërkojnë më shumë arsye për të mos hyrë në lojë, sesa për të qenë pjesë e saj”, tha ai.
Ai sqaroi se deri më tani nuk ka asnjë marrëveshje politike të nënshkruar apo të dakorduar mes Vetëvendosjes dhe ndonjë partie opozitare.
“As me PDK-në, as me LDK-në, as me AAK-në e as me Limajn e Nismës. Tani për tani nuk ka marrëveshje për krijimin e institucioneve… Çka ndodh sonte dhe deri nesër në ora 10:00 është çështje tjetër”, theksoi Nimani.
Nga ana tjetër, analisti Afrim Kasolli, i ftuar në RTV Dukagjini, tha se në bazë të deklarimeve zyrtare, nuk ka indikacione për ndonjë koalicion të mundshëm mes Vetëvendosjes dhe ndonjë partie tjetër.
Kasolli paralajmëroi se nëse nuk zgjidhet kryetari i Kuvendit në seancën e së martës, më 15 prill, situata institucionale mund të hyjë në bllokadë.
“Njëri nga deputetët e komuniteteve pakicë deklaroi se janë vetëm shtatë deputetë të këtyre partive që aktualisht e mbështesin procesin. Edhe me tri votat e Nismës, nuk përmbushet pragu i 61 votave të nevojshme”, shtoi ai.
Sipas tij, nëse Vetëvendosja e nominon kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe nuk arrin të marrë votat e nevojshme, atëherë situata mbetet e bllokuar, pasi “nuk ka ndonjë subjekt tjetër që mund t’i marrë asaj të drejtën për të formuar qeverinë”.
Tash për tash, e gjithë vëmendja është e përqendruar në seancën e nesërme, ku pritet të mësohet nëse Kuvendi do të konstituohet dhe nëse do të hapet rruga për formimin e institucioneve të reja.