Forca brenda nesh
Nga Mimoza (Kusari) Lila – “Ajo çfarë nuk të vret, të bën më të fortë”, thotë një thënie e vjetër. Për popujt të cilët kalojnë në trauma dhe nëpër periudha të vështira, periudha postraumatike është ajo e cila duhet të shërojë por edhe të bindë se presioni ka përfunduar dhe ndryshimi duhet të bëhet nga të gjithë gradualisht.
Nëse në një vend nuk është ushtruar demokraci, por ka pasur presion, mungesë të qarkullimit të lirë të informative dhe gjithashtu qytetarët janë ndier të përjashtuar nga procesi i vendimmarrjes, pas heqjes së atij presioni, ata duhet të binden se mund të vendosin vetë dhe do të jenë faktorë përcaktues për të ardhmen e vet. Ende më e rëndësishme se vetëm procesi vendimmarrës për problemet apo sfidat e përbashkëta, është besimi që qytetarët duhet ta kenë për ta ndryshuar vetveten dhe për të ngritur ambiciet e veta për të arritur më lart.
As edhe një bimë nuk mund të rritet nëse i zihet drita, por nëse e ka hapësirën e duhur dhe dritën e mjaftueshme, atëherë bima mund të përparojë.
Sfida kryesore është tek individi të identifikojë sa mund të ketë hapësirë për t’u rritur dhe përparuar. Nuk ka nevojë pas heqjes së barrës një individ të rrijë i kërrusur dhe i mbyllur. Duhet të ngrihet, drejtohet dhe ecë duke kërkuar hapësirën e nevojshme dhe t’i bëjë hapat e duhur.
Problemi kryesor i trashëguar nga një sistem i mbyllur, devijues në raport me ligjin dhe vlerat e mirëfillta është edhe kthimi i ndjenjës së posedimit të forcës përbrenda individit për të bërë ndryshimin e duhur. Ajo çfarë secili individ aspiron në shoqëritë demokratike, tek ne duket se është ndalur dhe ndrydhur.
Unë besoj fuqishëm se krejt varet nga forca brenda nesh, sa të sigurt do të jemi, çfarë ekonomie do të kemi, sa do të luftojmë për mjedisin tonë, sa do të kemi siguri investimesh.
Në raport me sigurinë publike dhe atë të përgjithshme, secili qytetar i Kosovës duhet të jetë një polic apo vëzhgues aktiv i situatës. Askush nuk mund ta cenojë lirinë tonë apo të na tregojë për atë se çfarë guxojmë dhe çfarë jo. Unë jam e lirë dhe askush nuk ma cenon lirinë time. Ata të cilët e kanë lirinë e cenuar, duhet ta dinë se është gabim dhe askush nuk e posedon këtë të drejtë. Shteti jemi ne dhe do të mund të kemi një ambient më të mirë, vetëm nëse besojmë në të.
Vendet e zhvilluara nuk janë në asnjë mënyrë të tilla pse dikush tjetër i zhvilloi, por pse vetë ishin njerëzit që e deshën zhvillimin. Nuk janë më të pastra vendet e tjera pse dikush tjetër i pastron, por pse ekziston sistemi i pastrimit, i kontrollimit dhe i vullnetit të qytetarëve për të pastruar. Aksioni i fundit i pastrimit ka qenë aksioni i cili tregoi vullneti dhe planin tonë, por vazhdimi i hedhjes së menjëhershme tregon se na duhet të forcojmë sistemin e kontrollit dhe sanksionimit për të gjithë ata të cilët duan disiplinë të shtuar për të kuptuar se ne vetë jemi përgjegjës për ambientin tonë dhe nuk është vetëm shtëpia e jona, por edhe lagjja, qyteti apo fshati.
Në esencë, jemi ne dhe forca Brenda nesh ajo e cila na ndryshon jetën apo na lë në gjendjen e tanishme. Askush dhe asgjë nga jashtë nuk e bën ndryshimin për ne, nëse nuk e besoni, ejani ta vërtetojmë së bashku.
(Autorja është kryetare e Gjakovës dhe zv/presidente e AKR-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)


