RCCOLA

“Food Festival”: Gatimi shqiptar, në mesin e 29 vendeve të botës

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Të shtunën janë ofruar ushqime tradicionale të 29-të vendeve të botës në Opfikon-Glattbgrugg të Cyrihut, në mesin e tyre edhe ato shqiptare

Festivali i ushqimeve „Food Festival” në Opfikon-Glattbgrugg të Cyrihut ka mbledhur së bashku qytetarë të nacionaliteteve nga e tërë bota në një festival me ushqime të këndshme dhe plot larmi shijesh.
Edhe kultura dhe specialitetet e kuzhinës tradicionale shqiptare janë prezantuar për herë të dytë nga shoqata kulturore shqiptare „Glatt-Alb“ në këtë festival ushqimesh, që e organizon kryetari i qytetit Opfikon-Glattbgrugg të Cyrihut.

Qëllimi i festivalit ishte prezantimi i kulturave dhe i kuzhinave të të gjitha nacionaliteteve që jetojnë në këto rrethe.
Kuzhina shqiptare si: flija, mantia, speca të mbushur dhe tatlia janë vlerësuar edhe në këtë festival.

Kryetari i shoqatës „Glatt-Alb“, Avni Mehmeti, tha se po vazhdojmë me traditën për të treguar kulturën tonë në Zvicër, ngase në këtë mënyrë edhe po tregojmë se jemi të integruar, por edhe interesin për të qenë afër aktiviteteve që organizohen nga institucionet zvicerane.

Stenda ku ofroheshin specialitete shqiptare ishte e stolisur me flamuj kombëtarë dhe antikuitete nga kultura shqiptare.

Për mungesën e simboleve të shtetit të Kosovës, kryetari i „Glatt-Alb“ thotë se shoqata që udhëheq ai përfshin të gjithë shqiptarët e të gjitha vendeve të prejardhjes: Kosovë, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës.
„Identifikohemi të gjithë me një flamur dhe me një komb, për këtë qëllim ne kemi prezantuar ushqime edhe nga Kosova dhe Shqipëria“, tha Mehmeti.

Albi Rexha kishte ardhur nga Gjermania për të shijuar ushqimet që servoheshin në këtë festival. Ai tha që nuk ka parë një organizim të tillë në Gjermani.

Edhe Hasan Rexha me prejardhje nga Prizreni ka inkurajuar aktivistët e shoqatës „Glatt-Alb“ për prezantimin e sofrës shqiptare në këtë festival.

Fundamenti

„Më befason guximi i tyre për të qenë pjesë e një organizimi të tillë, ngase për të prezantuar traditën dhe kulturën shqiptare duhet të sakrifikohet interesi individual krahas atij kombëtar“, tha Rexha.

„Glatt-Alb“, shembull për shoqatat e tjera të të huajve në Opfikon-Glatbgrugg

Numri një i qytetit Opfikon-Glatbgrugg, Paul Remund, tha për albinfo se në qytetin e tij jetojnë nacionalitete nga e tërë bota dhe pikërisht për këtë kishte mbledhur bashkë të gjithë në një festival të ushqimit.
„Nëpërmjet ushqimit bashkohen njerëzit e kulturave të ndryshme. Me ushqimet e tyre nga e tëra bota ata realizojnë kontaktin mes tyre», tha kryetari Remund.

Ai ka lavdëruar edhe shoqatën shqiptare „Glatt-Alb“, e cila, sipas tij, është aktive dhe merr pjesë gjithkund nëpër aktivitetet që i organizon komuna dhe duhet të merret si shembull edhe nga të huajt e tjerë që jetojnë në Opfikon-Glatbgrugg me rrethinë.

Shoqata shqiptare „Glatt-Alb“ të hyrat e këtij aktiviteti ia ka dedikuar vitin e kaluar librit shqip në bibliotekën e qytetit, ndërsa sivjet 1 frangë nga çdo porcion i shitur do të shkojë për një aksion humanitar të titulluar «Jeder Rappen zählt» që e organizon Radio Televizioni Zviceran SRF, ndërsa të tjerat do të dedikohen për organizime kulturore të ndryshme të shoqatës.

Vitin e ardhshëm shoqata shqiptare „Glatt-Alb“ do të sjellë ndryshime në festival nëpërmjet vallëzimit dhe folklorit shqiptar.

Shoqata kulturore shqiptare „Glatt-Alb“ është themeluar para tre vjetësh, ndërsa synon organizimin e komunitetit shqiptar në Glattbrugg.

Përveç pjesëmarrjes në „Food Festival“, janë edhe disa aktivitete të tjera që i ka realizuar deri tani shoqata kulturore shqiptare “Glatt-Alb“ në Opfikon-Glatbgrugg të Cyrihut./albinfo/