“Folk Flaka”, begati e “Flakës së Janarit 2013”

Gjilan – Manifestimi tradicional kulturor “Flaka e Janarit 2013”, të martën mbrëma ka vazhduar me “Folk Flakën”, që këtë vit është risi e këtij manifestimi, ku me një koncert të muzikës folklorike, publikut gjilanas tri ansamble gjilanase, prezantuan pjesë të folklorit, këngë dhe valleve brimore shqiptare.
Këtë vit manifestimi kulturor, “Flaka e Janarit”, i cili për ditë të tëra mbledh në Gjilan artistë e artdashës nga të gjitha trevat shqiptare, organizohet nën patronatin e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili edhe pritet të jetë prezent në Akademinë e Flakës.
Para publikut gjilanas i cili kishte mbushur sallën e teatrit me programe artistike u prezantuan Ansambli “Gurra”, Ansambli “Albafolk” dhe Ansambli “Gjilani”.
Ansambli “Gurra” nga Gjilani e ka hapur mbrëmjen e shoqërive në “Flakën e Janarit “, me një program të pasur kulturo artistik i cili edhe është pritur mirë nga publiku.
Këngët me motivet e lirisë, këngët e motiveve të Karadakut, homazh për dëshmorët e lirisë i shoqëruar me skena artistike e përmbajtësore janë mirëpritur mirë nga publiku gjilanas, derisa për tërë këtë syzhe artistike janë përkujdesur Florim Gagica udhëheqës artistik dhe Shaban Shabani koreograf.
Ansambli “Albafolk”, u prezantua me pesë pika të ndryshme, dy këngë dhe tri valle të ndryshme nga trevat shqiptare dhe Ansambli “Gjilani”, para publikut u paraqit me pesë pika, këngë dhe valle.
Publiku i shumtë në sallë, ka mirëpritur koncertin e muzikës folklorike, ku u prezantuan ansamblet gjilanase
Manifestimi më i madh kulturor me të cilin identifikohet Komuna e Gjilanit, “Flaka e Janarit”, vazhdon me Akademinë e Flakës e cila do të pasohet nga një koncert i muzikës serioze, Penelin e Flakës, që në fakt është Ekspozita e arteve pamore me karakter garues, pastaj për pesë net radhë do të mbahet Festivalin e Dramës Shqipe – Talia e Flakës, ku do të prezantohen pesë teatro nga trojet, shqiptare, do të mbahet “Pena e Flakës”, kur do të bëhet shpallja e rezultateve të konkursit letrar për poezi dhe prozë dhe do të mbahet Ora e madhe letrare, ndërkohë që manifestimin “Flaka e Janarit 2013”, më 25 janar do ta mbyll mbrëmja e muzikës popullore e njohur tashmë si “Fest Flaka”.
Akademia e “Flakës së Janarit 2013” do të mbahet më 19 janar në ora 16:00 në sallën e Teatrit të Gjilanit, ku do të marrë pjesë edhe kryeministri i vendit Hashim Thaçi./rajonipress/