Fundamenti

Foli Jahjaga: S’luaj nga Presidenca

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, më në fund, ka folur rreth vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese e cila shpalli antikushtetues mënyrën se si një komision parlamentar parashihte shkurtimin e mandatit të saj.

Jahjaga, ndryshe nga tre muaj më parë, kur pat përmend mundësinë e dorëheqjes së saj për ta respektuar marrëveshjen mes tre liderëve, tash thotë se do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e që i bie se do të mbetet në Presidencë deri në vitin 2016.

Duhet thënë se edhe pse deklarata e Jahjagës vjen me vonesë, ajo është mjaftë e paqartë gjuhësisht dhe ambiguoze.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë vendim për kushtetutshmërinë e propozimeve të amendamenteve në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Është ky vendim përfundimtar në këtë çështje i autoritetit më të lartë kompetent e të pavarur të vendit, të cilin unë si Presidente, me mandat që të mbroj ligjin dhe Kushtetutën, ashtu si edhe të gjithë qytetarët e vendit, jam e obliguar ta zbatoj”, thuhet në deklaratë.

UBT

“Në një kohë, kur më është kërkuar ta marrë mandatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, unë me përkushtim dhe përgjegjësi e kam pranuar këtë detyrë. Duke mos qenë pjesë e marrëveshjes politike, por rezultat i saj, zgjedhja ime me votimin në Kuvendin e Republikës se Kosovës, me të cilën zgjedhje u kapërcye kriza, u bë në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën”, vazhdon komunikata.

Vendimi i Gjykatës, sipas Presidentes, i jep përkrahje të plotë aspekteve të marrëveshjes së prillit të vitit të kaluar, të cilat thotë se do t’i zbatojë.

“Ashtu siç kanë dëshmuar konsultimet e Kuvendit të Kosovës, ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës e gëzojnë mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe ne si liderë të zgjedhur në mënyrë demokratike jemi të obliguar ta dëgjojmë zërin e qytetarëve tanë. Duke pasur këtë parasysh, inkurajoj të gjitha partitë të përfaqësuara në Kuvend të jetësojnë reformat e aprovuara nga Gjykata Kushtetuese.

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës pret ta lexojë në tërësi vendimin e Gjykatës Kushtetuese posa të bëhet publik”, përfundon deklarata e Presidentes Jahjaga.(express)