Foda vlerëson repartin ofensiv të Kosovës: Kemi cilësi dhe shumë alternativa në sulm
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, është shprehur i kënaqur me formën aktuale të futbollistëve të repartit ofensiv, duke theksuar se paraqitjet e tyre në klube i japin përfaqësueses më shumë alternativa për ndeshjet e ardhshme.
Në konferencën për shtyp, trajneri gjerman veçoi formën e Vedat Muriqit, Edon Zhegrovës, Dilon Zabërgjës dhe Ermal Krasniqit, ndërsa foli edhe për rikthimin gradual të Fisnik Asllanit.
“Jam i kënaqur me gjendjen momentale të lojtarëve sulmues. Vedati është shumë i gëzuar për golat në ndeshjen e fundit. Edhe Zhegrova është i kënaqur me paraqitjet e fundit. Zabërgja ka luajtur mirë, Ermal Krasniqi po ashtu”, deklaroi Foda.
“Kemi shumë opsione në sulm”
Përzgjedhësi theksoi se konkurrenca në repartin ofensiv është një element pozitiv për Kosovën, sidomos në prag të ndeshjeve të Ligës së Kombeve.
“Kemi një repart ofensiv shumë të mirë dhe shumë opsione. Asllani është në fazën e rikthimit. Tani është shumë e rëndësishme që kemi alternativa të mjaftueshme”, u shpreh ai.
Foda nënvizoi gjithashtu se paraqitjet në nivel klubesh kanë qenë një prej faktorëve kryesorë në përzgjedhjen e futbollistëve, por kujtoi se ndeshjet me përfaqësuesen kanë kërkesa të veçanta.
“Të luash për Kombëtaren dallon pak nga loja në klub. Pasi kanë luajtur mirë në skuadrat e tyre, edhe i kam ftuar”, përfundoi Foda. /GazetaExpress/


