Fundamenti

Fizibiliteti i dialogut

/ 6 minuta lexim
FITORJA

Nga Albin Kurti- Studimi i fizibilitetit për një marrëveshje të Stabilizimit dhe Asocimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës i referohet Kosovës me fusnotë. Ky studim i Komisionit Evropian i publikuar më 10 tetor të këtij viti njëmend e trajton Kosovën si një entitet i veçantë dhe kjo është një gjë e mirë.

Në dy vitet e fundit jemi mësuar që Brukseli të mos mundet të na mendojë se lëre më të na trajtojë pa e konsideruar edhe Serbinë. Çdo herë në secilën fjali e gati për gjithçka, Kosova figuronte së bashku me Serbinë. Kështu, në përfytyrimin kolektiv të zyrtarëve të Brukselit Kosova gjithnjë përcillej nga Serbia.

Prandaj, raporti i studimit të fizibilitetit, duke e parë Kosovën ndaras prej Serbisë, si një entitet të posaçëm, ndonëse duke mos e njohur atë si shtet të pavarur, paraqet një hap në drejtimin e duhur. Mirëpo, BE-ja jo vetëm që nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur por e njeh atë edhe me fusnotën famëkeqe e sipas saj. Pranimi i fusnotës nga Qeveria e Kosovës nuk është një koncesion ndaj Serbisë që do të përdoret vetëm kundrejt Serbisë por edhe karshi instancave ndërkombëtare që nuk na njohin si puna e BE-së.

Ulja e kokës së qeveritarëve kosovarë para Serbisë me 24 shkurt 2012 atëherë kur u pranua fusnota që na e hoqi fjalën Republikë nga emri i shtetit dhe na e kontestoi shtetësinë, u shndërrua në zhvlerësim të shtetit tonë edhe ndaj të tjerëve që nuk na e njohin pavarësinë. Kjo do të thotë që lëshimet pe ndaj Serbisë nuk mund t’i lokalizosh vetëm në raport me Serbinë.

Për këtë studim të shkurtër do të mund të flitej gjatë. Porse më e rëndësishmja është konteksti që e krijon raporti i studimit të fizibilitetit në prag të dialogut të paralajmëruar politik me Serbinë për veriun e Kosovës. Pas Hyrjes, Metodologjisë dhe Aspekteve Legale, ky studim merret me ‘Aspektet që lidhen me veriun e Kosovës’. Disi tepër herët, ende pa u marrur përmbajtësisht me Kosovën si një dhe të tërë, studimi e trajton veriun e Kosovës ku etablohen disa pikëpamje mjaft problematike.

Në paragrafin e parë përkufizohet veriu i Kosovës si një hapsirë që përfshin komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe një pjesë të komunës së Mitrovicës në veri të lumit Ibër me ç’rast thuhet se kjo hapsitë është e banuar me shumicë serbe. Përkufizimi i këtillë askund nuk pasohet me përmendjen e dhunës, krimeve dhe kriminalitetit të organizuar në paragrafin e dytë dhe të tretë.

FIDANISHTJA

Nuk tregohet historia e ndarjes së qytetit të Mitrovicës kurse strukturat e Serbisë nuk quhen as jolegjitime, as të paligjshme, as kriminale dhe bile as të dhunshme, ndonëse ato kanë kryer edhe akte terroriste sikur atëherë kur e vranë Selver Haradinajn dhe plagosën e lënduan anëtarët e famuljes së tij përmes eksplozivit të sofistikuar plastik. Më tutje, thuhet që ‘Veriu i Kosovës përballet me një situatë të vështirë ekonomike’ dhe përmenden minierat e Trepçës si potencial me burime natyrore që kanë mbetur kryesisht të pazhvilluara. Situata ekonomike në veri nuk është më e vështirë sesa në pjesën tjetër të Kosovës.

Në përgjithësi, standardi i jetesës së serbëve në veri është shumë më i lartë sesa i shqiptarëve në veri dhe shqiptarëve në jug të lumit Ibër. Dhe, nuk është aspak korrekte që Trepça të trajtohet vetëm te ky nënkapitulli ‘Aspektet që lidhen me veriun e Kosovës’. Në fund, vetëm te fjalia e parafundit, përmendet dhuna në veri teksa thuhet që ‘Situata aktuale me shpërthimet e dhunës dhe tensionet që ngriten shpesh nuk është e qëndrueshme’. Pra, pa u thënë fare se kush në të vërtetë e shkakton këtë dhunë, thua se ajo vjen si një fatkeqësi natyrore!

Nënkapitulli tjetër në vijim emërtohet ‘Dialogu Beograd/Prishtinë’, që do të thotë se pas çështjes së veriut të Kosovës sërish nuk flitet për Kosovën por për dialogun me Serbinë i cili pasohet nga kapitulli i dytë “Marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës” me nënkapitujt përbërës siç janë ‘Prania e BE-së në Kosovë’ dhe ‘Kosova në kontekstin rajonal’. Vetëm në kapitullin e tretë Kosova nis e trajtohet në vetvete me çështjet e problemet e brendshme të saj. Pra, Kosova-në-vete dhe Kosova-për-vete është e rëndësisë së dorës së tretë. Sepse paraprakisht kemi veriun e Kosovës dhe Kosovën-për-të-tjerët.

Përveçqë dialogu nuk quhet Kosovë/Serbi por Beograd/Prishtinë, është e qartë se edhe në studimin e fizibilitetit që i dedikohet Kosovës, Beogradi përmendet para Prishtinës. Në veçanti kemi një moment fort problematik qysh në fillim aty. Fjalia e parë thotë se ‘Situata në veri të Kosovës mbetet një sfidë për Kosovën, Serbinë, rajonin e Ballkanit perëndimor dhe bashkësinë ndërkombëtare’. Pra, veriu i Kosovës konsiderohet si sfidë njësoj për Kosovën e për Serbinë pa u thënë aspak që vetë Serbia është ajo që e ka shkaktuar dhe e mirëmban problemin e veriut të Kosovës! Me këtë qasje praktikisht shfajësohet Serbia dhe gjithsesi inkurajohet ajo për ofensivë në dialogun e ardhshëm.

Kushdo që të jetë ndërmjetësi nga Brukseli për dialogun politik, po u bazua në këtë raport të studimit të fizibilitetit për Kosovën, prej fillimit s’do të mund ta ketë as minimumin e neutralitetit.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.