Uji Dea

Fizibiliteti dhe vendnumërimi në Raportin e Progresit

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Lutfi Haziri- Edhe këtë vit në Raportin e Progresit, institucionet e Republikës së Kosovës do të kritikohen në fushën e sundimit të ligjit. Ngecja në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupcionit gjithësesi shënon trende negative, derisa kritika të pritshme do të ketë edhe në fushën e lirisë së mediave

Studimi i Fizibilitetit për Kosovën është shumë i rëndësishëm, edhe për faktin se këtë raport e kemi pritur tash disa vjet, në mënyrë që të shohim se sa jemi të gatshëm dhe sa realisht kemi ndërtuar kapacitete për të filluar negociimin. Është po aq e rëndësishme të theksojmë se Kosova ka kapacitete që mund ta zbatojë me sukses Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, sepse pikërisht këtë çështje do ta trajtoj në këtë shkrim.

Po aq i rëndësishëm do të jetë edhe vendimi i Këshillit për nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë me Kosovën për programet komunitare. Kjo marrëveshje, mund të jetë precedent për nënshkrimin e MSA-së me Kosovën. Në këtë pikë, nuk guxojmë që të kemi besim të tepruar, kur të kihet parasysh fakti se disponimi i shteve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, nuk është në favor të Kosovës dhe pikërisht për këtë, angazhimi ynë në disa fusha duhet të shtohet edhe më shumë.

Si vitin e fundit ashtu edhe më herët, në institucionet e Republikës së Kosovës është dashur të ndodhin një varg reformash të brendshme. Reformat, megjithatë kanë lëvizur për së mbari, por ende kemi probleme me zbatimin e legjislacionit, pastaj me kompetencat e ministrive, me ushtrimin e përgjegjësive, por edhe me kapacitetet dhe koordinimin e administratës shtetërore, për të udhëhequr procesin e negociimit dhe zbatimit të MSA-së. Edhe sikur të kemi vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian për Kosovën, do të jetë vështirë të mendohet nënshkrimi i ndonjë marrëveshjeje kontraktuale, derisa kemi ndarje në Union sa i përket “pikëpyetjes” se Kosova është shtet apo jo.

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit të BE-së me Kosovën, është hap i rëndësishëm përpara i Kosovës në raport me BE-në. Këshilli i Ministrave të BE-së është duke përgatitur një opinion për shtetet anëtare, në të cilin po shqyrtohen mundësitë për vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me palën kosovare, derisa ka ende ndasi mes pesë vendeve anëtare që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Dhe, pikërisht këtu është duke u parë një kokëfortësi veçanërisht te Spanja dhe Rumania, por edhe lehtësim të pozitës nga Sllovakia dhe Greqia. Të rikujtojmë se Qiproja si kryesuese e takimeve në COWEB është duke mbajtur qëndrim të moderuar, derisa përballë e ka Spanjën dhe Rumaninë, të cilat janë duke bllokuar çdo gjë në raport me Kosovën. Dokumenti në fjalë, vlerësohet të jetë i rëndësishëm në ndryshimin e qëndrimit të pesë shteteve evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën dhe takimi i radhës pritet të jetë në mes të muajit tetor të këtij viti.

Eco Higjiena

2.

Sa i përket disa segmenteve ku është shënuar progres, vlenë të theksohet se janë edhe disa çështje vendimtare që përkojnë drejtpëdrejtë në përmbajtjen e Studimit të Fizibilitetit. Në raportet e deritashme të progresit dhe në mesin e kritikave më të mëdha për institucionet kosovare, janë radhitur një varg çështjesh që kanë të bëjnë kryekëput me mungesën e sundimit të ligjit, pastaj me korrupsionin dhe krimin e organizuar, përfshirë këtu në masë të theksuar edhe politizimin e sistemit të drejtësisë dhe reformat në fushën e gjyqësorit. Të njëjtat ngecje, të cilat jemi duke i parë me shqetësim të madh dhe që janë duke na u përsëritur në kontinuitet, do të na përsëriten edhe në studimin e fizibilitetit, i cili për nga natyra ka një format tjetër. Është i pritshëm vlerësimi i reformave të administratës nga këndi i gadishmërisë për të nënshkruar dhe për të zbatuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Fatkeqësisht vlerësimet jopozitive janë të pritshme si ato të vitit të kaluar dhe në këto segmente janë të pritshme edhe kritikat me tone të theksuara.

Edhe këtë vit në Raportin e Progresit, institucionet e Republikës së Kosovës do të kritikohen në fushën e sundimit të ligjit. Do të ketë po ashtu përsëritje të ngecjeve që kanë të bëjnë kryekëput me reformat në fushën e gjyqësorit, por edhe në atë të legjislacionit, që është kompletuar fare pak, derisa nuk janë arritur rezultate te pritura në menaxhimin dhe performacën e gjyqësorit.

Kritika të pritshme do të ketë edhe në fushën e lirisë së mediave. Jemi dëshmitarë që gjatë vitit të kaluar ka patur jo pak raste kur gazetarët janë penguar në kryerjen e punëve dhe aktiviteteve të tyre. Po ashtu kritika të theksuara do të kemi edhe për kalimin e shpejtë të ligjeve, si dhe për mungesën e analizave të tyre, por edhe mungesën e konsiderueshme të debatit publik për përgatitjen dhe shkrimin e ligjeve. Mungesa e performancës së avancuar të institucioneve të Republikës së Kosovës sa i përket Raportit të Progresit për këtë vit, përfshirë këtu edhe të gjitha vendet e rajonit që janë në ngecje, nuk janë shenjë e mirë për ne. Ngecja në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupcionit, gjithësesi shënon trende negative, aq më tepër kur të kihet parasysh ngritja e imazhit të Republikës së Kosovës karshi shteteve të BE-së, por edhe të atyre që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.

Autori është kryetar i Komisionit për Integrime Evropiane dhe deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës