Fituesit s’arrijnë të qeverisin, humbësit bllokojnë, populli paguan çmimin

Nga Arif Ejupi – Parlamenti i Republikës së Kosovës po kalon një periudhë të përçudnuar e të rëndë politike. Në vend të pjekurisë dhe përfaqësimit dinjitoz, çdo ditë nga sallat e tij shohim sjellje primitive dhe sabotuese.
Foltorja e Kuvendit është shndërruar në arenë hakmarrjesh dhe blofesh, jo në institucion përfaqësues të vullnetit të qytetarëve të Kosovës.
Prej javësh jemi dëshmitarë të një krize të sajuar, me qëllim të pastër obstruktiv.
Përçarja politike nuk ndodh për çështje madhore strategjike, por për inate, ego dhe përpjekje për të refuzuar çdo emër që vjen nga partia fituese.
Rasti më i freskët është ai i kandidaturës së zonjës Albulena Haxhiu, për Kryetare të Kuvendit, një grua me përvojë, ministre e Drejtësisë për tri vite me radhë.
Mund të mos pajtohemi me bindjet e saj politike, por nuk mund të mohojmë përpjekjet për ta vendosur gjyqësorin e dështuar të Kosovës në binarët e duhur.
Opozita refuzon emrin e saj vetëm pse ajo vjen nga rivalja e saj Lëvizja Vetëvendosje.
Pa asnjë analizë, pa asnjë kundërpropozim, pa asnjë arsyetim, thjesht për të krijuar anarki institucionale.
Ky është kulmi i hipokrizisë. Deputetët që deri dje thërrisnin për përfaqësimin e grave dhe flisnin për barazi gjinore dhe profesionalizëm, sot sillen si bllokues ordinerë, vetëm pse emri nuk është në “listën e tyre të preferuar”.
Por, edhe vetë fituesi i këtyre zgjedhjeve, z. Albin Kurti, duhet ta kuptojë se fitorja numerike nuk mjafton në pluralizëm.
Ai edhe pse ka marrë shumicën e votave, nuk po arrin të formojë qeverinë e re dhe as të konstituojë Kuvendin.
Në demokraci, institucionet nuk ndërtohen me zemërim e inat, por me dialog e bashkëpunim të mirëfilltë edhe me kundërshtarët politikë.
Dihet se koalicionet me të korruptuar e abuzues nuk janë të dëshirueshme, por ndonjëherë shihen si të pashmangshme për ta mbajtur shtetin funksional.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm se kompromiset e pamenduara dëmtojnë moralin politik dhe thellojnë zhgënjimin qytetar.
Edhe më keq: e bëjnë qytetarin të ndiejë se s’ka më dallim mes partive, por vetëm rotacion interesash.
Fatkeqësisht, nga kjo krizë e thellë institucionale nuk pësojnë deputetët, por qytetarët.
Deputetët kanë rroga të garantuara, mëditje dhe privilegje që u mundësojnë jetë luksoze edhe kur vendi është pa institucione.
Ata gëzojnë automjete zyrtare, trajtime shëndetësore jashtë vendit dhe mbështetjen e një sistemi të fshehtë, të ndërtuar me makinacione dhe prapaskena.
Qytetarët, ndërkohë, e paguajnë krizën me mungesë reformash, ngecje në shëndetësi, inflacion, emigrim dhe humbje shprese.
Gjatë fushatës zgjedhore të shkurtit të këtij viti, u krijua zhurmë e paparë me premtime boshe për një votë më shumë.
Sot, luftohet me të gjitha mjetet për një emër më pak dhe një hakmarrje më shumë.
Kuvendi i Kosovës mund të reformohet vetëm atëherë kur qytetari ndëshkon pabesinë dhe shpërblen përgjegjshmërinë.
Deri atëherë, foltorja do të mbetet vetëm jehonë e turpit, e jo zë i popullit.