Fitore që Gjilanin e mbanë në kreun e tabelës

Gjilan – Gjilani ka shënuar një fitore të vlefshme që e mbanë në kreun e tabelës edhe pse ekipi vendas ka pësuar gol shumë herët. Shikuesit ende nuk kishin zënë vendet e tyre kur në minutën e pestë Daku dridhi shtyllën e portierit vendas Ajdini, kurse nga gjuajtja nga këndi që e dha Jusufi, më së larti u shkëput Murlaku, i cili me kokë e dërgoi topin në rrjetë. Shënues: Jashari 45’, Blakçori 80’ – Merlaku 6’. Gjilani – Dukagjini 2:1 (0:1).
Gjilani është munduar shumë për t’a barazuar rezultatin, por këtë e ka arritur vetëm në minutën e fundit të pjesës së parë, kur pasi është shërbyer nga Kastrati, Jashari me një veprim mashtrues i është shmangur mbrojtjes mysafire dhe me urti, mbi trupin e portierit e ka futur topin në rrjetë.
Në pjesën e dytë, zëvendësuesi Ferati, dy herë pati rast të mirë, por në herën e parë gjuajtjen e tij e prit portieri mysafir e në gjuajtjen e dytë gjuajti dobët mbi portë.
Momenti vendimtar i ndeshjes ishte minuta e 80, kur mbrojtja mysafire pati një gabim trashanik, kurse Blakçori u përvodh dhe me gjuajtje të fortë për tokë e qëlloi këndin e poshtëm të portës mysafire.
Thanë pas ndeshjes:
Musa Selimi (Gjilani). “Ka dy herë radhazi që po na ndodh të pësojmë gol në fillim të ndeshjes. Në repartin e mbrojtjes po çalon diçka dhe këtë duhet përmirësuar. Ne po arrijmë të kthehemi që tregon se ekipi ka vendosmëri. Kjo fitore na mbanë në krye dhe forca e jonë do të shihet në ballafaqim me Lirinë në Prizren”.
Idriz Elezaj (Dukagjini): “Referat na sakatuan. Luajtëm mirë, dhamë gol, patëm raste, por referat e ndërprerin lojën pa nevojë”.
Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 400. Gjyqtarë: Kastrati, Rrahmani, Kume. Shënues: Jashari 45’, Blakçori 80’ – Merlaku 6’. Kartoni i verdhë: Ferati – Berisha, Haliti.
Gjilani: Ajdini, Hyseni, Kastrati, Emini (Ferati), Beqiri, Mustafa (Kosumi), Shaqiri, Morina, Sermaxhaj (Maliqi), Jashari, Blakçori. Trajner: Musa Selimi.
Dukagjini: Haxhiaj, Zallaj, Kabashi, Merlaku, Elezaj (Palushaj), Jusufi, Krasniqi, Berisha, Dakaj (Gashi), Bacaliu, Haliti. Trajner: Idriz Elezaj./rajonipress/