Fitore e merituar e Gjilanit

Gjilan – Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 100.Shënues: Bajraliu ’18 (pen). Gjyqtarë: Jahmurati, Rrahmani, Cenaj. Kartoni i verdhë: Hyseni, Uka, Hajdini(Gjilani) – Ademaj, Kastrati (Istogu). Gjilani – Istogu 1:0 (1:0).
Gjilani: Ajdini, Uka, Syla, Kastrati, Arifi, Hyseni, Bajraliu, Zeqiri, (Hasani) Hajdini (Rexhepi), Murseli (Beqiri) Ferati. Trajner: Sallah Sherifi
Istogu: Hoxhaj. Ademaj, Krasniqi, Dervishaj, Maxharraj, Kastrati, Bajramaj, Jahaj, Bajraktari, Dreshaj, Bajra (Kryeziu)
Futbollistët e Gjilanit në ndeshjen kundër Istogut kanë shënuar fitore të merituar dhe tash me këto tri pikë të fituara kanë hapëruar kah mesi i tabelës dhe përfundimin e garave do ta presin të qetë. Mysafirët në anën tjetër gjatë 90 minutave asnjëherë nuk arritën të rrezikojnë portën e Ajdinit, gjë që ishte e pakuptimit në fund të ndeshjes se gjyqtari Jahmurati sipas trajnerit të Istogut ka ndikuar në lojë.
Që në minutën e 11, vendasit kanë mundur lehtë të shënojnë golin e parë, pasi Murseli ka dal në pozitë ballore, ka gjuajtur fuqishëm, por portieri Hoxhaj intervenon bukur. Tre minuta më vonë, Bajraliu bukur ka shërbyer sulmuesin Hajdini, i cili del i vetmuar para portierit mysafirë, dëshiron të parabolloj atë, por nuk ishte precizë duke gjuajtur mbi portë.
Në minutën e 18, vendasit kanë arritur të shënojnë përmes goditjes më të rëndë në futboll, nga pika e penalltisë, pasi Hajdini ishte i vetmuar brenda 16 metërshit, Ademaj e ndal në mënyrë të palejuar, ndërsa nga pika e bardhë Bajraliu ishte i pagabueshëm.
Në 45 minutat e parë Gjilani ka mundur të shënojë edhe dy herë. Së pari nuk ka shënuar Ferati nga një pozitë ideale, ndërsa gjashtë minuta më vonë ka dështuar Hajdini, i cili ishte vetjak, pasi në anën e kundër në pozitë ideale ishte Ferati, por gjuan vetë dhe ka dështuar.
Në 45 minutat e dytë, rastet e Gjilanit nuk kishin të ndalur. Fillimisht në minutën e 75, Murseli për të satën herë ka dal vetmuar, por gjuajtja e tij ka qenë jo precize. Katër minuta më vonë edhe Hasani që ishte inkuadruar në lojë disa qaste më herët ka dështuar të shënoj nga afërsia, pas asistimit të bukur nga mesfushori Zeqiri.
Mysafirët për 90 minuta asnjëherë nuk rrezikun portën e Ajdinit, andaj fitorja e gjilanasve në fund ishte e merituar
Thanë pas ndeshjes:
Sallah Sherifi, kryetrajner i Gjilanit: Lojë me rëndësi për Gjilanin dhe tri pikët e fituara ishin plotësisht të merituara. Kemi mundur të shënojmë edhe më shumë gola, por sulmuesit tanë në momentet vendimtare dështuan nga pozitat ideale.
Besim Podrimaj, kryetrajner i Istogut: Nuk deshti të komentoj lojën duke aluduar se gjyqtari kryesor i kishte dëmtuar ata gjatë ndeshjes./rajonipress/