KKVITI

Fitoi Leonesa

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

E hëna ishte dita më e lumtur për Leonesën. Kosovarja që për një kohë të gjatë pushtoi të gjitha mediat e Austrisë, mori lajmin më të mirë në jetën e saj.

Pas gjashtë vitesh, Leonesa Mujajt dhe familjes Austria ia lejoi qëndrimin në atë shtet. Të gjitha protestat, përkrahja nga shokët e shkollës dhe qytetarët e vendit, ku 13 vjeçarja jeton tash e gjashtë vite, sollën rezultate. Vetëm dy ditë pasi prindërit e vogëlushes nga Kosova dorëzuan kërkesë në Ministrinë e Brendshme dhe Entin për Emigracion, familja Mujaj mori përgjigje pozitive. Ministria e miratoi kërkesën duke e lejuar kështu Leonesën dhe familjen e saj të qëndrojnë edhe më tutje në Austri.

Zyrtarisht, familja Mujaj e siguroi vizën humanitare, e bashkë me të edhe të drejtën për t’u punësuar. Pavarësisht se të gjithë ndihen të lumtur pas këtij lajmi, më e gëzuara në familjen Mujaj është vajza Leonesa. Thotë se ndihet shumë mirë që tash nuk do t’i duhet të mendojë më për deportim.

“Jam shumë e lumtur që unë dhe familja do të mund t’i presim festat e fundvitit këtu në Vjenë. Do të festoj edhe më e gëzuar”, thotë Leonesa. “Kjo është një dhuratë madhështore…dhurata më e madhe që kam marrë ndonjëherë. Tash do t’i festojmë dy festa, marrjen e vizës si dhe festat e fundvitit”, transmeton Express.

Megjithatë, marrja e vizës nuk do të ishte e mundur pa përkrahjen e gjithë atyre që me ditë të tëra organizuan protesta para pallatit ku jeton Leonesa me familje. Prandaj, thotë se e ndien për obligim që gjithë jetën t’u jetë mirënjohëse për krejt çfarë austriakët kanë bërë për të. “I falënderoj të gjithë ata që më dhanë mbështetje përmes peticioneve të ndryshme dhe protestave kundër autoriteteve të emigracionit dhe të policisë austriake”, citohet të ketë thënë Leonesa për mediat e vendit.

E pos vizës, shteti i Austrisë i ka dhënë familjes së saj edhe një shtëpi në të cilën ata do të qëndrojnë përkohësisht si dhe u ka dhënë lejen prindërve të 13 vjeçares të punojnë, çka nuk kishin të drejtë deri më tash. E për të ardhur deri te kjo ditë, të cilën Leonesa po e shijon, u bë çmos. Për shumë kohë historia e Leonesës dhe lufta e saj për të qëndruar në Austri ndezi gjithë banorët dhe mediumet aty. Luftës së 13 vjeçares iu bashkua e gjithë shkolla ku ajo ndjek mësimet, duke nënshkruar peticion të cilin e dorëzuan në Ministrinë e Brendshme të Austrisë bashkë me kërkesën për vizë.

Mobi Casa

E para se të marrin vizën, Leonesës iu refuzua njëherë kërkesa. Pritej vetëm deportimi i saj dhe familjes për në Kosovë. Kjo pasi në vendimin e gjykatës për azil thuhej se motivi kryesor për ta kthyer këtë familje në Kosovë ishte mungesa e përpjekjes së tyre për integrim dhe mosnjohja e gjuhës.

Por, krejt të kundërtën e thanë atëkohë shokët e klasës dhe mësuesja e Loresës. Sipas mësueses Sylvia Floch, vajza është nxënësja më e mirë pikërisht në gjuhën gjermane, të cilën nuk e ka njohur fare para se të vinte në Austri.

“Jam tejet e indinjuar dhe nuk po mund të kuptoj”, deklaroi Sylvia Floch, mësuesja e Leonesës në shkollën Karl Popper.
“Të thuash se vajza nuk është e interesuar që të integrohet është një gjë absurde. Ajo është nxënësja më e mirë në lëndën e gjuhës gjermane. Po të ishin të gjithë nxënësit e mi si ajo, atëherë do të kisha më pak flokë të thinjur”, shtoi ajo. E pos shkollës, kosovares në ndihmë i dolën edhe mediet austriake, të cilat ndihmuan në fushatë, duke realizuar reportazhe për Leonesën. Para se të merrej vendimi për qëndrim prindërit e Leonesës nuk punonin dhe familja jeton nga ndihmat sociale, për shkak të statusit që ata kishin. Por tash, ata kanë të drejtën e plotë të punës.

E historia e Leonesës për deportim nuk është e vetmja. Vendim i njëjtë para dy vitesh u mor edhe për kosovaren tjetër Arigona Zogaj, të cilës pas shumë peripecish, më në fund iu lejua kthimi në Austri.

E gjithë drama ka marrë një fund ditën kur autoritetet e qarkut Vöcklabruck i kanë miratuar vizën e hyrjes në këtë vend nënës Nurijes, Arigonës 18 vjeçe dhe një vëllai e një motre më të vogël të saj. Arigona Zogaj ka qenë protagoniste e përhershme në mediet austriake dhe të tjera gjermanofone. Në shtator të vitit 2007 ajo i ishte shmangur një aksioni të policisë që kishte dëbuar në Kosovë anëtarët tjerë të familjes së saj. Pastaj, nga ilegaliteti, Arigona kishte komunikuar me opinionin përmes videove, ku kërcënonte se do të vetëvritej po që se do ta detyronin të riatdhesohej në vendlindje. Një rezistencë e gjerë në mbrojtje të saj qe ngritur në gjithë Austrinë përgjatë këtyre viteve. Emra eminentë të politikës dhe të kulturës ishin vënë në mbrojtje të Arigonës. Madje, edhe Parlamenti Federal kishte mbajtur seanca të veçanta për “Rastin Zogaj”.