Fiskalizim me gjoba
Administrata Tatimore e Kosovës për gjashtë muaj ka shqiptuar 1242 gjoba për shkelje në përdorimin e arkave fiskale nga bizneset.
Express mëson se në një rast ATK-ja ka shqiptuar gjobë deri në 700 mijë euro. Përkundër kësaj, zyrtarët e këtij institucioni thonë se procesi i fiskalizimit po ecën mirë.
Për vetëm gjashtë muaj, Administrata Tatimore e Kosovës ka shqiptuar 1242 gjoba ndaj bizneseve që po i shkelin procedurat ligjore rreth përdorimit të arkave fiskale.
Madje, dënimet në raste të caktuara shkojnë në qindra mijëra euro.
Express mëson se në një rast në Gjilan, inspektoret e ATK-së gjatë kontrollit në një biznes kanë zbuluar se nga të hyrat që ka pasur i njëjti, nuk i është paguar asnjë cent tatim shtetit. Për këtë, të njëjtit i është shqiptuar gjoba rreth 700 mijë euro.
Kontrolle si këto, ATK-ja i ka nisur në të gjitha qytetet e Kosovës. Përveç vënies se arkave fiskale, inspektorët po i kontrollojnë edhe shmangiet e mundshme nga tatimet, duke e kontrolluar regjistrin e të hyrave për vitet e mëhershme.
“Ka kontrolle të kohëpaskohshme dhe përveç mënyrës së përdorimit të arkave fiskale, po shikohen edhe shmangiet e mundshme nga tatimi në të kaluarën”, ka thënë pronari i një biznesi në Prishtinë.