Uji Dea

Fillon subvencionimi i policës kufitare për mërgatën, Gërxhaliu: Vendim politik, diaspora nuk meriton trajtim vetëm për një muaj

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Me vendim të Qeverisë së Kosovës nga sot ka filluar subvencionimi i policës kufitare për mërgatën.

Duke filluar nga 1 korriku, të gjithë bashkatdhetarët që udhëtojnë për në Kosovë me automjete për pasagjerë, do të mund të marrin policën e sigurimit falas në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse.

Polica e subvencionuar do të ketë vlefshmëri 1 muaj nga dita e lëshimit/hyrjes në Kosovë dhe subvencionohet vetëm për automjetet jo-komerciale për pasagjerë, deri në 9 ulëse.Në lidhje me ketë vendim ka folur ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu.

ARKATANA

Ai ka thënë për “Epokën e re” se çfarëdo që Kosova të bëjë për diasporën nuk mund ta falënderojë atë për kontributin e dhënë në shumë procese në Kosovë në të kaluarën, tani dhe në të ardhmen.Në këtë drejtim, ai ka thënë se nuk duhet të kemi një qasje selektive, por thotë se duhet të kemi qasje gjithëpërfshirëse.

“Në qoftë se BQK-ja ka këtë komoditet dhe këtë guxim për të ulur koston dhe për të paguar koston për diasporë, atëherë duhet ta kemi parasysh edhe faktin tjetër: diçka të tillë e meritojnë edhe qytetarët e Kosovës, në veçanti duke pasur parasysh shkallën e inflacionit dhe krizën sociale që po kaplon Kosovën. Në qoftë se brenda një viti ose për dy muaj korrik dhe gusht kemi afër 200 mijë vetura dhe totali kostos është 4 milionë euro, këtu duhet të kemi konsideratë edhe për qytetarët e tjerë të Kosovës, pra duhet të kemi qasje motivuese dhe gjithëpërfshirëse. Tani është koha kur duhet reflektim”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka theksuar se diaspora nuk meriton trajtim vetëm për një muaj apo dy. “Diaspora meriton trajtim gjatë gjithë vitit. Me ketë qasje që është shumë më tepër politike, se sa ekonomike dhe sociale. Duhet të inkorporohet edhe faktori qytetar i Kosovës dhe jo që këto lirime të jenë vetëm për diasporën. Më 31 janar 2024 ka ndodhur zbritja 35 për qind, kjo e dëshmon se një ulje të tillë e kemi pasur edhe në vitin 2019 me 26,5 për qind. Pra në një masë të tillë nëse kemi guximin dhe forcën ekonomike që të veprojmë për diasporën, atëherë të veprojmë edhe për qytetarët e Kosovës. Lindin pyetjet: A mund të ketë orientime të investimeve diku tjetër? Pse nuk është prioritet i prioriteteve anëtarësimi dhe lobimi për kartonin e gjelbër? Prandaj, besoj se kjo procedurë të depolitizohet dhe duhet që diaspora ta ketë një trajtim pak më ndryshe, e ky problem të zgjidhet në aspektin horizontal dhe jo që ne aspektin vertikal të jetë i targetuar vetëm një grupacion në një periudhë të caktuar kohore”, ka thënë Gerxhaliu.