Fillon shpërndarja e Abetares së përbashkët në Luginë

/ 2 minuta lexim

Pas shumë debateve dhe mangësive, Abetarja e vërtet gjithëkombëtare tashmë ka arritur edhe në Luginë të Preshevës.

Nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës që fillojnë klasën e parë, këtë vit do të jenë të barabartë me të gjithë nxënësit e trojeve shqiptare të cilët do të mësojnë me të njëjtën Abetare. Ky libër është i kompletuar dhe i shpallur zyrtarisht në Prizren nga kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe ai Kosovës Hashim Thaçi.

Duke e vlerësuar si një moment historik, Abetaren gjithëkombëtare kryeministri Berisha e quajti margaritar të Njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Kryetari i Komunës se Preshevës Ragmi Mustafa gjatë prezantimit të abetares, ka thënë se ky është një moment historik pasi kjo kryevepër po kurorëzohet në duart e fëmijëve edhe me rastin e 100 vjetorit të shtet shqiptarë.

Ky tekst disa ditë pas promovimit të tij arriti edhe në Luginë të Preshevës. Arbër Pajaziti, shefi i kabinetit të kryetarit të komunës së Bujanocit arritjen e Abetares gjithëkombëtare në Luginë të Preshevës e cilësoi rast historik.

Mobi Casa

Ndërkohë gjatë ditës së sotme ka filluar shpërndarja dhe dorëzimi i abetares gjithëkombëtare nëpër shkollat fillore të komunës së Bujanocit. Abetarja gjithëkombëtare është mirëpritur edhe nga drejtuesit e shkollave fillore. Ata u shprehën se, “kjo është një vepër shumë e madhe dhe i falënderojmë gjithë ata që punuan dhe u angazhuan, që ky libër të vijë edhe në rajonin e Luginës se Preshevës”.

Për komunën e Bujanocit janë dhuruar gjithsej 300 abetare së bashku abetare pune, ndërkaq për komunën e Preshevës 400 ekzemplarë.

Më 24 prill ishte përzgjedhur teksti fitues për Abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë. Teksti ka katër autorë, dy nga Shqipëria, Shezai Rrokaj, Mimoza Gjokutaj si dhe dy nga Kosova, Islam Krasniqi dhe Saranda Kumanova Pozhegu.

Ndërkaq Abetarja gjithëkombëtare vjen në një vit historik. Abetaren gjithëkombëtare në 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar do ta kenë në duart e tyre edhe nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës. /ina/