Fillon implementimi i projekteve nga buxhetimi me pjesëmarrje të qytetarëve në disa lagje të Gjilanit
Gjilan – Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Kushtrim Ibrahimi, ka njoftuar se këtë vit do të fillojë implementimi i disa projekteve që kanë dalë nga procesi i buxhetimit me pjesëmarrje të qytetarëve.
Sipas tij, gjatë ditës së sotme ai ka zhvilluar një vizitë në terren në disa zona të qytetit dhe të komunës, përkatësisht në Lagjen e Tetë, në Rrugën e Prishtinës, në Lagjen e Zabelit, në Livadhet e Arapit dhe në fshatin Livoq i Ulët, në Lagjen e Muhaxherëve. Në këtë vizitë ai ishte i shoqëruar nga zyrtarë të drejtorisë përkatëse si dhe nga përfaqësues të Zyrës së Projekteve.
Gjatë vizitës janë takuar qytetarët e këtyre zonave dhe drejtuesit e shkollave, me të cilët gjatë vitit të kaluar janë mbajtur takime në kuadër të procesit të buxhetimit me pjesëmarrje. Në këto takime, banorët kishin mundësinë të votojnë për projektet që dëshirojnë të realizohen në lagjet e tyre.
Ndër projektet që pritet të realizohen janë ndërtimi i këndeve të lojërave për fëmijë, krijimi i parqeve si dhe ndërtimi i parkingjeve pranë shkollave.
Qëllimi i vizitës në terren ishte identifikimi dhe përcaktimi i lokacioneve ku do të zbatohen këto projekte. Fillimisht do të përgatiten projektet teknike, ndërsa më pas do të vazhdohet me procedurat e nevojshme administrative deri në fazën e realizimit.
Autoritetet komunale theksojnë se këto projekte synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët dhe zhvillimin e hapësirave publike në lagjet e Gjilanit./rajonipress/


