UBT

Festimi i Kurban Bajramit ka “ndarë” diasporën

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Festa e Kurban Bajramit ka mbledhur bashkë jo të gjithë bashkatdhetarët gjithandej nëpër Zvicër në mëngjesin e së premtës gjatë ceremonisë së faljes për këtë festë të rëndësishme të besimit islam.

Festimi i Kurban Bajramit ka “ndarë” bashkatdhetarët shqiptarë në Zvicër.

Në disa kantone të Zvicrës festimi kishte filluar të enjten duke ndjekur besimtarët në Maqedoni dhe Shqipëri.

Si do që të jetë nëpër xhami dhe salla sporti në diasporë është bërë thirrje për paqe, mirëqenie, dhe tolerancë midis myslimanëve.

Me rastin e faljes së Festës së Kurban Bajramit, imami me prejardhje nga Gjilani, Faredin Bunjaku u është drejtuar me një mesazh të gjithë besimtarëve të mbledhur në një sallë sporti në Oerlikon të Cyrihut, duke u bërë thirrje që në këtë ditë festive ta ndihmojnë njëri – tjetrin.
Njëra prej lutjeve ishte që festat tjera të besimit islam mos t’i gjejnë të ndarë besimtarët në diasporë.

„Vendimi për të festuara në dy data të ndryshme Kurban Bajramin e sivjetm më së shumti ka goditur diasporën që vjen nga vendet e ndryshme. Ndarja që ka ndodhur për arsye tashmë njohura për opinionin shpresoj të mos përsëritet herave tjera.“, tha imami Bunjaku

Ai porositi besimtarët të bashkohen me njëri tjetrin, të shtrijnë dorën dhe të ndihmojnë ata që kanë nevojë, sidomos në vendlindje.

Bunjaku, tha se kjo festë na mëson për çdo vit të sakrifikojmë për njëri tjetrin duke ndihmuar të gjithë ata që kanë nevojë, jetimët dhe skamnorët.

RCCOLA

„Në gjitha periudhat kemi sakrifikuar për vendlindjen. Ky është edhe mesazhi kryesor i festës së Kurban Bajramit, duhet të vazhdojmë të sakrifikojmë në emër të Allahut për njëri tjetrin “, ka thënë para besimtarëve të mbledhur imami Bunjaku.

Sipas tij besimtarët myslimanë në diasporë gjithnjë e më shumë po tregojnë se janë më solidar ndaj familjarëve në vendlindje. Për çdo vit po mblidhen qindra kurbana dhe dërgohen në vendlindje.

Fisnik Macula prej 14 vitesh jeton në Zvicër, dhe shumicën e festave i ka festuar largë familjes. 27-vjeçari thotë të jetë i zhgënjyer që sivjet komuniteti shqiptar në Zvicër po feston Kurban Bajramin në dy data të ndryshme.

„Eshtë një ndjenjë e mirë që na bashkojnë festat e Bajramit. Ka njerëz që i takojmë dy herë në vit . Bajramin e sivjetm jemi dëshpëruar ngase komuniteti shqiptar në Zvicër feston në dy data të ndryshme për një festë të njëjtë. Përkundrazi festa simbolizon bashkimin e jo ndarjen“, tha Macula nga Gjakova.

Pas faljes së namazit të Bajramit, besimtarët kanë uruar njëri tjetrin, me shpresë se kjo festë do të sjellë mirëqenie në familjet e tyre.

Festa e Bajramit personifikon edhe sakrificën. Me këtë rast, besimtarët myslimanë në Zvicër, në pamundësi për të therë kurbane këtu, në organizim të qendrave islame kanë mbledhur mjete që ky ritual fetar të kryhet në vendlindje.

Festa e Kurban Bajramit simbolizon edhe Haxhin, pelegrinazhi më i madh në botë, që ka grumbulluar rreth 2 milion myslimanë nga e gjithë bota në Mekë dhe Medinë – dy qytetet më të shenjta të islamit.(albinfo.ch)