Festë madhështore në Gjilan

Gjilan- Mijëra qytetar gjilanas e kanë falur namazin e Fitër Bajramit para teatrit të qytetit. Krerët fetar e institucional janë lutur për paqe,dashuri e solidaritet vëllazëror me njëri tjetrin.
Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar qytetarët e Gjilanit,besimtarët islam të dielën kanë pasur mundësin që për herët të parë dhe në mënyrë madhështore ta falin namazin e Fitër Bajramit.
Mijëra qytetar e besimtarë kishin dalur tek platoja e teatrit të qytetit për të kryer ritin fetar dhe për të dëgjuar mesazhet e krerëve të Bashkësisë Islame Fahrush Ramadani e Mustafë Bajrami.
Në mesazhin e tij urues kryetari i Bashkësisë Islame në Gjilan Mustafë Bajrami tha se ky Fitër Bajram është i veçantë sepse po falemi në ambient të hapur. “Kjo dëshmon se ne jemi të bashkuar ,se ne dimë të organizojmë edhe këso festa madhore”.
Bajrami tha se Fitër Bajrami nuk është thjeshtë dita e zbukurimit me veshje të reja, por ditë në të cilën angazhohemi për të mbajtur besën dhe amanetin e Ramazanit. Bajrami është një ditë e begatë dhe një Festë e lumtur, që na thërret të pajtohemi, të duhemi dhe të shtojmë angazhimin për një jetë më të mirë në harmoni me njëri-tjetrin.
“Falënderojmë të gjithë ata që ndihmuan që ky muaj të shkoj më së miri. Falënderojmë kolegët, miqtë, xhematlinjët për përkushtimin e tyre ndaj të gjithë neve. Falënderime të posaçme për kreun e Komunës, bashkëpunëtorëve të tij, kreut të Policisë rajonale dhe bashkëpunëtor të saj, ata mbanë rendin dhe qetësinë. Lusim Allahun për shëndet dhe shpërblime”.
Ky Fitër Bajram është i veçantë edhe për një arsye tjetër. Jemi në vigjilje të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, të ngritjes së Flamurit tonë Kombëtar. Andaj, kemi edhe një arsye më shumë të jemi të kënaqur dhe krenar, dhe kemi edhe një arsye më shumë t’i drejtohemi qytetarëve të Gjilanit me fjalën; “Jini të mirë, mendoni mirë, gjykoni drejt e mirë dhe mos paragjykoni. Mos damkosni historinë, personalitetet e saj, jini të përmbajtur. Mos thoni e shkruani çdo gjë që ju bie ndër mend e çdo gjë që shkruan lapsi. Bëhuni kombëtar, jo vetëm me fjalë por edhe me vepra ka shtuar Bajrami
Sot e nesër, myslimanët duhet të japin shembullin më të bukur të bashkimit dhe unitetit. Bajrami i jep indikacion të qartë myslimanit se me besim të fortë dhe qëndrueshmëri permanente, mund të arrijë kontroll të përkryer mbi veten dhe të vendosë baraspeshë ideale midis materiales dhe shpirtërores shtoj ai.
Bajrami tha se gjilanasit kanë të drejtë të ndihen krenar sot sepse shënuan një festë shumë dinjitoze dhe pa asnjë problem.
Mesazhe urimi ka dhënë edhe Qemajl Mustafa kryetar i Gjilanit. Edhe, Mustafa i ka uruar të gjithë besimtarët dhe ata që për një muaj kanë agjëruar muajin e Ramazanit. Mustafa duke përgëzuar për këtë festë ka kërkuar më shumë solidaritet e humanizëm dhe më shumë unitet mes vete./rajonipress/