Festa e madhe e pavarësisë tek më 2018

Qeveria e Kosovës nuk pritet të organizojë ndonjë festë të madhe për nderë të shtatë vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Asnjë personalitet i rëndësishëm botërorë nuk pritet të zbres në Kosovë për nderë të kësaj feste.
Ky përvjetor nga ana e Qeverisë pritet të shënohet në mënyrë modeste.
Këtë e ka bërë të ditur për Gazetën Tribuna, zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi.
Ai ka thënë se deri në vitin 2018, shënimi i përvjetorit të pavarësisë do të festohet në mënyrë modeste.
“Vlerësojmë se viti 2018 do të jetë një vit i duhur për shënimin e 10 vjetorit, si vit jubilar. Ky do te ishte edhe momenti që përmes një ceremonie a ngjarje festive, me madhështore, të ftojmë personalitete te vendeve euro-atlantike, qe në zemër të Ballkanit, të festojmë bashkë modelin e një vendi të lirë, të pavarur, dhe suksesshëm si shprehje e frymës dhe idealeve evropiane”, ka thënë Abrashi për Gazetën Tribuna.
Sipas tij, mungesa e organizimeve të mëdha po bëhet për shkak se shteti është duke u përballur me sfida të mëdha.
“Ndërsa këtë vit, dhe deri me 2018, vlerësojmë se duhet festuar me modesti dhe me përkushtim sepse kemi sfida në forcimin e shtetit tonë. Sidoqoftë, ne gjithmonë festojmë me miq të shumtë të prezencës ndërkombëtare në Kosovë, sikurse edhe ata festojnë me ne për pavarësi. Kështu do te jetë gjithmonë”, ka thënë Abrashi.
Ndryshe nga Qeveria e Kosovës, Kuvendi ka organizuar seancë soleme e cila do të mahet në orën 15:00 me 17 shkurt, kohë kur para shtatë vitesh deputetët e Kosovës patën shpallur Kosovën shtet.
“Në orën 15:00do të ketë seancë solemne ditën e martë”, ka thënë për Gazetën Tribuna Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
Nga ana tjetër, Komuna e Prishtinë, ka paralajmëruar se nuk do të ketë këtë ndonjë organizim të veçantë për nderë të shtatë vjetorit të pavarësisë.
Kryetari i kësaj komune, Shpend Ahmeti ka vendosur të mos e kremtojë Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Mosorganizimin i festës, ai e ka arsyetuar me mungesë të mjeteve. /Gazeta Tribuna/