Fermerët po u kthehen fshatrave të braktisura

Gjilan –Me përmirësimin e infrastrukturës në këto zona dhe për shkak se bujqësia po subvencionohet nga ministria e bujqësisë, viteve të fundit vërehet tendenca e kthimit të fermerëve në fshatrat e braktisura, për të investuar në drejtime të ndryshme të bujqësisë si në, blegtori, pemëtari tha Rapuca.
Toka në Gjilan për çdo vit po punohet gjithnjë e më shumë dhe ky është një lajm i mirë. Nazmi Rapuca drejtor për bujqësi në Gjilan thotë se nga të dhënat e drejtorisë për bujqësi në Gjilan është konstatuar se çdo vit po rriten sipërfaqet e tokës që punohen. “Në zonën e rrafshit thuajse nuk ka fare sipërfaqe të pa punuara, kurse në një pjesë të zonave malore, për shkak të shpërnguljes masive të popullatës, shumica e tokave janë lënë djerrë. Me përmirësimin e infrastrukturës në këto zona dhe për shkak se bujqësia po subvencionohet nga ministria e bujqësisë, viteve të fundit vërehet tendenca e kthimit të fermerëve në fshatrat e braktisura, për të investuar në drejtime të ndryshme të bujqësisë si në, blegtori, pemëtari “tha Rapuca
Duke ju referuar edeh njëherë fushatës së korrje shirjeve në komunën e Gjilanit,Rapuca tha se në fushatë janë angazhuar rreth 50 kombajna, të cilët edhe pse shumica të vjetër, teknikisht kanë qenë në rregull.
Çmimi i korrjes ka qenë 100 €/ha dhe kryesisht është respektuar nga kombajnerët, të cilët e kanë marrë naftën 25 % më lirë, të subvencionuar nga Ministria e Bujqësisë.
Komisioni komunal për korrje shirje, ka përcjellur nga afër tërë fushatën dhe nuk ka hasur ndonjë problem të cilin duhet theksuar.
Rapuca tha se janë korrur rreth 2300 ha me drithëra të bardha, ndërsa rendimenti mesatar ka qenë rreth 4000 kg/ha. Ky rendiment është i kënaqshëm, sidomos kur kemi parasysh kushtet jo të volitshme që mbretëruan në kohën kur është mbjellur gruri dhe thatësia me temperaturë ekstreme që mbretëroi gjatë tërë muajit qershor.
Rapuca tha se përkundër kushteve të pa volitshme besohet se në rendiment ka ndikuar shumë edhe fara cilësore si dhe plehu artificial, të cilat shumica prej bujqve i kanë marrë gratis nga drejtoria për bujqësi, si dhe subvencionet që po jep Ministria për bujqësi.
Sikur tërë sasia e grurit të korrur të përdorej për ushqimin e njerëzve, mund të thuhet se komuna e Gjilanit, nga arat e veta, sivjet i ka plotësuar 40 % të nevojave për bukë tha ai.
Rapuca është i kënaqur që përkundër temperaturave tepër të larta, sivjet nuk ka pasur dëme nga zjarret. “Gati asnjë fermer deri tani nuk i ka ndezur hamulloret. Rekomandojmë fermerët që të mos i ndezin hamulloret. Ndezja e hamulloreve është e dëmshme për shkak se humben materiet shumë të çmueshme organike, vije deri te çrregullimi i balansit biologjik nga dëmtimi i mikro florës dhe faunës së tokës, shkaktohet ndotje e madhe e ambientit dhe ajo që është më e rrezikshmja, përhapja e zjarrit në kulturat tjera bujqësore, në pyje dhe vendbanime. Pas korrjes, rekomandohet një lëvrim i cekët, i hamulloreve, rreth 15 cm thellë”sqaroj Rapuca./rajonipress/