Feride Rushiti, aktiviste e palodhur, simbol i guximit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Kosovë
Gjilan – Emri i Feride Rushiti është shndërruar në sinonim të përkushtimit dhe guximit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Me një angazhim të palëkundur ndër vite, ajo ka qëndruar në krah të viktimave të dhunës, torturës dhe padrejtësisë, duke u bërë një nga zërat më të fuqishëm në këtë fushë. Nga kampet e refugjatëve gjatë luftës, deri te angazhimi e bashkëpunimi me institucione vendore dhe ndërkombëtare, Rushiti ka ndjekur me përkushtim çdo rast, duke luajtur një rol kyç në rehabilitimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale dhe krimeve të luftës. Kontributi i saj ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në politikat publike dhe në rritjen e ndërgjegjësimit shoqëror për këto çështje.
E lindur më 12 shtator 1970, Rushiti është mjeke me profesion dhe aktualisht shërben si Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT). Puna e saj është vlerësuar ndërkombëtarisht.
Vlerësim ndërkombëtar për guximin dhe përkushtimin e Feride Rushitit
Në vitin 2018, Feride Rushiti u nderua me Çmimin Ndërkombëtar “Gratë e Guximit”, të ndarë nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i dorëzuar nga Zonja e Parë, Melania Trump.
Ky çmim, që konsiderohet ndër vlerësimet më prestigjioze globale për aktivistet e të drejtave të njeriut, përfaqëson një njohje të fuqishme të angazhimit të saj të palëkundur në mbrojtje të dinjitetit njerëzor. Përmes këtij vlerësimi, puna dhe sakrifica e saj tejkalojnë kufijtë kombëtarë, duke u shndërruar në simbol të guximit, qëndrueshmërisë dhe përkushtimit ndaj drejtësisë.
Nga mjekësia te aktivizmi për të drejtat e njeriut Rushiti kreu studimet për mjekësi në Tiranë në vitin 1997 dhe më pas u specializua në gastroenterologji. Gjatë luftës së Kosovës dhe në periudhën pas saj, ajo mobilizoi dhjetëra profesionistë shëndetësorë për të ndihmuar refugjatët dhe të mbijetuarit e torturës.
Pas luftës, ajo themeloi Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, si një përgjigjeje ndaj dhunës dhe torturës e cila ofron mbështetje gjithëpërfshirëse për viktimat, nga trajtimi mjekësor dhe psikologjik, deri te riintegrimi social dhe avokimi për të drejtat e tyre.
Një nga arritjet më të rëndësishme të saj mbetet kontributi në njohjen ligjore të të mbijetuarve të dhunës seksuale si viktima civile të luftës, si dhe sigurimi i kompensimeve financiare për ta, një praktikë që është përqafuar si model i suksesshëm edhe nga shumë vende që përballen me përdorimin e dhunës seksuale si armë lufte.
Ndikimi në politika dhe shoqëri
Gjatë viteve, Rushiti ka qenë e përfshirë në një sërë iniciativash të rëndësishme ligjore dhe sociale. Ajo ka kontribuar në krijimin e një modeli holistik të shërbimeve psikosociale për të mbijetuarit e luftës, ka monitoruar institucionet korrektuese për më shumë se 18 vjet dhe ka ndihmuar në krijimin e arkivave dokumentare për krimet e dhunës seksuale gjatë luftës.
Po ashtu, ajo ka luajtur rol në shpalljen e 14 prillit si Dita Kombëtare e Kujtimit për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale dhe në avancimin e legjislacionit për mbrojtjen shëndetësore të tyre.
Angazhim ndërkombëtar
Rushiti është anëtare e SEMA Network dhe International Rehabilitation Council for Torture Victims (IRCT), duke bashkëpunuar me organizata ndërkombëtare dhe duke ndarë përvojën e Kosovës në proceset e kompensimeve me vende të ndryshme si Irak, Ukrainë, Kolumbi dhe Guinea.
Ajo ka bashkëpunuar gjithashtu me institucione si DIGNITY Institute në Danimarkë dhe Monash University, duke marrë pjesë në studime mbi efektet ndërgjeneruese të traumës dhe qasje inovative në terapinë familjare.
Çmime dhe njohje
Feride Rushiti ka marrë çmime të shumta për kontributin e saj: International Women of Courage Award, SHBA (2018) Woman of Excellence (2019) Excellent Leadership Award, UBT (2020) Internaciona Human right Award – Kolegji AAB (2025) Europin of the Year Award form Komisioni Evropian në Kosovë ( 2025) Nominuar për Çmimin Nobel për Paqe (2025)
Publikime dhe hulumtime
Ajo ka autorësuar dhe bashkëautorësuar studime mbi të drejtat e njeriut dhe rehabilitimin e mbijetuarve të dhunës seksuale, përfshirë:
“Të drejtat e njeriut në institucionet korrigjuese të Kosovës” (2024)
“Terapia familjare për nënat kosovare që përjetuan dhunë seksuale dhe fëmijët e tyre” (2024)
“Si përballojnë meshkujt mbijetues të dhunës seksuale heshtjen dhe zërin” (2023)
“Efektet ndërgjeneruese të PTSD-së maternale” (2021)
Përtej Kosovës, Rushiti është pjesë e rrjeteve ndërkombëtare si SEMA Network dhe International Rehabilitation Council for Torture Victims (IRCT).
Ajo ka ndarë përvojën e Kosovës me vende të ndryshme, përfshirë Irakun, Ukrainën, Kolumbinë dhe Guinenë, duke kontribuar në zhvillimin e politikave për rehabilitimin e viktimave të dhunës.
Përmes punës së saj, Feride Rushiti ka arritur të sjellë në qendër të vëmendjes zërin e të mbijetuarve, duke ndikuar jo vetëm në jetët e tyre, por edhe në mënyrën se si shoqëria dhe institucionet i trajtojnë këto çështje.
Ajo vazhdon të mbetet një nga figurat më të rëndësishme në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe më gjerë. Qendra Gjenocidi në Kosovë ka shprehur mbështetje për nominimin e Feride Rushitit dhe KRCT për Çmimin Nobel për Paqe 2025, duke vlerësuar punën e palodhur në trajtimin dhe rehabilitimin e viktimave të luftës dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
“Ky nominim është një njohje e merituar për punën e jashtëzakonshme të zonjës Rushiti dhe institucionit që ajo drejton,” theksohet në deklaratën e Qendrës Gjenocidi në Kosovë./rajonipress/




