Femra në institucione të sigurisë garanton të ardhme

Ka punuar gjatë në sektorin e sigurisë dhe askush më mirë se presidentja Atifete Jahjaga nuk e din se cili është roli i femrës në këtë fushë.Ajo për këtë temë foli në konferencën e organizuar nga grupi i Grave Deputete në Prishtinë me temën “Pjesëmarrja dhe roli i femrës në institucionet e sigurisë në Kosovë”.
Presidentja Jahjaga tregoi përvojat e saj nga shërbimi në Policinë e Kosovës.
“Gjatë kohës sime në shërbimin publik në sektorin e sigurisë jam bindur se nuk kemi një demokraci të vërtetë në qoftëse nuk bëjmë përpjekje për të përfshirë secilin anëtar të shoqërisë në procesin tonë të vendimmarrjes”, theksoi Jahjaga, derisa ka shtuar se pjesëmarrja e grave në çdo fushë të jetës nuk është vetëm moralisht e drejtë por garanton një të ardhme të sigurt për të gjithë qytetarët.
Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka treguar përkushtimin e saj që çdo anëtar i shoqërisë të trajtohet në mënyrë të barabartë.
“Kemi fokusuar përpjekjet tona në hartimin e legjislacionit i cili është i ndërgjegjshëm për nevojat e gruas në shoqërinë tonë por gjithashtu edhe për potencialin e saj, kemi ende punë të kalojmë në implementimin e ligjeve, këtu qëndron puna dhe sfida kryesore”, tha Jahjaga.
Edhe, kryetarja e grupit të grave deputete, Teuta Sahatqija kërkoi fuqizimin e rolit të gruas në vendimmarrje, sidomos në institucionet e sigurisë. Ajo kërkoi që rekomandimet e dala nga tryeza e sotme të merren parasysh nga institucionet e Kosovës.
E, deputetja Ganimete Musliu tha se derisa femra kosovare ka pasur guximin dhe vullnetin të renditej përkrah meshkujve në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ajo është e gatshme dhe e denjë që në shtetin e Kosovës të udhëheq me sukses një gjeneral në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Në anën tjetër Zëvendësministri, Shemsi Veseli tregoi për punën e Ministrisë së Forcës së Sigurisë për fuqizimin dhe trajtimin e barabartë të gruas në këtë institucion.
“Në kuadër të Ministrisë së Forcës së Sigurisë ekziston njësia për të drejtat e njeriut dhe barazisë gjinore , femrat janë të angazhuara në administratë ku mbajnë edhe postet e drejtorëve. Në FSK femrat janë të përfshira në të gjitha nivelet dhe njësitë duke filluar grada e ushtarit e deri te grada më e lartë e kolonelit dhe shpresoj që në të ajo të evoluojë në gradën e gjeneralit” ka thënë Veseli.
Ndërsa, Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni tha se Policia e Kosovës, është institucioni që ka numrin më të madh të femrave të përfshira, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë.
“Institucionet e sigurisë janë boshti kryesor i civilizimit, dhe civilizimi natyrisht mund të arrihet vetëm me trajtimin e barabartë dhe inkuadrimit të femrës në jetën shoqërore pa përjashtim sektorin e sigurisë. Ne si menaxhment ju siguroj çdo herë do të përcjellim vizionin afatgjatë që edhe më tutje të fuqizojmë rolin e femrës në policinë e Kosovës”, tha Maxhuni./Indeksonline/