Feja nuk i justifikon krimet

Më 18 maj 2011, Diana Kastrati u vra nga ish-bashkëshorti i saj pasi kërkesa e saj për mbrojtje urgjente ndaj dhunës në familje u refuzua nga Gjykata Bashkiake e Prishtinës. Gjykata Kushtetuese vendosi se autoritetet kishin dështuar ta mbronin atë. Ajo u vra 5 muaj pasi ishte divorcuar me të shoqin e saj.
Pasi opinioni u njoftua lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, shumë fajësuan viktimën, jo ish bashkëshortin, për vdekjen e saj, duke thënë se duhet të kishte ndjekur një mënyrë jetese më konservatore islamike. Besime të tilla janë të drejtuara në një rrugë të gabuar, thonë ekspertët.
” Vrasja … nuk ka qenë kurrë tradita jonë fetare”. tha Dr. Musa Vila, një lektor në Fakultetin për Studime Islamike në Prishtinë e anëtar i Komunitetit Islamik të Kosovës.
“Islami e dënon ashpër vrasjen. Kjo është përmendur në Kuran e Profeti Muhamed ka qenë gjithashtu kundër vrasjes së njerëzve, myslimanë apo të ndonjë feje tjetër.
Shpesh e dimë pse ndodhën vrasjet, gjykata kanë arritur vendimet e tyre e përsëri ka pasur një keqkuptim e keqinterpretim dhe një informacion të keq ndaj publikut nëpërmjet mediave duke u dhënë këtyre vrasjeve një sfond fetar”, tha Vila për SETimes.
Ai u kërkon njerëzve të lexojnë Kuranin për të parë sesi Islami e dënon vrasjen.
“Kurani madje deklaroi se ‘vrasja e një njeriu është vrasja e krejt njerëzimit, ndërsa shpëtimi një njeriu është si shpëtimi i gjithë njerëzimit'”, tha Vila
Vila tha se motivacioni fetar nuk duhet të përmendet përveç kur ka fakte që t’a mbështesin atë.
“Kërkoj që të mos u jepet sfond fetar këtyre vrasjeve, këto vrasje vinë si rezultat i dalldive dhe tekave personale dhe nga besimi, ne themi nën ndikimin e Shejtanit,” tha Vila.
Liridon Krasniqi, një kërkues në Qendrën Kosovare për Studime të Politikave Evropiane, tha për SETimes se bërja me faj e besimeve fetare priret të justifikojë krimet në mendjen e njerëzve.
“Nuk bëj fajtore fenë për këtë, por nuk mund të shpërfill faktin se disa klerikë fetarë të Islamit e gjithashtu të feve të tjera, abuzojnë me pozitën e tyre dhe keq-drejtojnë njerëzit, veçanërisht kur i përkasin shkollave të ndryshme të mendimit”, tha Krasniqi.
Shtetasit janë dakort se feja nuk duhet të përdoret si një justifikim për krime e vrasje.
“Nuk mendoj se feja është një arsye për të shtyrë njerëzit të vrasin apo të bëjnë krime, sepse të gjitha fetë kërkojnë të kundërtën e kësaj”, tha për SETimes Shqipe Ukaj, një banore e Prishtinës.
Mehmet Gashi, një mësues në pension nga Prishtina, tha për SETimes se ndërsa media duhet të jetë e kujdesshme kur njofton e transmeton, komunitetet fetare duhet të luajnë një rol në mbështetjen e institucioneve për të luftuar krimin në vend.
“Ata mund ta bëjnë këtë duke pasur më shumë diskutime e leksione në komunitet sesi feja mund të përdoret për të mirë. Por gjithashtu duhet të kenë më shumë kontroll mbi individët e papërgjegjshëm që mund të kenë, që mund t’u thonë diçka të keqe besimtarëve”, tha Gashi. /Telegrafi/