Qeveria e Kosovës ka kërkuar ndihmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të hetuar vdekjen e Dino Asanaj, ish-Drejtor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i cili është shtetas amerikan.
Lajmi konfirmohet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.
Në një komunikatë të kësaj ambasade, thuhet se meqë e “konsideron si të duhur, Qeveria Amerikane është pajtuar të ofrojë ndihmë, kështu që Byroja Federale e Hetuesisë (FBI) pranë Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara ka komunikuar me Policinë e Kosovës për hapat e mëtutjeshëm”.
Komunikata pason thirrjen e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, mekanizmave përgjegjës vendorë e ndërkombëtarë për t’i hetuar të gjitha rrethanat e vdekjes së Asanajt për ta zbardhur rastin.
Thaçi pati thënë se nuk do të lejojë që “shantazhi, krimi dhe dhuna” të pengojnë ekonominë e lirë të tregut në Kosovë, ndërsa ka shfaqur gatishmërinë për të vepruar po ashtu kundër, siç i ka quajtur ai, grupeve mafioze që “nuk e kuptojnë” këtë lloj të ekonomisë.
Institucionet qendrore ndërkombëtare e vendore dhe subjektet politike, në reagimet e tyre, vdekjen e Asanajt e patën cilësuar si vrasje.
Por, mjekët ligjorë në Kosovë kanë thënë se në bazë të autopsisë, Asanaj ka bërë vetëvrasje, duke i shkaktuar vetes 11 prerje dhe therje me thikë.
Rezultatet e autopsisë i ka konfirmuar edhe misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX.
Asanaj u gjet në periferi të Prishtinës, në zyrën e tij private pa shenja jete, me 14 qershor 2012. /Telegrafi/