Fundamenti

Fazliu: Janë finalizuar 2576 lëndë për licencim mësimdhënësish

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Udhëheqësi i Sektorit të Inspektoratit të Arsimit për rajonin e Anamoravës, Riza Fazliu, ka thënë se qëllimi dhe synimi i Sektorit të Inspektoratit të Arsimit është që përmes inspektimeve dhe monitorimeve në shkolla të vërejnë dobësitë, t’i parandalojnë dhe mënjanojnë ato, që të kthejnë në binarë procesin edukativo-arsimor aty ku mund të vërehen devijime, dhe të ndikojnë në avancimin e organizimit dhe mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor dhe ngritjen e dijes dhe të cilësisë në shkolla.

Sektori Rajonal i Inspektoratit të Arsimit në Gjilan, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), vitin kalendarik janar – dhjetor 2012 e ka përmbyllur me inspektimin e 22 shkollave të rajonit, monitorimin e 180 mësimdhënësve dhe 210 orëve mësimore. Kështu tha për rajonipress udhëheqësi i Sektorit të Inspektoratit të Arsimit për rajonin, Riza Fazliu, i cili ka thënë se SIA ka kryer edhe 50 inspektime emergjente dhe speciale, ka dhënë 410 rekomandime, ka bërë 15 raporte dhe vendime, është përgjigjur në kërkesa me shkrim.

Fazliu ka shtuar se Sektori i Inspektimit të Arsimit (SIA) në Gjilan mbulon edhe komunat Kamenicë, Viti, Novobërdë, Kllokot, Partesh e Ranillug.

Numri i përgjithshëm i mësimdhënësve në komunat e lartcekura është 3168, e nëpër komuna veçmas është: Gjilan – 1467 mësimdhënës, lëndë të pranuara për licencim – 1370, lëndë të finalizuara – 1348, lëndë të mbetura – 22; Novobërdë – 158 mësimdhënës, lëndë të pranuara – 60, lëndë të finalizuara – 60; Viti – 659 mësimdhënës, lëndë të pranuara për licencim – 645, lëndë të finalizuara – 630, lëndë të mbetura – 15; Kamenicë – 613 mësimdhënës, lëndë të pranuara – 550, lëndë të finalizuara 524 dhe të mbetura 26; Kllokot – 47 mësimdhënës, lëndë të pranuara – 14, lëndë të finalizuara – 14; Ranillug – 116 mësimdhënës, nuk është paraqitur askush për licencim; Partesh – 108 mësimdhënës, nuk është paraqitur askush për licencim.

Nga 3168 mësimdhënës të angazhuar në procesin mësimor parauniversitar në shkollat e rajonit të Gjilanit, lëndë për licencim janë paraqitur 2639 mësimdhënës, janë finalizuar 2576 lëndë, ndërsa kanë mbetur pa u realizuar 63 lëndë.

Uji Dea

Fazliu ka nënvizuar inspektimin e bërë në shkolla, dhe hartimin e formulimin e procesverbaleve nga inspektimet për shkollat dhe mësimdhënësit, të cilat janë përmbledhur në formë librash e dokumentacionesh. Ai bëri të ditur se të gjitha shënimet që janë grumbulluar nga inspektimet janë arkivuar dhe mund të shihen nga secili që dëshiron, qoftë mësimdhënës, qytetar apo të tjerë që këto shënime mund t’i përdorin edhe për ndonjë studim nga fusha e arsimit.

Fazliu ka spikatur bashkëpunimin e mirë me të gjitha drejtoritë komunale të arsimit në rajon. “Me mundësitë që kemi, me angazhimin dhe përkushtimin e stafit profesional, në saje të një bashkëpunimi të shkëlqyer, duke kombinuar dijen, profesionalizmin, përvojën dhe trendet bashkëkohore të zhvillimit të arsimit, jemi përpjekur dhe këtë po e bëjmë në vazhdimësi, që të jemi në hap me sfidat dhe t’u përgjigjemi atyre”, është shprehur Fazliu.

Ai ka lavdëruar organizimin e procesit edukativo-arsimor në disa shkolla zonash malore, ku secili mund të ketë përshtypjen se sa më larg jetës urbane, cilësia e mësimit është e ulët. Si shembull të mirë ka përmendur shkollën e Tygjecit, ku nga inspektimi i bërë objektit, mësimdhënësve dhe orëve mësimore, vlerësimi ka dalë i shkëlqyer.

Sipas Fazliut, qëllimi dhe synimi i Sektorit të Inspektoratit të Arsimit është që përmes inspektimeve dhe monitorimeve në shkolla të vërejnë dobësitë, t’i parandalojnë dhe mënjanojnë ato, që të kthejnë në binarë procesin edukativo-arsimor aty ku mund të vërehen devijime, dhe të ndikojnë në avancimin e organizimit dhe mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor dhe ngritjen e dijes dhe cilësisë në shkolla./rajonipress/