Fatmir Matoshi kryetar i komisionit zgjedhor në AKR
Gjilan – AKR fton anëtarësinë e saj që të bëhen pjesë e këtij procesi zgjedhor, përmes të cilit edhe njëherë do të dëshmohen vlerat tona liberale dhe do të forcohet parimi demokratik i qeverisjes thotë Fatmir Matoshi.
Fatmir Matoshi është zgjedhur kryetar i komisionit zgjedhor në AKR, i cili do të merret me tërë procesin zgjedhor në nivel qendror.
Aleanca Kosova e Re-AKR, në përmbyllje të procesit zgjedhor, që ka për qëllim ri organizimin e saj, me miratimin e të gjitha degëve dhe strukturës aktuale drejtuese, ka vendosur të shpall zgjedhjet për President të AKR-së, sipas mënyrës një anëtar /një votë.
Për të realizuar zgjedhjen e Presidentit të saj sipas parimit një anëtar/një votë, AKR ka miratuar udhëzuesin për zbatimin e proceduarave për zgjedhjen e Presidentit të AKR-së, dhe ka vendosur që zgjedhjet për President të AKR-së do të mbahen me datën 20 shkurt 2017.
Matoshi tha se zgjedhjet do të organizohen në të gjitha degët e AKR-së dhe të drejtë vote kanë të gjithë anëtarët e AKR-së. Për të menaxhuar këto zgjedhje, AKR ka themeluar Komisionin Zgjedhor (KZ) në nivel qendror dhe është në proces të themelimit të Komisioneve Zgjedhore në Degët e AKR-së.
Komisioni Zgjedhor (KZ), konform kritereve të miratuara u kërkon Degëve të AKR-së që të paraqesin kandidaturat për President të AKR-së deri më datën 11 shkurt 2017, në përputhje me udhëzuesin për zbatimin e proceduarave për zgjedhjen e Presidentit të AKR-së.
Për të mundësuar përfshirjen e diasporës Kosovare në këtë proces, do të aplikohet edhe votimi elektronik, për të cilin Komisioni Zgjedhor (KZ) do të jap informacione më të detajuara në ditët në vijim.
AKR fton antarësinë e saj që të bëhen pjesë e këtij procesi zgjedhor, përmes të cilit edhe njëherë do të dëshmohen vlerat tona liberale dhe do të forcohet parimi demokratik i qeverisjes.
Fatmir Matoshi, si Kryetar i Komisionit Zgjedhor tashmë edhe ka pranuar, shqyrtuar dhe aprovuar kandidaturën e z. Behgjet Pacolli për President të AKR-së.
Kandidatura ka ardhur nga Dega e Hajvalisë, anëtar i së cilës është z. Pacolli, dhe deri më tash është mbështetur nga shumë degë tjera të AKR-së.
Komisioni Zgjedhor në takim të rregullt të drejtuar nga Kryetari i KZ-së Fatmir Matoshi, unanimisht ka vlerësuar se kjo kandidaturë i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe e ka aprovuar atë.
Komisioni Zgjedhor i dëshiron suksese z. Behgjet Pacolli në garën për President të AKR-së.
Afati për paraqitjen e kandidaturave përfundon më 11 shkurt 2017 në mesnatë tha Fatmir Matoshi, Kryetar i Komisionit Zgjedhor./rajonipress/


