Fundamenti

Fatmir Limaj të nxjerrë emra

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Shkruan:Arbana Xharra- Fatmir Limaj nisi rundin e dytë të ankesave ndaj pushtetit,dështimeve politike dhe përqeshjen e ministrave,kësaj herë disa prej të cilëve i quajti edhe “kullera”. Ai dha intervistë në televizionin publik të Kosovës,gjatë së cilës shprehu pakënaqësitë e tij,duke numëruar një nga një ngecjet e kësaj qeverisjeje në krye të së cilës është partia e tij.

Megjithatë, nuk ishte kjo një intervistë për t’u quajtur ekskluzive, sepse nuk tha asgjë të re. Nuk ishte kjo hera e parë që Limaj kritikonte “në të thatë”.

Nuk ka peshë kritika pa emra e pa raste konkrete. Limaj ka mjaft fakte për të akuzuar, por qasja e tij gjatë bisedës sa ashpërsohej e sa zbutej, disponim ky i cili shfaqte më shumë inatet e tij personale për mospërkrahjen brenda partisë, sesa dilemën e tij për politikat që është duke i udhëhequr ky pushtet. Me një fjalë, Limaj indirekt deklaronte: ”Thaçi është i keq, por është edhe i mirë”, tash Thaçi ose është i keq, ose i mirë, përpjekjet për të dalë në pah me këtë qasje të dyanshme, pas së cilës mund të ketë shumë arsye, nuk pinë më ujë.

Së pari me këtë qasje vetëm sa forcon indirekt Thaçin, dhe së dyti dëmton pozicionin edhe ashtu të brishtë brenda partisë si nënkryetar i saj. Mënyra që ka zgjedhur për të kritikuar ministrat ka qenë shumë e dobët, sepse ka plot skandale për shumë zyrtarë në qeveri që ka mundur të përmendë Limaj.

Keqqeverisja, degradimi shtetëror, ka të bëjë me ata që janë pjesë e “nëntokës”, të cilët ndajnë hesapet për qëllime të veta. Kosova nuk është vend i madh, pastaj të gjithë sillen mes veti, ata i kanë të ndara taboret, e kush më mirë sesa Limaj, i cili është brenda partisë duhet t’i dijë se kush janë ata që po bëjnë pazare.

Uji Dea

Pastaj, Limaj është nënkryetar i parë i partisë, nëse është i pakënaqur me pushtet ai mund t’i mbledhë forumet të kërkojë nga ato përgjegjësi, ai është deputet, mund të kërkojë edhe votëbesimin e qeverisë, sepse është njëri ndër më të votuarit brenda partisë, pa i llogaritur ato 30 mijë vota që i ka deklaruar të vjedhura.

Tashmë janë më se të dukshme shkaqet e degradimit shtetëror, por për t’u ankuar duhet bërë publike kush janë shkaktarët. Limaj duhet të ketë një arsye pse nuk flet me emra. Një gjë është më se e sigurt se ai nuk ka shokë shumë brenda partisë, kjo është dëshmuar në shkurt të vitit të kaluar kur nuk arriti të mbledhë rreth vetes anëtarë të PDK-së kundër votimit të Behxhet Pacollit për president të Kosovës.

Limaj dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, sekretari i PDK-së, Jakup Krasniqi, ishin të vetmit që publikisht patën bërë publike votën e tyre kundër Pacollit. Deri tash e dimë që Limaj ka një përkrahës brenda partisë e ai është Jakup Krasniqi, i cili në një intervistë për gazetën “Zëri” në shkurt të vitit 2011 pat thënë se “PDK-ja nuk është rezultat i një individi e as i kryetarit të saj, Thaçit”.

Nëse Limaj vazhdon të luajë me këtë lojë të dobët, që nuk është as shantazh politik, vetëm sa ka për të forcuar krahun tjetër në PDK, duke e djegur me të madhe vetën e tij. Ai duhet ta ketë të qartë se njerëzit e fortë në pushtet i kanë përcaktuar tashmë mekanizmat e tyre mbrojtës, e vetmja mënyrë për t’i denigruar janë faktet me letra kundër tyre, sepse akuzat në ajër dhe përqeshja që ka përzgjedhur Limaj t’iu bëjë ministrave, janë “armë” tashmë e djegur e tij./zeri/