Fat i keq për Gjimshitin, Zurich e largon nga skuadra e parë

Zurich largon nga ekipi i parë katër lojtarë, mes të cilëve edhe mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Berat Gjimshiti. Nëpërmjet një vendimi të marrë nga drejtuesit teknikë të skuadrës, lojtari kuqezi bashkë me Amine Chermiti,…
Zurich largon nga ekipi i parë katër lojtarë, mes të cilëve edhe mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Berat Gjimshiti.
Nëpërmjet një vendimi të marrë nga drejtuesit teknikë të skuadrës, lojtari kuqezi bashkë me Amine Chermiti, Davide Chiumiento dhe Leandro Di Gregorio nuk do të stërviten më me ekipin e parë.
Sipas gazetës “Blick”, këta lojtarë konsiderohen të panevojshëm për trajnerin Sami Hyypia dhe presidentin Ancillo Canepa, të cilët kanë nisur të punojnë me skuadrën që do të garojë gjatë pjesës së dytë të sezonit në Kampionatin Zviceran.
Gjatë pjesës së dytë të sezonit këta lojtarë do të stërviten të veçuar dhe do të jenë të lirë të nisin bisedimet me skuadra të tjera për të kërkuar një tjetër destinacion gjatë muajve të verës, por ndoshta edhe që gjatë afatit kalimtar të janarit.
Berat Gjimshiti e ka nisur karrierën me skuadrën e dytë të Zurich në vitin 2009 pasi kaloi të gjitha etapat në ekipet e grupmoshave. Në vitin 2011 ai u bë pjesë e skuadrës së parë me të cilën numëron 103 ndeshje dhe 4 gola të shënuar.
Në Kombëtaren Shqiptare ai rezultoi një zgjedhje e goditur për të zëvendësuar të dëmtuarin Mërgim Mavraj duke dhënë një kontribut të madh në kualifikimin e kuqezinjve pasi 22-vjeçari shënoi edhe golin e dytë në transfertën e Armenisë./zeri/