Familjarët e Bllacës tregojnë për kërcënimet nga të akuzuarit
Në seancën gjyqësore të së enjtes në rastin “Bllaca 2” dëshmuan dy familjarë të dëshmitarit të mbrojtur nga EULEX-i, Nazim Bllaca, para trupit gjykues në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.
Vëllai i Nazimit, Osman Bllaca, ka përshkruar më së shumti një ngjarje të vitit 2007, e cila lidhet me një porosi kërcënuese, të cilën ka thënë se e ka marrë nga njëri prej të akuzuarve në këtë rast, Fahredin Gashi.
Osmani ka treguar se pas mbarimit të një dasme të kushërirës së tij në të cilën ishin prezentë të akuzuarit Fahredin Gashi, Shpresim Uka dhe Driton Hajdari si dhe dy persona të tjerë Reshat Gashi e Sherifi, ai kishte marrë një porosi të cilën Fahredin Gashi ia kishte “përcjellë” përmes kushëririt të tij, Azem Bllaca.
”Azemi më ka thanë se e ka një porosi për babën tem Idrizin. Unë i kam thënë ’ok’ dhe ai ka thënë: thuaj bacit Idriz që Fahredin Gashi ka thënë se nëse unë shkoj në burg, do të keni probleme edhe ju Idrizovit”, ka thënë Osmani