Familja Bajrami i gëzohet shtëpisë së re
Gjilan- Prej një viti, familja 7-anëtarësh e Ramadan Bajramit në fshatin Gadish jetonte në një shtëpi të huaj, pasi ajo e tyre ishte djegur, ndërsa mundësitë për ta rindërtuar vetë atë, ishin zero. Por, falë interesimit të Komunës së Gjilanit dhe ndihmës së donatorëve, kjo familje u bë me shtëpi të re.
Kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, i cili ia dorëzoi çelësat e shtëpisë së re familjes Bajrami, u shpreh i lumtur që një nevojtar tjetër në komunën e tij, po e zgjidhë problemin e banimit, duke falënderuar donatorin nga Vushtria, i cili zgjodhi këtë rast në fshatin Gadish për të ndërtuar shtëpi.
Mustafa tha se në Kosovë ka ende shumë raste të kësaj natyre, që duhet të ndihmohen, sikurse ka edhe në komunën e Gjilanit, pavarësisht investimeve qeveritare, komunale dhe ndihmës së donatorëve, për të zgjidhur këtë problem.
Deri tani kemi krijuar kushte për strehimin e 53 familjeve në dy objekte të banimit social si dhe disa të tjera, të cilave ua kemi zgjidhur problemin e strehimit me ndihmën e donatorëve, ka thënë Mustafa.
Në ndërtimin e shtëpisë për familjen Bajrami, komuna e Gjilanit ka marrë pjesë me mbi 3 mijë euro, ndërsa pjesën tjetër të investimit e ka siguruar donatori. “Në Kosovë ka shumë nevojë për solidaritet, sepse ende kemi shumë skamnorë, të cilët duhet të ndihmohen që të bëhen me shtëpi”, ka thënë Mustafa, i bindur se populli i Kosovës ka energji dhe mundësi për t`i zgjidhur këto probleme.
Donatori nga Vushtria, Mexhit Merovci, ka thënë se me këtë aktivitet merren prej tri vitesh dhe deri tani kanë ndërtuar mbi dhjetëra shtëpi anekënd Kosovës, ndërsa vetëm sivjet 7 sosh, duke përfshirë edhe familjen Bajrami në Gadish të Gjilanit.
Me mjetet që kishim, ne planifikuam që sivjet të ndërtojmë 3-4 shtëpi, por duke ju falënderuar edhe ndihmës së komunave Gjilan, Lipjan, Pejë, Fushë Kosovë e gjetiu, arritëm që numrin e përfituesve ta shtojmë në shtatë, ka thënë Merovci.
Më të gëzuarit ishin familjarët Bajrami. Kryefamiljari Ramadan Bajrami, tha se nuk ka besuar se do të bëhej kaq shpejt me shtëpi të re, ndërkohë që falënderoi donatorin nga Vushtria, komunën e Gjilanit dhe gjithë të tjerët që kanë ndihmuar në ndërtimin e shtëpisë së re.
Meqenëse ai e ka provuar vetë se çka do të thotë të jesh pa kulm mbi kokë, ndonëse bashkëfshatarët e tij nuk e lanë nën qiellin e hapur prej kur iu dogj shtëpia, i lut të gjithë donatorët që t`i ndihmojnë të varfrit, që edhe ata të bëjnë një jetë të dinjitetshme. /rajonipress/