Hidromorava

Faktori njeri shkaktari kryesor i përhapjes së zjarreve

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Në një bisedë për rajonipress, Ilaz Hyseni ish inspektor i mbrojtjes nga zjarri flet për rreziqet që sjellin zjarret, për dëmet dhe pasojat që bartin ato, për shkaqet që sjellin deri tek zjarret dhe për preventivën nga zjarret.

Rajonipres : Zoti Hyseni cilët janë faktorët kryesorë të zjarreve ?

Hyseni: Faktor kryesor mendoj se janë kushtet natyrore-atmosferike. Si faktor që mund të ndihmojnë ndezjen e pyjeve dhe në përgjithësi zjarret në ambiente të hapura natyrore, janë edhe temperaturat e larta, barishtat dhe gjethet e thata, mirëmbajtja e dobët e terreneve dhe të tjerë.

Zjarret ndodhin kryesisht në fillim të pranverës, ose nga fundi i verës, ndërsa fajin kryesor e bartë faktori njeri, sepse kryesisht me punën ose mospunën e tij vjen deri tek zjarri. Ka edhe faktorë të tjerë që rrezikojnë pyjet nga zjarri, si që janë vetëtima, xhamat e ndryshëm, mjetet piroteknike, pastaj mjetet për ndriçim të terrenit, në kohën e vëzhgimit ose kërkimit të personave, por këto raste janë shumë të rralla.

Rajonipress : Sa janë të rrezikuara nga zjarri malet e Gjilanit ?

Hyseni: Malet Gjilanit (por jo vetëm në komunën e Gjilanit) në masë të madhe janë të rrezikuara nga zjarri. Kryesisht, rreziku vjen nga faktori njeri, i cili shpesh del në ambiente malore për lloj-lloj qëllimesh dhe aktivitetesh dhe pothuaj se në të gjitha rastet ndez zjarr për ngrohje, për përgatitje të ushqimit, për ndriçim ose nevoja tjera dhe largohen pa u siguruar se flaka është shuar. Zjarre, zakonisht ndezin çobanët, gjuetarët, pylltarët, rekreativistët, vikendistët, piknikistët, pastruesit e arave, livadheve, kopshteve dhe të tjerë. Zjarret, shpeshherë të ndihmuara nga fryma, përhapen në përmasa shumë të mëdha dhe të dëmshme.

Rajonipress : Cilat janë dëmet dhe pasojat nga zjarret ?

Hyseni: Dëmet e shkaktuara nga ndezja e maleve janë të mëdha, sepse digjen ose dëmtohen shumica e drunjve, pastaj gjallesa të ndryshme, barishtat dhe dukshëm kullotat si dhe dëmtohet sipërfaqja e tokës. Pasojat janë të shumta edhe në aspektin shëndetësor, sepse dihet se malet janë një lloj mushkërie e natyrës dhe shërbejnë për filtrimin e oksigjenit-ajrit. Edhe drunjtë, të cilët shpëtojnë pa u djegur plotësisht, vështirë se mund të përdoren më, pasiqë humbin vlerat e tyre. Ripyllëzimi kërkon një kohë bukur të gjatë, pastaj duhet kaluar një kohë për ripopullim të terrenit me gjallesa të ndryshme, siç janë kafshët e egra si dhe gjallesat nëntokësore

Rajonipress: Çka duhet ndërmarrë për pengimin e zjarreve në pyje ?

Hyseni: Mendoj se është e nevojshme të ndërmerren një mori veprimesh për parandalimin e zjarreve të hapura. Së pari, duhet rregulluar normativat ligjore e nënligjore për mbrojtje nga zjarri, pastaj duhet të bëhet rregullimi i rrugëve qarkulluese për automjetet zjarrfikëse në ambientet malore, pastrimi i maleve nga barishtat dhe dushku i thatë, pastrimi i ambienteve malore nga mbeturinat, pajisja e Shërbimit të Zjarrfikësve me teknikë të nevojshme për fikjen e zjarreve në male, ngritja dhe aftësimi i mëtutjeshëm i kuadrit zjarrfikës për përdorimin e teknikës dhe fikjen e këtyre zjarreve, ngritja e vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë që kanë pyjet dhe mbrojtjen e tyre nga zjarri, përcaktimi i vendeve për vikend ose piknik, kufizimi i lokacioneve, ku dhe në çfarë kushtesh mund të përdoret zjarri i hapur, bashkëpunimi me qytetarë dhe organe të rendit dhe të tjera. Për të gjitha këto veprime, është e nevojshme që paraprakisht të përgatiten plane dhe programe.

Rajonipress : Zjarrfikësit thonë se kanë vështirësi në fikjen e zjarreve në pyje, sa janë reale këto vështirësi dhe pengesa ?

Hyseni: Janë shumë të vërteta dhe reale vështirësitë, me të cilat përballen zjarrfikësit dhe pjesëmarrësit tjerë në shuarjen e zjarreve. Zjarret në pyje paraqesin shumë vështirësi, madje edhe rrezik edhe zjarrfikësit. Zjarret, në shërbimin e zjarrfikësve, shpesh paraqiten me vonesa shumë të madhe, qoftë për shkak të kohës kur ndodhë zjarri, konfiguracionit të vendit, hamendjeve të qytetarëve dhe arsye të tjera dhe këtu nuk është faji i zjarrfikësve.

Pengesë paraqet edhe mungesa e teknikës së nevojshme për arritje te vendi i zjarrit, sepse zjarret shpesh ndodhin në lokacione, ku nuk mund të qasemi me automjete tonat për fikje.
Problem në vete është intervenimi gjatë natës, sepse përpos pengesave të cekura, rrezik për zjarrfikësit paraqesin edhe terri, temperaturat e larta dhe fryma dhe për pasojë mund të ndodhin edhe lëndime të rënda.

Uji Dea

Ndonjëherë, vështirësi në vete paraqitet edhe komunikimi, i cili ndodhë të mos funksionojë në terrene të caktuara. Por zjarrfikësit nuk kanë zgjedhje tjetër, pos të ballafaqohen me të gjitha këto vështirësi dhe rreziqe.
Për zjarrndezësit mbetet të mendojnë disa herë para se të ndezin dhe braktisin zjarrin në pyje dhe në afërsi të tyre, sepse një pakujdesi e vogël mund të lë pas vete dëme dhe pasoja shumë të mëdha.

Rajonipress : Cilët, sipas jush, janë shkaktarët më të shpeshtë të këtyre zjarreve ?

Hyseni: Ne, shkaktarët e zjarrit i ndajmë në disa grupe, por kryesori mbetet faktori njeri, i cili mund të jetë shkaktar i drejtpërdrejt ose i tërthortë i zjarrit në pyje. Shkaktar indirektë mund të cilësohen ata, të cilët me veprimet e tyre kontribuojnë në papastërti të ambienteve pyjore dhe rrugëve qarkulluese, qoftë publike, apo rrugë pyjore, duke hedhur mbeturina të ndryshme skaj rrugës apo në afërsi të pyjeve dhe të tjera.

Shkaktar direkt i zjarreve të pyjeve janë ata persona, të cilët në brendi ose afërsi të malit ose edhe rrugë skaj malit, apo nëpër vetë malin ndezin zjarr për qëllime të ndryshme dhe ndodhë ta lënë ashtu. Si pasojë, me ndihmën e frymës, kushteve të përshtatshme klimatike, zjarri mund të përhapet në pjesë tjera të malit dhe të përfshijë sipërfaqe të mëdha.

Struktura e njerëzve që shkaktojnë këto zjarre është e ndryshme, por në rastet më të shpeshta, zjarret i shkaktojnë barinjtë, druvarët, gjuetarët, punëtorët e pyjeve, vikendistët, kampistët, duhangjijtë dhe kalimtarët e rastit.

Zjarrfikësit, këto raste i quajnë si zjarre të shkaktuara nga pakujdesia e jo zjarre të shkaktuara me paramendim, edhe pse dëmet dhe pasojat mund të jenë të njëjta. Nuk përjashtohet mundësia edhe e ndezjes së maleve me qëllim, por këto raste janë shumë të rralla.

Zbrazjet atmosferike si shkaktar i zjarrit të pyllit janë shumë të rralla, sepse vetëtima dhe bubullima ndodhin kryesisht në fillim ose gjatë rënies së shiut, prandaj edhe kushtet e ndezjes së pylli janë minimale, por nuk përjashtohen tërësisht.

Rajonipress: A keni ju ndonjë këshillë si të zvogëlohen këto zjarre në të ardhmen ?.

Hyseni :Po, unë mendoj që në kuadër të Ministrive përkatëse, si që janë Ministria e punëve të brendshme, ajo e Bujqësisë dhe Pylltarisë si dhe Ministria e planifikimit Hapësinor bashkërisht, të hartojnë një plan dhe program si të pengohen ose të zvogëlohen paraqitjet e këtyre zjarreve sidomos atyre të paraqitura në ambientet e hapura si në fusha-ara , livadhe etj, por sidomos në pyje.

Këto plane dhe programe do të punoheshin nga kuadro të dëshmuara në karrierë dhe jo vetëm nga njerëz që posedojnë një letër për aftësi kurse në praktik nuk tregon asgjë profesionale ose mund të jep kontribut kundërproduktiv.

Ky plan dhe program duhet të përbëj:
Përmirësimin e rrugëve qarkulluese për automjetet emergjente nëpër male,
Pajisjet e nevojshme për fikjen e këtyre zjarreve,
Aftësimin e mirëfilltë të kuadrit zjarrfikës dhe vet zjarrfikësi, për këto zjarre.
Mbajtjen e ligjëratave në vendbanime të ndryshme sidomos atyre që janë më afër
maleve, për vetëdijesimin e shtetasve me rëndësinë e pyjeve, rreziqet dhe pasojat në rast se digjen ato.

Formimin e strukturave operuese në vendbanimet më shumë të rrezikuara nga këto
zjarre këto struktura apo njësi mund të jenë vullnetare dhe të veprojnë sipas nevojës.
Caktimin e vendeve lë lejuara për dalje në vikende dhe përdorimi i zjarrit të hapur, por nën kontroll, etj.

Realizimi i këtyre planeve dhe programeve do të kenë edhe harxhime jo të vogla financiare , por mendoj se ma mirë është të investohet në preventivë se sa në represive sepse harxhimet në represiv ose dëmet e shkaktuara nga zjarret nuk mund të parashikohen , mund të jenë shumë të mëdha dhe katastrofike / rajonipress/