FAK-un po e pengon Serbia

Një grup i deputetëve serbë është mbledhur dhe ka diskutuar çështjen e themelimit të FAK-ut, duke ardhur në përfundimin se nuk do ta mbështesin atë.
Kryeministri Hashim Thaçi ka harxhuar shumë kohë dhe energji me LDK-në për çështjen e ulëseve të rezervuara, përderisa nuk ka arritur të sigurojë ende votat e partnerëve të koalicionit qeverisës nga radhët e pakicës serbe rreth Forcave të Armatosura të Kosovës – shkruan gazeta Tribuna.
Seanca e Kuvendit për transformimin e Forcës së Sigurisë në Forcat e Armatosura është thirrur për të hënën, (sot).
Por, para fillimit të saj, pritet të mbahet një takim ndërmjet liderëve të partive politike.
Zhvillimet e fundit brenda partive politike serbe kanë treguar se ka fare pak gatishmëri që të japin votat e tyre për FAK-un në shkëmbim të ulëseve të rezervuara. Abstenimi i pakicës serbe nga votimi për themelimin e FAK-ut do të pamundësonte arritjen e kuotës prej dy të tretave të votave të pakicës, pasi që serbët përbëjnë numrin më të madh nga radhët e komuniteteve pakicë në Kuvend./Tribuna/