FAK, “kompromis” për vendet e rezervuara

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili të premten (sot) do të qëndrojë për vizitë në Kazermën e FSK-së “Adem Jashari” në Prishtinë, nuk do të mund t’i sigurojë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës se për një periudhë të shkurtër kohore do të mund të transformohen në ushtarë të Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK).
Për ta realizuar zotimin e dhënë në ditën e përvjetorit të gjashtë të pavarësisë së Kosovës se shumë shpejt FSK do të transformohet në FAK, atij i duhet të sigurojë realizimin e kompromisit me deputetët e komuniteteve, pakicë pasi që për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, nevojitet ndryshimi i nenit 126 të Kushtetutës. Në momentin që hapet Kushtetuta për këtë ndryshim, nevojiten 2/3 e deputetëve shqiptarë dhe 2/3/ e deputetëve të komuniteteve pakicë.
Ky edhe është momenti i shumëpritur ku minoritetet kërkojnë kompromis. Deputetët e pakicave janë të vendosur që nëse Thaçit i nevojiten votat e tyre, ai duhet të sigurojë së pari realizimin e kërkesave të tyre për vazhdimin edhe për një mandat të vendeve të rezervuara në Kuvend.
Thaçi edhe mund t’ua bëjë këtë premtim, por partitë opozitare si LDK dhe Vetëvendosje, janë zotuar se nuk ua japin minoriteteve edhe për një mandat vendet e rezervuara…(Tribuna).