RCCOLA

Faik Rexhepi nga Presheva : Përtej Atdheut tim nuk kam ku të shkoj !

/ 21 minuta lexim

Gjilan – Ekskluzive për “Presheva jonë” nga Prof.dr. Ramiz Abdyli. Cili është Faik Rexhepi, preshevari fjalëpakë me zemër të madhe. Akti guximtar i tij përballë policisë serbe para Hotel Grandit bëri jehonë e mori dhenë në mediat tona e më gjerë. Sa di opinioni ynë për Faik Rexhepin?! Si ndodhi ngjarja, dhe pse u shqua Faik Rexhepi nga të tjerët? .

Po cili është Faik Rexhepi?, Cili ishte Xheladin Kurbalija. Pasojat e atij çasti të guximshëm, dëbimi nga Presheva, puna e re krahëhapur në “Feronikel”, në Kosovë e veprimtaria e ngjeshur atje. Edhe më 1999 ai nuk lëvizi nga Kosova. Nuk lejohet të kalojë kufirin Kosovë Serbi për të vizituar të afërmit në Presheve- ”Këtej shqiptarë, andej shqiptarë, kufiri ndërmjet”, për gjitha këto shpjegon më poshtë shpjegon me fakte historiani ynë i mirënjohur prof.dr. Ramiz Abdyli për agjencinë informative kombëtare “Presheva jonë”.

Sa di opinioni ynë për Faik Rexhepin ?!

Në Historinë tonë më të Re, të periudhës postkomuniste, kemi njohur zhvillime të furishme, kemi mësuar për epope, e bëma të personaliteteve, si dhe prej figurave që i kanë mbijetuar dhunës e terrorit serb. Midis këtyre të fundit është edhe Faik Rexhepi, për të cilin është shkruar pak, madje shumë pak në raport me kontributin e tij , do të thoshim në raport me guximin e tij te rrallë, i cili përfaqëson qëndresën e pashembullt e simbolike duke e sfiduar policinë serbe me pozën e tij të njohur këmbëkryq para Hotel Grandit në Prishtinë më1990, me atë gjest guximtar, mbase të pashembullt për llojin e tij.

Është për t’u vënë në dukje se qëndrimi i pashembullt i F. Rexhepit, të do të shërbente si një ekzemplar i rrallë në masmedia për të shërbyer si një shembull i qëndresës së shqiptarëve në Kosovë, dhe përtej saj, në trojet Arbënore në periudhën para Luftës. Një guxim i rrallë që shëmbëlleu gjithandej në trojet tona, në Kosovë, në Shqipëri, Luginë të Preshevës, në Maqedoni e në Mal të Zi si një model i paparë deri atëherë i qëndresës antiserbe.

Për ngjarjen, para Hotel Grandit në Prishtinë më 1990, me interes të veçantë për historinë tonë më të Re shkroi i pari gazetari Zenun Çelaj, i cili gjestit trimëror të Faikut do t’ia kushtonte një faqe të gazetës “Zëri”, duke ia dhëne atij hakun. Në përvjetorin e kësaj ngjarjeje për të shkroi edhe Agim Zogaj. Në kuisin e TV shqiptar, më 1991 midis tjerash do te shtrohej edhe pyetja: Cili ishte motivi që e kishte nxitur Faik Rexhepin të qëndronte në pozicionin e tij të njohur këmbëkryq?! Për guximin e F. Rexhepit do të frymëzohej poeti e shkrimtari ynë i njohur, Rexhep Hoxha, duke përjetësuar atë ngjarje të rrallë në historinë tonë të re në një prozë të tij,ku ndër të tjera do të shprehej:”“[…] ajo skene, sa e tmerrshme, aq edhe zemërdhënëse, kur një bir i një nëne shqiptare ulet këmbëkryq mbi asfalt

Fotoja e Faikut këmbëkryq do të dukej në disa gazeta, televizione e në internet, madje edhe për ngjarje që nuk kishte të bënte me rastin e Faikut, siç ishin demonstratat e vitit 1981-shit atëherë kur i nevojitej dikujt ajo për t’i dhënë frymë e kuptim të veçantë asaj ngjarje.

Si ndodhi ngjarja, dhe pse u shqua Faik Rexhepi nga të tjerët?

Tregimi për Faik Rexhepin ngjau më 30 gusht të vitit 1990, me rastin e vizitës së miqve amerikanë (SHBA) në Kosovë T. Lantosh dhe Xh. Dioguardi. Lajmi për ardhjen e miqve të shtrenjtë nxitën dhjetëra mijëra të rinj për t’i pritur e përshëndetur ata jo vetëm nga të rinjtë e Prishtinës, e viset e tjera të Kosovës, por edhe nga Lugina e Preshevës dhe Maqedonisë.

Ata mikpritës liridashës, gumëzhitnin nga brohoritjet rrugëve të kryeqendrës së Kosovës. Qyteti sikur dridhej nga turma e madhe e brohoritjet e saj”USA-USA”,” mbahu nëno mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë” etj. Dhe, kur turma do të përqendrohej para Hotel Grandit, ku mysafirët ishin vendosur, duke i brohoritur pa ja nda SHBA-ve e Lirisë së Kosovës, policia serbe e armatosur deri në dhëmbë, kishte marrë urdhrin për të ndërhyrë, pa kursyer kërbaçët, gazin lotsjellës e topthat e ujit.

Në rrethanat e krijuara, secili prej demonstruesve duhej të gjente rrugëdaljen për t’i shpëtuar ndërhyrjes mizore të këtyre forcave. Në atë rrëmujë, kur policia speciale serbe do të fillonte të godasë pamëshirshëm, sa çel e mbyll sytë turma dhjetëra mijëshe do të shpërndahej, kush kah sytë këmbët. Dhe, në ato çaste kritike Faik Rexhepi do të vendoste të mos ndiqte rrugën e demonstruesve të tjerë, sepse ishte lodhur nga ajo mënyrë e protestimit, por vendosi të qëndronte aty, për të sfiduar policinë serbe, duke marrë pozicionin e mirënjohur: Këmbëkryq me një dorë në mjekër, tjetrën në gju, duke lënë përshtypjen e një medituesi të thellë,I vendosur për të mbrojtur duar thatë Lirinë e Kosovës e të shqiptarëve, me domethënien “Përtej Atdheut tim nuk kam ku të shkoj”. Simbolika e asaj poze ishte mahnitëse e fantastike për ndonjë demonstrues të lënduar që kishte mbetur aty, edhe për policinë serbe, sepse nuk i kishte shkuar mendja askujt deri atëherë ta bënte një trimëri të tillë.

Në ato çaste kur njeriu vendos ta sfidojë vdekjen ka sigurisht motivin e atdhedashurisë së rrallë, sepse i dhuron atdheut më të çmuarën, më të shenjtën-jetën. Njëri nga pjesëmarrësit e asaj demonstrate, pjesëtar i Batalionit “Atlantiku”të UÇK-së, Ukë Lushi, do ta kujtojë këtë ngjarje vite më vonë në kujtimet e tij për këto çaste:” Besoj se shumë njerëz ende e kujtojnë një fotografi të fotoreporterit të përjavshmes “Zëri”, Hazir Reka, të një njeriu i ulur këmbëkryq dhe me faqen lëshuar në pëllëmbën e dorës së majtë përpara hotel “Grand (….) nja dhjetë a dymbëdhjetë policë, të ngarkuar me të gjitha pajisjet luftarake, që shkonin si egërsira drejt tij .Në prapavijë të tij shihen me qindra demonstrues duke ikur me vrap duke ikur nga policia si nga djalli. Ai qëndroi i ulur dhe ata e goditën pamëshirshëm me kërbaç, derisa humbi vetëdijen për pak çaste….”

Gruaja trimëreshë që mori guximin ta shpëtonte Faikun nga kthetrat e xhelatëve, të dërmuar rëndë nga të rënat e shkopinjve, kondakëve të automatikëve e shqelmave ishte Fahrije Morina, një sportiste e shkathët. Ajo kur e pa që mbi Faikun kishin hipur disa policë duke i rënë sa po mundeshin me shkopinj gome, grushte e shqelma do t’u bërtiste atyre me një ton kërcënues; ”Si nuk ju vjen turp, jeni duke e mbytur njeriun”. Do t’u afrohej atyre dhe përsëri me ton të lartë do të përsëriste me gjithë fuqinë fjalën ”Lëshojeni”.

Megjithatë, ata do të vendosnin ta çonin në stacion të policisë. Dhe kur po e tërhiqnin zvarrë për ta hipur në xhip, ajo përsëri do tu thoshte më një zë kërcënues ”Ku po e çoni, si nuk ju vjen turp”. Ata do të stepeshin e për një çast e do ta lenin të lirë Faikun, gjysmë të vdekur, sigurisht me urdhrin eprorit të tyre. Fahrija guximtare, do ta merrte përkrah Faikun e do ta hipte në makinë dhe do ta shpinte në shtëpinë e saj për t’ia dhënë atij ndihmën e parë. Pas ndonjë ore ai do të vinte në vete e do të shkonte në shtëpinë e tij si një fitues i madh në zymtësinë e Kosovës.

Guximin pashoq të llojit të tij më së miri do ta përjetësojë Rexhep Hoxha në një përmbledhje prozash:”[…} kujt si kujtohet ajo skena, sa e tmerrshme, aq edhe zemërdhënëse, kur një bir i një nëne shqiptare ulet këmbëkryq mbi asfalt . Ulet si far shkëmbi i rrokullisur prej malit dhe s’ luan breshkat e çelikta, i hipur përsipër për ta dëmtuar por ai qëndron i patundur . Ku është ai tash, pyet Kosova…” Çdo koment i këtij frymëzimi për të përjetësuar një ngjarje realiste do të ishte i tepërt, sepse Faiku me aktin e tij ai e përjetësoi veten në Historinë tonë më të Re.

Pasojat

Faiku në ditët në vijim do të thërritej nga policia serbe e do të merrej në pyetje e do t’i kërcënohej se do të dënohej për qëndrimin Këmbëkryq me disa vite burgim, madje do të përdorej metoda e frikësimit se do të likuidohej, duke ia lënë rrugën e hapur dritaren e hapur për shpëtim, siç veprohej në këto raste e që ishte arratisja jashtë vendit, që do të thoshte, një armik më pak.

Kërcënimi do të përsëritej disa herë nga kjo polici. Do të mbahej me orë të tëra për ta frikësuar e detyruar që të merrte arratinë Faiku ishte i vendosur të qëndronte në truallin e stërgjyshërve të tij me çdo çmim. Ai në këto raste do të pëshpëriste: “Ju jeni të fortë, e mund të bëni çfarë të doni, por unë këtë kam Atdhe , nuk kam ku të shkoj përtej tij”. Dhe kështu radhazi, ky refren ,do të përsëritej për të satën herë. Zonja e tij, Hyria, e frikësuar për fatin e të shoqit e të fëmijëve ende të vegjël i ishte mbushur mendja se rruga e vetme e shpëtimit ishte largimi diku gjetiu jashtë Kosovës në Preshevë, apo në Perëndim, por Faiku ishte i vendosur si gjithnjë për të mos lëvizur këmbën nga Kosova.

Do t’ia kthente edhe asaj për të satën herë “Ky është Atdheu im, përtej tij nuk kam ku të shkoj”. Për këtë ishte i vetëdijshëm, sepse, edhe arratisja jashtë vendit nuk ishte asfare, madje edhe atje vepronin duart e zgjatura të sigurimit shtetëror serb. Po a nuk i kishin likuiduar atdhetarët e devotshëm si Jusuf Gërvallën, Bardhoshin, Kadri Zekën, Enver Hadrin e të tjerë. Prandaj qëndrimi në Atdhe kishte domethënie shumëfishë më të madhe.

Nuk ka dalë rastësisht fjala e urtë “Guri peshon më shumë në vendin e vet”. Prandaj Faiku ishe i vendosur të qëndronte këtij. Po të donin ata të sigurimit serb do ta arrestonin e do ta vrisnin, por në Atdheun e tij, pranë të afërmve e miqve të shumtë. Nga përndjekjet ai ishte lodhur prandaj e kishte ndarë mendjen, le të bëhej çfarë të bëhej. Dhe, kur ata të sigurimit do të konstatonin se ai nuk frikësohej prej fjalëve nuk do të thërritej në polici.

Po cili është Faik Rexhepi?

Faiku është preshevas, i lindur në një familje zejtare të asaj qyteze, më 1941, në familjen e Kelmendeve. Që nga vegjëlia ai do të mësonte shumëçka nga prindërit e tij, sidomos nga e ëma, Eminja, për pushtuesit e huaj, sidomos atë serb. Ajo ishte nga dera e një familje të shquar atdhetare të Kurbalisë së Karadakut, motra e Xheladin Kurbaliut, personalitet me famë në Karadak, Luginë, e më gjerë në trojet etnike shqiptare. Ai nga motra e tij kishte mësuar shumëçka për politikën e egër të pushtuesve, serbë. Ai për këto kishte mësuar gjatë qëndrimit disavjeçar në kazamatin e Nishit në periudhën midis dy luftërave botërore.

Faiku për nënën e tij do të shprehej: ”Ajo në fakt ishte frymëzuesi kryesor i imi,burimi i informacioneve të shumta(…)”. I kujtohet atij kur policia serbe në fëmijërinë e tij kishin mësy shtëpisë së tyre në Preshevë, në kërkim të Xheladin Kurbalisë (1946), duke kërkuar gjithandej në oborr e nëpër dhoma, madje duke gërmuar nën dhe e nën dysheme, pa kursyer dëmet materiale. Ajo do t’u kundërvihej atyre “Çfarë po kërkonin nën dhe, pse po gërmoni nën dysheme, mjaftë më se m’i frikësuat fëmijët, shkoni e lypeni gjetiu?!”.

Hidromorava

E ëma e tij i kishte treguar Faikut, e për këtë kishte kuptuar edhe nga të tjerët se Xheladin Kurbalija, kishte luajtur një rol me rëndësi në historinë e Preshevës të periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe menjëherë pas përfundimit të saj. Ai fillimisht do të rreshtohej në krahun komunist të Lëvizjes, e më pas, nga tetori i vitit 1942, kur do të përjashtohej nga Aradha “Zenel Hajdini”, pasi nuk kishte pranuar qenien e Zhivojin Nikoliq Bërkës komandant i aradhës së bashkuar shqiptaro-serbe, një gjakpirësi të shqiptarëve të anës së Kumanovës e të Preshevës.

Xheladini më pas do të largohej nga kjo Lëvizje, për t’iu bashkuar forcave të Lidhjes se Dytë të Prizrenit, më 1943. Dhe, kur në shtator të vitit 1944 do të kapitullonte Bullgaria fashiste, e në Preshevë e në trevat shqiptare të anës së Bujanocit e të Kumanovës do të shtrihej pushteti i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Xheladini do të ngriste flamurin shqiptar në Xhaminë e Preshevës,në atë xhami ku ishin vrarë 28 shqiptarë në shtator të vitit 1943 nga çetnikët serbe, në bashkëpunim me partizanët. Ai ishte njëri nga komandantët e këtyre forcave që luftuan përgjatë vijës hekurudhore Shkup-Bujanoc-Vrajë, ku do të zhvilloheshin përleshje të përgjakshme dymujore (shtator-nëntor 1944) midis forcave shqiptare dhe atyre partizane-çetnike serbo maqedonase si dhe Armatës së Tretë Bullgare.

Më pas, ai do t’u bashkohej forcave të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH), të cilat do të zhvillonin luftë guerile gjithandej trojeve shqiptare kundër komunizmit e për krijimin e Shqipërisë Etnike, kur edhe do të kapej e do te vritej në pabesi.

Faiku shkollimin fillor e te mesëm do ta merrte në Preshevë, ndërsa atë sipëror në Beograd, (Fakultetin e Shkencave Natyrore, degën e Kimisë). Më pas ndoqi ligjëratat e Studimeve Pasuniversitare në Zagreb, do të jepte provimet e parapara e do të shkruante versionin e parë të temës se magjistraturës, por ngjarjet e vitit 1981 ishin vendimtare për të, që të hiqte dorë nga magjistrimi, shih atëherë kur ishte në prag të marrjes së këtij titulli. Faiku pasi do të diplomonte në Beograd do të kthehej në vendlindje për të dhënë kontributin e tij. Por pati vështirësi derisa u punësua, ndonëse profesorët e diplomuar atëbotë ishin të paktë në Preshevë. Ai gjeti punë në Gjimnazin e Preshevës e në Shkollën Teknike.

Faiku, aty me kalimin e kohës do të gjente një grup bashkëmendimtarësh për të krijuar një bërthamë të veprimtarëve atdhetarë në Gjimnaz e më gjerë. Me atë grup si: Fehmi Kelmendi, Ramil Nuhiu, Qerim Arifi, ia dolën të bindin kolektivin e gjimnazit “Skënderbeu” të shënohej përvjetori i ditës së Flamurit Kombëtar, respektivisht shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntori i vitit 1968, me ngritjen e Flamurit dhe shfaqjes së një programi me një recital kushtuar kësaj feste të shenjtë kombëtare do të ngjitej në lartësitë e ndërtesës së shkollës, po edhe programi, sidomos me një recital me vjersha kushtuar Flamurit, Faiku do të ndjehej krenar për shënimin e kësaj dite të kombit në Preshevë, sikurse daja i tij, Xheladini që ngriti Flamurin në Xhaminë e Preshevës.

Faiku që në vegjëli e kishte pasur shembull dajën e tij e mëtonte të shkonte pas gjurmëve të tij. Ngritja e flamurit në ndërtesën e gjimnazit të Preshevës pas 24 vitesh shënonte një ngjitje të dukshme të Faikut me shokë; Një dalje në shesh e ëndrrave te tyre rinore, e sipas shembullit te dajës se tij, Xheladin Kurbaliut.

Ngritja e flamurit kombëtar në ndërtesën e Gjimnazit të Preshevës përbënte kulmin e shqetësimit e të zemërimit të organeve te sigurimit shtetëror serb , pas daljes në mal të Ali Aliut-Kelmendi për organizimin e kryengritjes së armatosur, vite më parë.

Dëbimi nga Gjimnazi i Preshevës

Organizimi i këtij manifestimi si dhe puna e zellshme në shkollë do t’i nxiste organet e Sigurimit Shtetëror që më pas Faiku të flakej nga puna. Arsyetimin për këtë do ta gjenin, se ai nuk ishte në linjën e “përshtatshmërisë ideopolitike”, se përbënte rrezik për “Vëllazërim bashkimin” e, se veprimi i tij ishte në shërbim të “irredentizmit e të nacionalizmit shqiptar”. Faiku do të largohej nga puna me një brengë të pashlyeshme në jetën e tij, sepse nuk iu lejua të kontribuonte në ngritjen e brezit të ri e një taban mirëfilli kombëtar në vendlindjen e tij. Megjithëkëtë organizimi i Ditës së Flamurit, si dhe puna e tij e frytshme me nxënësit kishin lënë gjurmë të pashlyeshme tek nxënësit e gjimnazit, tek qytetarët e Preshevës, rrethinës e më gjerë.

Punësimi në “Feronikel” dhe veprimtaria atdhetare atje

Shumë kuadro të mira shqiptare, profesionalisht e kombëtarisht të formësuar, të Luginës së Preshevës e Maqedonisë pasi largoheshin nga vendi i punës në vendlindje për “veprimtari irredentiste”, do të gjenin punë e strehë të sigurt në Kosovën Nënë, e cila, ndonëse ishte në gjendje të mjeruar ekonomike, do t’i priste ata krahëhapur. Ai do të punësohej në gjigantin ekonomik të Kosovës “Feronikel”, në cilësinë e teknologut të kimisë, ku në fakt prodhohej për interesat e Serbisë, tregun e saj ekonomik.

Faiku në punën e re, në “Feronikel” do të gjente ngrohtësinë vëllazërore të shumë të punësuarve nga të gjitha viset e Kosovës, sidomos të kuadrit me kualifikime të larta, do të krijonte rrethin e ri të shokëve, me të cilët do të organizonin punëtorët e këtij gjiganti ekonomik kundër padrejtësive që i bëheshin Kosovës nga Serbia. Bashkë me grupin e tij të ngushtë do të organizonin demonstrata të mëdha që kishin shpërthyer në të gjitha qytetet e Kosovës kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës, më 1989.

Në njërën nga këto demonstrata, në përleshje me policinë, do të vriteshin tre protestues. Faiku në një tubim, me këtë rast, do të binte në konflikt me stafin drejtues të ndërmarrjes, i cili ende nuk po këndellej për të parë padrejtësitë që i bëheshin Kosovës nga Serbia.

Faiku me disa shokë do të formonin Organizatën e Pavarur të Punëtorëve të ”Feronikelit”, për t’u vetorganizuar më mirë në rrethanat e reja, pas suprimimit të autonomisë së Kosovës nga Serbia, kur edhe organizatës së tij i erdhi drejtoria e dhunshme, me të cilën Faiku me shokë ra në konflikt me të e nuk e pranoi atë drejtori si legjitime. Faiku do t’u thoshte punëtore që të mos prodhonin shumë xehe, sepse, sipas tij “Çdo kilogram i saj do te kthehej në plumba për ta vrarë popullin e Kosovës” dhe këtij objektivi do t’ia dilnin pasi do të ngrihej ndërgjegjja kombëtare e punëtorëve.

Atyre më vonë, do t’u kujtohej e do të bindeshin në këto fjalë të Faikut. Ndonëse ai do të pushohej edhe nga kjo punë, më 1991, veprimtarinë e tij nuk do ta ndërpres. Ai më pas do të punësohej në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës për mbledhjen e kontributeve (3%). Këtë punë, jo të lehtë, por të domosdoshme, Faiku do ta kryej deri në bombardimet e NATOS në Kosovë (24 mars 1999), rrjedhimisht pas Çlirimit të Kosovës, kur ai do të konsiderojë se nuk kishte më nevojë të organizohej politikisht.

Nuk pranoi ta braktisë Atdheun, kur ndodhi eksodi i madh më 1999

Faiku do ta përjetonte shumë rëndë eksodin e shqiptarëve nga Kosova, pas 24 marsit të vitit 1999, kur filluan bombardimet e NATOS. Kolonat e pafund që po shkonin drejt rrugës së Shkupit krijonin përshtypjen tek ai se Kosova po zbrazej, e që kjo përbënte tragjedinë e popullit shqiptar. Ai kishte bërë përpjekje në disa raste për t’i bindur ata të mos lëshonin Prishtinën e Kosovën, i bindur siç u thoshte ai, se “Prishtina e Kosova e zbrazur i shkon për shtat planeve të Serbisë ,e se, “Ky ishte objektivi i politikës së Millosheviqit”. Këto ishin arsyet që Faiku kishte vendosur të mos e ndiqte shembullin e asaj mase të madhe, që sipas tij, po shkonin në një rrugë të pa kthim, me bindjen “Më mirë të vdesësh së të braktisësh Kosovën”. Këtë ua kishte thënë për të satën herë miqve të tij të afërt. Do të qëndronte në banesën e tij, në Kodër të Diellit, bashkë me zonjën e katër fëmijët, për tre muaj rresht.

Faiku njihet edhe për dashamirësi. Këtë virtyt ai do të dëshmojë edhe në kohë të vështira,përgjatë viteve të shtetrrethimit ushtarak e policor serb në Kosovë(1988-1999),kur nuk ngurroi t’i shoqëronte me makinë veprimtarin shquar Ali Aliun me zonjën e tij nga Prishtina në burgun e Dubravës, që të vizitonin djalin e tyre Liburnin. Ky refren do të përsëritej për të satën në atë relacion në rrugën përmes postblloqeve, të cilat ndër kalimtarë ngjallnin frikë e tmerr.

“Këtej shqiptarë, andej shqiptarë, kufiri ndërmjet”?!

Faiku pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova do të parapëlqente të tërhiqej në shtëpinë e tij, duke ngjitur skajin me skaj të muajit me “pensionin” simbolik. Ndonëse në rrethanat e reja rrethi i shokëve do t’i zvogëlohej. Ai do të besonte fuqishëm për ditë më të mira për Kosovën, Luginën e Preshevës e të trojeve të tjera shqiptare të mbetura jashtë kufijve të shtetit shqiptar tash e 100 vjet. Do të hiqte mërzinë kur shkonte ndonjëherë në Preshevë e do të takohej me të afërmit e tij e shokët e rinisë. Por pas vitit 2002 ai nuk u lejua të shkonte atje me letërnjoftimin e Kosovës.

Do të detyrohej të kthehej mbrapsht mu nga lartësitë e Karadakut, ku ishte vënë pikëkalimi i ri midis trojeve shqiptare. Faiku do të kthehej me zemër të thyer, por megjithatë me shpresë se do të shkonte në Preshevën siç e kishte ëndërruar që nga rinia e tij. Kështu ndodh në kohën tonë përballë realitetit të ri politik të shqiptarëve: “Këtej shqiptarë, andej shqiptarë, kufiri ndërmjet”?!.

Çdo shqiptar sigurisht se është ndjerë krenar më guximin e pashoq të Faik Rexhepit,i cili gjithë jetën i qëndroi besnik idealeve të paraardhësve te preshevasve trima që flijuan jetën për lirinë e vendit, ndërsa Faiku duke ndjekur shembullin e tyre kishte vendosur për një çast t’u rrinte përballë xhelatëve serbë me qëndrimin Këmbëkryq,duke shënuar një faqe të ndritshme të historisë sonë.