Mobi Casa

Facebook në krizë, kërkon “ndihmë” nga fëmijët

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Ndoshta nuk e dini, por fëmijëve nën 13 vjeç momentalisht u ndalohet përdorimi i rrjetit social Facebook.

Megjithatë, duket se ky rregull do të ndryshojë së shpejti, pasi për Facebook-un është e domosdoshmëri tërheqja e përdoruesve të rinj. Krahas kësaj, është e dëshirueshme që ata të jenë përdorues që janë subjekt i marketingut online. “Targetimi” i fëmijëve duket si hap i logjikshëm, sidomos kur me “pakon” me fëmijë vijnë edhe prindërit e shqetësuar.

Debakli në tregun e aksioneve ka tronditur seriozisht Facebook-un. Aksionet e rrjetit më të popullarizuar social, që në bursë kanë dalë me çmimin 38 dollarë, kanë rënë për 30 për qind. Dhe, ato vazhdojnë të bien e do të ndalen, siç vlerësojnë ekspertët, në çmimin e 10 dollarëve.

Arsyeja për rënien drastike të vlerës fshihet pikërisht tek marketingu. Studimet kanë treguar se shumica e përdoruesve në Facebook nuk i vërejnë reklamat në këtë rrjet social dhe se vetëm çdo i pesti klient për reklamat e Facebook-ut paraqet një blerës potencial.

Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë se për shumë përdorues Facebook-u është bërë bajat. Madje, 34 për qind e përdoruesve të këtij rrjeti tash kalojnë më pak kohë aty se para gjashtë muajve. Mu për këtë, numri i përdoruesve të rinj po rritet çdo herë e më ngadalë.

Kur kësaj i shtohet fakti se gjithnjë e më shumë përdorues të Facebook-ut lidhen përmes celularëve dhe tabletëve, ku reklama edhe më pak gjen një terren pjellor, i bie që për shpalljet aty mund të llogaritet tek një pjesë shumë e vogël e 900 milionë përdoruesve të këtij rrjeti shoqëror.

KKVITI

“Wall Street Journal” ishte i pari që publikoi informatën se Facebook planifikon të hap “faqen” për fëmijët nën 13 vjet. Me këtë qëllim në mendje, në proces është përpunimi i aplikacioneve të cilat prindërve do t’ua mundësojnë kontrollimin e jetës shoqërore të fëmijëve të tyre në internet.

Prindërve do t’ju jepet mundësia të vendosin se cilën ftesë për “miqësi” fëmijët e tyre mund ta pranojnë dhe se cilat aplikacione mund t’i përdorin. Në mesin e aplikacioneve do të ketë shumë lojëra, të dedikuara për fëmijë, disa nga të cilat nuk do të jenë krejë falas, gjë që hap mundësinë për të ardhura shtesë.

Ideja është që profilet e fëmijëve të jenë të lidhura me profilet e prindërve, që prindërit ta dinë në çdo moment se çka fëmija po bën në internet. Kjo është, natyrisht, metoda tjetër për të rritur numrin e përdoruesve, pasi prindërit duhet të hapin profilin e tyre nëse deri tash nuk e kanë bërë këtë gjë.

Për shkak të idesë për të përdorur fëmijët si një burim i të ardhurave shtesë, krerët e Facebook-ut tashmë janë sulmuar nga ligjvënësit amerikanë. Këshilli i Kongresit për mbrojtjen e privatësisë ia ka dërguar Mark Zuckerbergut një letër në të cilën, siç raporton “Bloomberg”, kërkohet prezantimi i detajeve të këtij plani. Këshilli paralajmëron se të dhënat personale të fëmijëve nuk duhet të përdoren si mjet i përfitimit.

Përgjigja e Facebook-ut ka ardhur në një version të shkurtë për “Mashable”: “Shumë raporte të kohëve të fundit kanë treguar se është e pamundur të ketë kufizime në internet, sidomos kur shumë prindër duan që fëmijët e tyre të kenë qasje në përmbajtje dhe në shërbime të internetit “.

Në fakt, hulumtimi i vitit të kaluar i bërë nga Microsoft, ka treguar se në Facebook profile kanë së paku 7.5 milionë fëmijë nën moshën 13 vjeçe. Nga këta, afro pesë milionë janë më të rinj se 10 vjet. Gjithashtu, 36 për qind e prindërve janë të vetëdijshëm e fëmijët e tyre të mitur përdorin Facebook-un, e madje i kanë ndihmuar ata që t’i krijojnë profilet me datat e rrejshme të lindjes. /Telegrafi/