RCCOLA

Fabrika e radiatorëve “Enrad” në Gjilan tregohet e suksesshme

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Fatmir Rexhepi ish ministër dhe zyrtar i lartë në LDK tani është kthyer në Gjilan për të menaxhuar me fabrikën e njohur të radiatorëve. Rexhepi për rajonipress shpalos sukseset dhe investimet e mira që janë bërë në fabrikën “Enrad” e cila ka të punësuar mbi 300 punëtor dhe llogaritet si njëra nga fabrikat që mund të quhet si storie e suksesit nga fabrikat e privatizuara në Kosovë.

Fatmir Rexhepi për pak kohë është ndarë nga politika. Ndonëse edhe aty ishte i suksesshëm tani Rexhepi ka një detyrë edhe më sfiduese për të quar përpara projektet që ka paraparë pas privatizimit të ish fabrikës së radiatorëve.

Rexhepi për rajonipress shpalos tërë ecurinë e zhvillimit të fabrikës e cila tani quhet “Enrad”. Rexhepi i cili në fabrikë ka pozitën e menaxherit për zhvillim dhe investime thotë se aktualisht në fabrikë janë të punësuar 300 punëtor të cilët pagat i marrin rregullisht dhe me kohë.”Jemi në sezonin e dytë dhe deri tashti i kemi përmbushur të gjitha obligimet dhe detyrat që i parasheh Spinofi Special. Në planin e zhvillimit dhe të investimeve kemi arritur të investojmë rreth 1.5 milion euro në infrastrukturën teknologjike, në ambientet e punës si dhe në modernizimin e linjave teknologjike”.

Rexhepi thotë se me kapacitetet e reja teknologjike është rritur edhe cilësia e prodhimit. “Kemi rritur 100 % kualitetin e prodhimit dhe kemi standard të lartë”. Sipas tij kualiteti i lartë ka bërë që tani 50% e prodhimit të tyre të eksportohet në Greqi, Serbi, Shqipëri, Maqedoni.

Rexhepi mendon se deri në fund të vitit edhe do të përfundojë programi për marrjen e ICO standardeve si dhe certifikimin e prodhimeve që kërkohen pikërisht nga këto standarde.

Ai thotë se fabrika e radiatorëve “Enrad” tani më ka bërë një emër të madh dhe qysh tani i ka kushtuar rëndësi prezantimit nëpër panaire të ndryshme profesionale duke filluar nga Shkupi, Beogradi, Tirana etj.

Sipas tij radiatorët e rinj dhe modern janë pritur mirë në tregun vendor dhe të huaj. “Tani i prodhojmë të gjitha llojet e radiatorëve, pastaj radiatorët gypor për banjo e sanitari dhe kuzhina të cilat i plasojmë në Itali e Gjermani”.

Fundamenti

Rexhepi tha se janë duke planifikuar edhe investimin në programe të reja siç është prodhimi i kaldajave për ngrohje si dhe ajo në energji solare. Rexhepi mendon se të gjitha këto prodhime të reja do të kenë edhe një teknologji tejet të avancuar.

Ajo çka e preokupon Rexhepin është fakti se mungojnë njerëzit profesionist apo të zanatit.”Paramendojeni kemi mungesë të saldueseve dhe jemi të detyruar që të dërgojmë njerëzit tanë në seminare e trajnime jashtë vendit”.

Rexhepi ndërkaq thotë se ka bashkëpunim të mirë e profesional me AKP. “Ambienti ekonomik duhet të ndryshojë në favor të investitorëve në Kosovë dhe politika duhet të jetë në funksion të stimulimit të sektorit prodhues”.

Rexhepi mendon se duhet të ulen taksat doganore, duhet të ketë konkurrencë në treg sepse evazioni po e shkatërron prodhimin e brendshëm, pastaj mungon fondi për investime në Kosovë, derisa kamatat janë të larta.

Pavarësisht këtyre vërejtjeve Rexhepi tha se kanë bashkëpunim të mirë me Qeverinë, ministritë përkatëse, AKP e cila rregullisht auditon punën tonë.

Rexhepi tha se menaxhmenti i fabrikës ka arritur të realizojë synimin kryesor që në Gjilan të sjellë një fabrikë moderne me prodhime të standardeve të larta e ku përfitues të katis suksesi normalisht që janë edhe qytetarët e Gjilanit. /rajonipress/