Evropa, shtëpia jonë e përbashkët

/ 15 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Lisen Bashkurti – Java e parë e Majit na risjell në mëndje Evropën, historinë, identitetin, kontributet e saj botërore, vlerat mbi të cilat ngrihet, sfidat me të cilat përballet. Është një javë meditimesh, por edhe reflektimesh për atë që është bërë mirë, që nuk është bërë mirë ose mund të bëhet ndryshe. Me fjalë të tjera, java e parë e majit të çdo viti është ‘Evropa, mësime për të mos u harruar’.

1. Themelet e Evropës, baza të civilizimit botëror

Për shumë shekuj civilizimi botëror ka pasur në qendër të formësimit të tij Evropën. Prej këtij Kontinenti të lashtë kanë nisur dhe kanë marrë formë ato lëvizje të mëdha që kanë hedhur themelet e Kontinentit dhe prej tij kanë gjeneruar si baza të mbarë civilizimit botëror. Për qindra vite Bota ka pasur në qëndër të frymëzimit të saj Evropën. Eurocentrizmi ka qenë forca gravitacionale që ka krijuar dhe nxitur përparimin anë e mbanë botës, nga Lindja në Perëndim, nga Veriu në Jug.

Rilindja Evropiane është lëvizja e parë madhore që u reflektua në mbarë qytetërimin botëror. Ajo ishte një nga periudhat që realizoi tranzicionin e Evropës nga Mesjeta drejt modernitetit, përgjatë shekujve 15 dhe 16-të. Rilindja solli jashtëzakonisht ndryshime shoqërore në Evropë dhe hodhi themelet e Evropës moderne. Rilindja solli risi të pafundme në kulturë, art dhe letërsi. Rilindja nga shumë kush është konsideruar si revolucion human, intelektual dhe shpirtëror, duke marrë si shembuj gjenialitetet e Leonardo Da Vincit dhe Mikël Angjelos, bashkëkohësve dhe pasuesve të tyre në Itali dhe në mbarë Evropën. Rilindja pati karakteristikat e saj të spikatura dhe unike, të cilat përfshinin ringjalljen e interesit për botën antike, Greke dhe Romake, ngritjen e filozofive humaniste, pra me qendër njeriun, vlerat, botën dhe interesat e tij siç janë besimi në vetvete, qwnia njerëzore dhe dinjiteti njerëzor, si dhe ndryshimet radikale në idetë rreth fesë, politikës dhe shkencës. Rilindja Evropiane la pas tre vlera madhore në themelet e Evropës. Këto ishin humanizmin, individualizmi dhe skepticizmi or racionalizmin, vlera të cilat u pasqyruan gjerësisht përmes arkitekturës, letësisë, pikturës, skulpturës dhe shkencës së kohës. Rilindja mbetet guri i parë themelor i Evropës moderne.

Reformacioni përbën lëvizjen e dytë madhore, që hodhi themele të reja mbi mugëtirën e Mesjetës, që nxori në dritë sekularizmin, racionalen, përparimtaren. Reformacioni ishte një lëvizje e fuqishme që pasoi Rilindjen, vazhdoi vlerat e saj dhe avancoi me ndryshime të thella transfromuese në fe dhe në politikë. Refomacioni, që preku hapësirën kristiane të Evropës Perëndimore, solli ndryshime reformatore mbi Kishën Katolike Romake, në dokrtinën dhe në praktikat e saj si dhe autoritetin e Papës, në mënyrë të veçantë. Reformacioni si lëvizje e fuqishme Evropiane nisi nga fillimi i shekullit 16-të në Gjermani i udhëhequr nga Martin Luteri. E njohur gjerësisht si protestanizëm, kjo lëvizje e fuqishme, e ndau Kishën Katolike tradicionale nga ajo reformiste. Reformacioni ishte akt reformues i shtetit, politikës dhe i kishës, ishte hapje e rrugës për sekularizmin e shtetit, shoqërisë, edukimit dhe shkencës Kjo lëvizje do e përgatiste Evropën drejt demokracisë moderne, skepticizmit, kapitalizmit, individualizmit, te drejtave civile dhe shumë vlerave të tjera që shquhen deri në ditët tona. Reformacioni protestant ngjalli brenda kishës dhe mbarë shoqërisë pasionin për dijen dhe shkencën, për laicizmin dhe metafizikën.

Iluminizmi do të shënonte lëvizjen e tretë madhore që do linte pas absolutizmin dhe vinte në dritë legjitmitetin e arsyes, legjitimes, demokracisë dhe vlerave të saj në shekujt 17 dhe 18 të. Iliminizmi Evropian ishte me impakte të jashtëzakonshme në Kontinent dhe në botë, në kohën kur ndodhi dhe në të ardhmen. Kjo lëzizje përfshiu një tërësi idesh që vinin në qendër të tyre arsyen e sovranitetit shtetëror, të rëndësisë së burimeve kryesore të dijës, arsyes dhe logjikes dhe idetë e përparuara të tilla si liria, progresi, ttoleranca, vëllazëria, qeverisja konstitucionale dhe ndarja e kishës nga shteti. Iluminizmi hodhi themelet e gjashtë ideve të mëdha që kishin të bënin me deizmin, liberalizmin, republikanizmin, konservatorizmin, tolerancën dhe përparimin shkencor. Këto ide brilante hodhën themelet e demokracisë, legjitimitetit të pushtetit nga vota e lirë, ndarjes së pushteteve, lirive universale të njeriut me ndikim në Evropë, por edhe me impakte në realizimet madhore dhe unike në Shtete e Bashkuara të Amerikës. Intelektualët iluministë si Xhon Lok, Volter, Ruso zhvilluan idetë racionaliste, empiriste, progresiste dhe kosmopotaniste. Më tej, idetë e iluministëve Evropiane i zhvilluan dhe i realizuan në praktikë Etërit themelues të ShBA. Kështu iluminizmi frymëzoi lindjen e një sistemi të ri politik kundër absolutizmit, si sistem i vjetruar pa legjitimitet, pa arsye, pa dobi, pa drejtësi dhe pa prosperitet. Iluminizmi frymëzoi Revolucionin Francës më 1789 dhe më pas Revolucionin Amerikan. Këto dy revolucione i ndrinë sistemit demokratik, qeverisjes legjitime, ndarjes dhe balancimit të pushteteve, lirive dhe të drejtave të njeriut, ekonomisë se tregut të lirë.

Revolucioni industrial do shënonte lëvizjen e katërt në Evropë, i cili do të shkëpuste sistemin ekonomik nga të trashëgimisë feudale pronësore dhe nga marrëdhëniet e punës të ngritura mbi tokën dhe do hidhte themelet e industrializimit e bashkë më të do revolucionarizonte sistemin ekonomik, tregtinë, infrastrukturën, urbanizimin, teknikën, teknologjinë dhe shkencën, sikundër edhe organizimin social. Revolucioni industrial shënoi një tranzicion të thellë ekonomik e social nga fundi i shekullit 18-të dhe gjysma e parë e shekullit 19-të në Evropë dhe në Amerikë. Revolucioni industrial, i definuar nga dijetari Arnold Tojnbi filloi në Angli dhe më pas u përhap anë e mbanë botës. Ky revolucion transformoi ekonominë, nga ekonomi e bazuar në bujqësi dhe artizanat, në një ekonomi të bazuar gjerësisht në industrinë mekanikë dhe sistemin e fabrikave. Makina të reja, burime të reja energjie, mënyra të reja të organizimit të pronës dhe punës e bënë industrinë prirëse të zhvillimit ekonomik e social si dhe më prodhuese dhe më eficente. Ky revolucion i madh ndikoi në rritjen e popullsisë, të standardeve te jetës së njerëzve dhe të shfrytëzimit të burimeve natyrore. Por, vala e parë e revolucionit industrial u shoqërua edhe me pasoja negative siç ishin kushtet e rënda të punës dhe të jetës së punëtorëve, pagat e tyre të ulëta, orët e zgjatura të punës, puna e fëmijëve dhe ndotja apo edhe shkatërrimi i mjedisit. Valët e tjera të revolucioneve industriale do vinin dukë zgjeruar vlerat dhe duke eliminuar efektet negative, duke përmirësuar kushte e punës dhe të jetesës së punëtorëve si dhe duke pasur një qasje më miqësore me mjedisin dhe natyrën.

2. Vlerat Evropiane, ndriçues i paqes, demokracisë dhe prosperitetit në botë

E ngritur mbi katër themelet e lartpërmendura, Rilindjen, Reformacionin, Iluminizmin dhe Revolucionin Industrial, Evropa përmes një procesi të gjatë, të vështirë dhe të komplikuar arriti të selektonte mbi to një korpus të renditur vlerash. Këto vlera do i jepnin Kontinentit Evropian formën më të zhvilluar të civilizimit botëror.
Katër lëvizjet e mëdha të lartpërmendura u sfiduan disa herë në historinë moderne të Evropës. Mbi këto lëvizje progresiste herë-herë u ngritën re të zeza të egoizmave nacionaliste dhe rivaliteteve imperiale, që prodhuan konflikte, kriza dhe luftra të pafund. Këto luftëra e shndërruan shpesh Evropën në teatër të përgjakur, të antihumanitetit, të iracionalizmit, të nacionalizmit të sëmurë, të kolonializmit grabitqarë, të shkatërrimit kolateral, ekonomik, kulturor, social e shpirtëror. Nga doktrina napoleoniane ‘Kombi i madh mbi Evropë’ tek doktrina hitleriane ‘Gjermania mbi të gjithë’, Kontinenti i vjetër u përball me monstra që tentuan të rrënojnë themelet e civilizimit të tij.

Përballja me luftërat e gjata dhe me pasoja e tyre të rënda e bëri Evropën që të rishikonte me sy kritik dhe selektiv historinë e saj, të nxirrte mësime për të mos u harruar, të ndriçonte anët më pozitive të trashëgimisë së saj dhe të mënjanonte, por jo të harronte, faqet më të errëta të së kaluarës. Një nga zgjuarsitë më të mëdha të Evropës është se zhvilloi mendimin kritik ndaj vetes, por edhe ndaj të tjerëve. Zhvillimi i mendimit kritik ndaj vetës e bëri që të kërkonte rrugëzgjidhje të tilla që të eliminonin shkaqet negative të historisë, ndërkohë që mendimi kritik ndaj të tjerëve bëri që të shikonte e rishikonte vendin e rolin e saj në sistemin e aleancave dhe në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare përgjithësisht.

Në mënyrë të veçantë dy Luftrat e Botërore, nga 1914 deri në 1945, kanë prodhuar reflektione të thella në Kontinentin Evropian, duke përfshirë kombet e mëdhenj dhe kombet e vegjël. Të gjithë së bashku përpunuan një mendim kritik dhe një metodë selektive mbi të kaluarën. Qëllimi i këtij mendimi kritik dhe selektiv ishte dhe mbetet që nga katër themelet mbi të cilat u ngrit historia e Evropës moderne të shquanin dhe të seleksionin ato vlera që do e bënin Evropën të çliruar nga rivalitetet nacionaliste dhe imperialiste, totalitariste dhe intolerante, raciste dhe ksefofobe, iracionale dhe fanatike.

Nga katër lëvizjet e mëdha të lartpërmendura, Evropa do shquante si më themeloret vlera të tilla si humaniteti, racionaliteti, sekularizmi, demokracia, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe prosperitetin ekonomik e social. Këto vlera të selektuara nga Rilindja, Reformacioni, Iluminizmi dhe Revolucionin industrial ishin kontribut i gjithë popujve dhe kombeve të Evropës, ishin prodhim ‘Made in Europe’. Si të tilla këto vlera mund të ruheshin dhe të zhvilloheshin mbi një qëllim të përbashkët, mbi një shtrat të përbashkët Evropian, mbi një kuadër të përbashkët parimesh dhe mbi një sistem të përbashkët.

Hidromorava

Mbi një mendim kritik dhe selektiv mbas dy luftërave dhe konflikteve historike Evropa kishte nevojë për humanitet, pra i cili cilësi që ta bënin më njerëzore, të lidhur me dashurinë, mëshirën dhe kreaticitetin në dobi të njeriut dhe njerëzimit. Evropa e pas luftërave kishte nevojë për racionalitet, pra për vënien e çdo gjëje të së kaluarës, të sotmes dhe të ardhmes në optikën e arsyes, logjikes, duke zhvilluar diversitetin e të menduarit, gjykuarit dhe vepruarit në filozofi, ekonomi, sociologji, biologji dhe në shkenca politike. Kontinentit të pas luftërave i nevojitej më shumë sekularizëm, si një sistem besimi që ndan qartësisht fenë nga qështjet politike, shtetërore dhe arsimore, pra të parimit të ndarjes së institucioneve fetare nga shteti dhe mbajtja e besimit jashtë sistemit arsimor publik. Një sekularizëm i tillë do e çlironte fenë nga politizimi nacional e racist, do të çlironte politikën nga fanatizmi dhe radikalizmi fetar si dhe çlironte arsimin laik dhe shkencor nga indokrinimi teologjik.

Evropës së para luftërave i kishte munguar demokracia, si formë qeverisje në të cilën populli zgjedh dhe kontrollon pushtetin politik dhe drejton atë drejtpërsëdrejti ose përmes përfaqësuesve të zgjedhur prej tij. Evropës së re, mbas luftërave të brendshme dhe botërore, i lypej një sistem ku të sundonte ligji, sistem në të cilin asnjë person apo qeveri të qëndrojë mbi ligjin, si dhe asnjë person apo qeveri të imponojë ligje që janë të pandershme dhe të padrejta. Por, Evropa e shkatërruar pas konflikteve dhe luftërave të shumta kishte nevojë për rimëkëmbje ekonomike, për rindërtim dhe për prosperitet për popujt e saj, çka do thoshte që të kishte një sukses të tillë që të siguronte më shumë zhvillim ekonomik e social, kapital dhe para, fat dhe lumturi për gjithë Evropianët.

Pra, mbas konflikteve dhe luftërave Evropiane dhe Botërore nevojitej një Evropë tjetër, që të ringrihej mbi katër lëvizjet e mëdha dhe mbi shtatë vlerat e ndriçuara nga një mendim kritik dhe selektiv. Mbi gërmadhat e konflikteve dhe luftërave, mbi honet e urrejtjes, frikës dhe armiqësisë, mbi intolerancën, fanatizmin dhe ksenofobitë, mbi varfërinë dhe diskriminim ekonomik e social të së kaluarës, popujt e Kontinentit kishin etje për një Evropë tjetër. Dhe ata ia dolën. Ngritën projektin e Bashkimit Evropian.

Projekti gjenial i Bashkimit Evropian, ideuar nga Mone, Shuman, Curcilli, Adehaueri, Gaspari dhe i mbështetur nga Harri Trumani, Xhorxh Marshall, Ajzenhauri e të tjerë ngrihet mbi themele të thella e të paluajshme. Ky projekt lartësohet mbi vlera të ndriçuara dhe të lartësuara ndër shekuj. Ky projekt është provuar si më i madhi projekt ndërkombëtar i paqes mbi luftën, i demokracisë mbi diktaturat, i dinjitetit njerëzor dhe të drejtave të njeriut, i prosperitetit ekonomik e social për të gjithë.

Ky projekt e shndërroi Evropën e dikurshme të rivaliteteve gjeoplitike imperiale në një lidership kolektiv botëror. Mbas luftërave botërore asnjë fuqi Evropiane veçmas nuk mund të ishte më prezentë dhe influente në marrëdhëniet ndërkombëtare. Superfuqi të tjera kishin dalë në arenën botërore. Por, atë që nuk mund ta bënin dot veç e veç, Evropianët do ta bënin së bashku. Do të siguronin vendin dhe rolin e tyre shumë të fuqishëm në sistemin dhe marrëdhëniet Evropiane. Sot Bashkimi Evropian është një nga aktorët më demokratik, më të fuqishëm dhe më të zhvilluar ekonomik. Mbi të gjithë Bashkimi Evropian është fuqia botërore me një reputacion shumë të lartë ndërkombëtar dhe një imazhe shumë të ndritur ndër popujt dhe shtetet e botës. Bashkimi Evropian është modeli i lidershipit botëror, është pasqyra e qeverisjes globale.

3. Sfidat historike dhe të mileniumit

Fuqia dhe vitaliteti i projektit të Bashkimit Evropian maten edhe me përballjen e suksesshme të sfidave të tij që nga themelimi deri në ditët tona. Projekti Evropian sfidoi shumë shpejt rrënimin ekonomik dhe politik të dy Luftërave Botërore përmes demilitarizimit, defashistizimit dhe demokratizimit. Përballoi furishëm zhvillimin ekonomik mbi parimet e tregut të lirë dhe konkurrencës, zhvillimit të teknikës dhe teknologjisë, përmirësimit të menaxhimit dhe të lidershipit.

Në mënyrë shumë të suksesshme, projekti Evropian përballoi krizat e Luftës së Ftohtë, si Kriza e Suezit, Kriza e Berlinit, krizat e shumta me Bashkimit Sovjetik, me Lindjen e Mesme dhe rajone të tjera të botës. Projekti Evropian menaxhoi suksesshëm Rënien e Murit të Berlinit dhe bashkimin e Gjermanisë, çlirimin e Evropës Lindore nga kthetrat e sistemit komunist, shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe të ish-Jugosllavisë, terrorizmin ndërkombëtar, krizat ekonomike dhe të eurozonës në vitet 2008-2009, Pranverën Arabe, luftërat rajonale dhe civile në Lindjen e Mesme dhe pasojat emigrative të refugjatëve nga këto zona mbi Evropën, krizën e Brex-it dhe atë të Covid-19.

Paralelisht me menaxhimin e suksesshëm të këtyre krizave Bashkimi Evropian ka vijuar të jetë në krye të kontributit ndërkombëtar për sfidat e mileniumit sic është mbrojtja e mjedisit, krimi kibernetik, shkenca dhe teknologjia, arsimi në të gjithë nivelet dhe për të gjithë, sistemi shëndetësor dhe mbrojtja sociale.

Projekti Evropian është organizëm i gjallë dhe vital. Ai po sfidon euroskeptikët, populistët, nacionalisto-sovranistët, racizmin dhe ksenofobitë e çdo lloji dhe të çdo forme. Këto sfida të brendshme Bashkimi Evropian po i sfidon vazhdimisht përmes reformave që thellojnë dhe zgjerojnë integrimin. Thellimi po bëhet për gjetjen gjithnjë e më shumë të balancave të brendshme më të qëndrueshme, më funksionale dhe më dinamike midis komunitarizmit dhe sovranizmit, midis qytetarit, rajoneve, kombeve dhe institucioneve Evropiane. Zgjerimi po bëhet drejt Ballkanit Perëndimor bazuar në një metodologji të re, më gjithëpërfshirëse midis institucioneve komunitare dhe shteteve sovrane, mbi një proces negociues më dinamik dhe të grupuar, më të monitoruar dhe të rikthyeshëm, mbi kritere të qarta të Kopenhagës dhe të kërkesave të shteteve individuale.

Java e parë e Majit të çdo viti na të bën të gjithëve të meditojmë për Evropën, të cilës i përkasim në gjeografi, histori, identitet, kulturë, tradita dhe vlera. Kjo është një javë meditimesh, por edhe reflektimesh për atë që është bërë mirë nga Evropa dhe nga ne, që nuk është bërë mirë nga ne dhe nga Evropa ose që mund të bëhet ndryshe nga të gjithë së bashku. Me fjalë të tjera, java e parë e majit të çdo viti është java e ‘Evropës-Shtëpisë Tonë të Përbashkët’.