UBT

Evropa na ka ndarë, Evropa duhet të na bashkojë si një Shqipëri etnike

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Festa e 28 Nëntorit, që shënoi edhe 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, për akademik Mark Krasniqin është festa më e madhe e shqiptarëve. Sipas tij, as festa e Bajramit, Kërshëndellave, Pashkëve…, nuk janë më të mëdha se sa festa kombëtare.

Ai definitivisht është shprehur për gazetë se është për një bashkim kombëtar dhe, sipas tij, këtë obligim duhet ta kryejë edhe Evropa, që është përgjegjëse e copëtimit të Shqipërisë. Krasniqi nuk ka hezituar që t’i quajë budallenj ata persona që bëjnë ndarjen e shqiptarëve sipas vendeve, edhe pse, sipas tij, në ditët e sotme shqiptarët janë duke u shitur në pazar mu sikurse kafshët.

Zëri: Në sytë e një akademiku dhe një personaliteti që ka një shtrirje mjaftë aktive në periudha të ndryshme të historisë sonë kombëtare, si u pa festa kombëtare e 28 Nëntorit?

Mark Krasniqi: 28 Nëntori është festë kombëtare, festë e unitetit tonë kombëtar. Kjo festë është më e madhja që e kemi si komb, është edhe më e madhe se festa e Bajramit, Kërshëndellave, Pashkët…Me këtë datë po festojmë për shtetin e parë shqiptar modern që e kemi në Evropë, duke mos e llogaritur atë të mesjetës. Festa e fundit ka qenë e posaçme, sepse edhe Kosova tash e sa vite është shtet shqiptar edhe Shqipëria është shtet shqiptar. Gjendja e sotme e shqiptarëve në Kosovë e në Shqipëri duke e llogaritur edhe rrugën e kombit nuk ka mundur të imagjinohej para dhjetë viteve.

Zëri: Më shumë se kurrë u fol për bashkimin kombëtar në këtë përvjetor, si e shihni këtë vullnet dhe dëshirë?

Mark Krasniqi: Festa kombëtare, festa e 28 Nëntorit duhet të jetë jo vetëm e shteteve shqiptare por edhe e gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë. Kjo festë gjithmonë duhet të ketë në theks bashkimin kombëtar, ose nënvizimin që ne ta kemi njëherë e përgjithmonë shtetin kombëtar sikurse kanë shumë kombe në shtetet evropiane. Shqiptarëve iu bë padrejtësia historike në Londër në vitin 1913, dhe më pas në atë të Parisit më 1920. Ajo ishte një padrejtësi historike që nuk i është bërë asnjë populli tjetër por u është bërë shqiptarëve. Ne kemi të drejtë dhe obligim që të interesohemi dhe të kërkojmë që këto vise historike shqiptare të bashkohen një ditë në një shtet shqiptar. Sepse vendet fqinje i kanë shtrirë trojet e tyre në viset shqiptare. Nuk mund të jemi të kënaqur dhe të pranojmë që të jetojmë edhe në të ardhmen me gjithë këto uzurpime që na janë bërë nga të tjerët.

Zëri: Po në këtë përvjetor këto deklarata nuk munguan sa nga politikanët, që deri dje, bashkimin kombëtar e kanë përmendur vetëm drejt rrugëtimit në BE, çfarë po ndodh me të vërtetë?

Mark Krasniqi: Ne prej bashkimit kombëtar kurrë nuk do të heqim dorë, edhe gjeneratave të reja duhet t’ua ngulisim në tru që nuk hiqet dorë prej bashkimit kombëtar, pavarësisht se çfarë na thonë ndërkombëtarët, apo çfarë na thonë miqtë apo armiqtë. Është e drejtë jona dhe këtë të drejtë do ta kërkojmë. Ndërkaq deklarata e politikanëve tanë se bashkimi do të ndodhë në Bashkimin Evropian është një rrugë të cilën duhet ta përmirësojë Evropa, se Evropa na ka sjellë në këtë gjendje, askush tjetër. Evropa e ka coptuar Shqipërinë etnike në Paris dhe ne këtë Shqipëri etnike do ta kërkojmë, dhe në këtë rrugë do të ofrohemi si popull, e jo si Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi…, ne nuk pranojmë ashtu, ne pranojmë të hyjmë si popull, këtë gjë duhet ta dijë Evropa qysh tashti.

Si të integrohemi në Evropë vetëm formalisht. Evropa nëse do me e zgjidhë këtë problem, që është më i madhi, duhet të na bashkojë në Bashkimin Evropian, por si një shtet të formuar shqiptar, Shqipërinë etnike. Këtë kuptim e ka kërkesa jonë drejt Bashkimit Evropian. E ne nëse kundërshtohemi për këtë çështje nga Bashkimi Evropian s’do të thotë se do të heqim dorë, për këtë rrugë do të mundohemi edhe pa Bashkimin Evropian. E drejta e jonë e ngulitur në zemër dhe në mendjen e çdo shqiptari është bashkimi kombëtar, ne nuk kërkojmë as një pëllëmbë të huajën, por kërkojmë të drejtat tona. Evropa na ka bërë sherrin e sherrit në Paris, aty është bërë bekimi i mallkuar mbi shqiptarët.

Mobi Casa

Zëri: Po nëse nisemi nga realiteti, bashkimi kombëtar njëherë për njëherë është i pamundur. A mendoni se politikanët shqiptarë po luajnë me ndjenjat e popullit?

Mark Krasniqi: Politikanët bëjnë nganjëherë disa budallallëqe të mëdha. Edhe unë kam qenë dikur pjesë e politikës. Por ne nuk duam deklaratë të politikanëve sa për sy e faqe. Kushtetuta që e kemi sot duhet rrënjësisht të ndryshohet, sepse ka ndryshuar edhe koha, tash ne jemi të pavarur, si shtet i pavarur duhet vetë ta rregullojmë shtetin tonë dhe jo të huajt, të huajt mund të na ndihmojnë me këshilla.

Zëri: Duke pasur parasysh një periudhë të gjatë ndarjeje mes Kosovës dhe Shqipërisë, dhe nëse bazohemi në debatet televizive ku marrin pjesë përfaqësues nga Kosova dhe Shqipëria, është e pashmangshme të mos vërehet dallimi në mes dy palëve. A mendoni se do të mbushet ky boshllëk mes kosovarëve dhe shqiptarëve?

Mark Krasniqi: Ne shqiptarët duhet fillimisht të bashkohemi shpirtërisht kudo që jemi nëpër trojet e ndara. Kulturën e kemi të përbashkët, vetëdijen po ashtu, edhe pse në disa raste nuk është në nivel sikurse duhet, sidomos në Shqipëri me thënë të drejtën. Janë disa individë, dy tre persona që thonë se ne jemi shqiptarë e ata kosovarë apo anasjelltas. Ata që thonë kështu për mua nuk janë normalë. Çfarë dallimi ka ai shqiptar që jeton në Tiranë apo në Prishtinë apo diku tjetër. Nëse bëhet dallimi duke u bazuar në gjuhë e në veshje, ato dallime i kemi edhe brenda Kosovës, nëse krahasojmë një rugovas me një qytetar të një ane tjetër të Kosovës. Katundi prej katundi dallon në adete. Por ne jemi shqiptarë kudo që jemi.

Shqiptari ndihet shqiptar si në Prishtinë, si në Tiranë, Shkup, Preshevë e deri në Australi. Vetëm në kokat e të marrëve, ose më qartë në kokat e budallenjve ekzistojnë këto ndasi, pasi që dëshirojnë t’ua bëjnë qejfin ndërkombëtarëve me këso ide pavarësisht faktit se Kosova është një shtet etnik. Të huajt janë duke bërë eksperimente në Kosovën e ditëve të sotme, por një gjë duhet të dihet se Kosova duhet të jetë një shtet etnik. Ne jemi shqiptarë kudo që jemi, e kemi një flamur kombëtar. Flamuri që valëvitet për 28 Nëntor është simbol i bashkimit kombëtar.

Zëri: Dhe për fund, nëse zhgënjehemi nga një mik, shumë prej nesh themi se ai nuk është gjenetikisht shqiptar. Si duhet të jetë gjenetikisht një shqiptar?

Mark Krasniqi: Gjenetikisht shqiptar duhet të jetë ai shqiptar me të gjitha vetitë morale që i kanë pasur të parët tanë. Shqiptari ka besë, ka burrni, ka trimëri, mikpritje, i ka traditat. Nëse shqiptari nuk është besnik, nuk është tolerant kur duhet të jetë tolerant ( sepse toleranca e tepruar është e dëmshme, atë tolerancë e kemi sot ne në Kosovë) nuk është i ndershëm…, e konsiderojmë të bastarduar dhe që i bën dëm kombit tonë.

Por, nuk do të thotë që kombi shqiptar nuk ka edhe kriminelë që nuk do të kishim dashur që t’i kemi bashkëkombës. Vetëm në këtë mënyrë dallohemi nga të tjerët edhe pse kemi mjaft të këqij, mjerisht. Për fat të keq, sot po shiten shqiptarët si kafshët në pazar, ndoshta si pasojë e varfërisë. Varfëria të çon edhe në derë të armikut. Kosova është shumë e varfër. Thuhet që 50 % e popullsisë janë të papunë, unë s’i kam numëruar, por s’i kanë numëruar as ata të qeverisë.(zeri)